<b></b> Komuna e Podujevës me aksion humanitar për Ukrainën, irritohen qytetarët pak edhe opozita

Komuna e Podujevës me aksion humanitar për Ukrainën, irritohen qytetarët pak edhe opozita

23.04.2022 11:14

Që nga momenti i parë, kur Rusia pushtoi Ukrainën dhe filloi të tensionohej situata, vende të ndryshme të botës filluan t’i ndihmonin Ukrainës, e cila po e pësonte keq nga pushtimi i Rusisë.

E një ndër këto vende për të ofruar ndihmë në mënyra të ndryshme ishte edhe Kosova, e cila bashkëndiente me Ukrainën çdo çast, ndoshta edhe sepse luftë kishin përjetuar vetë.

Thuajse menjëherë, Qeveria e Kosovës ndau fond prej 100 mijë eurosh, ofruan strehim për ukrainasit, madje këtë javë filluan edhe strehimin e gazetarëve nga ky vend.

Por, tashmë edhe komunat, kanë filluar të shfaqin humanizmin.

Dje komuna e Podujevës në krye me Shpejtim Bulliqin nga Lëvizja Vetëvendosje, ka mbledhur Shtabin Emergjent për të organizuar një aksion humanitar për Ukrainën.

Por kjo gjë duket se i ka irrituar qytetarët, madje edhe opozitën, pak atje.

Qytetarët filluan ta komentonin menjëherë këtë lajm duke thënë se Podujeva si çdo komunë tjetër duhet t’i ndihmoje njerëzve të vet si fillim.

“Mjafton përkrahja morale për Ukrainën, fondet apo ndihmat nalni për popull”, ka shkruar Zejnullah Sejdiu.

“Të varfër dhe të papunë nuk ka në komunën tuaj (të gjithë kanë ikë nga Kosova), shëndetësinë, arsimin, transportin publik... i keni rregullu”, thotë një qytetar tjetër.

“Po Ukraina s’na njeh shtet, o të mjerë’’, është shprehur Mexhit Xhemajli.

‘’E pasni kënaq krejt, shkoni në lagje të Kuvajtit ndihmoni ndonjë familje’’,  ka shkruar Besnik Rexhepi.

Përveç qytetarëve, as opozitës në këtë komunë nuk është se po u duket fort i duhur ky vendim.

Kryetari i LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, për Nacionalen tha se e përkrah mënyrën për t’i ndihmuar të tjerët, por ndihmat duhet të fillojnë nga oborri i shtëpisë.

‘’E përkrahi idenë se duhet me ndihmu njerëz, por ndihma duhet me fillu prej oborrit të shtëpisë. Duhet me i përkrahë njerëzit në nevojë në komunën tonë, e që ka sa të dush. Komuna ka pasë shumë ma shumë nevojë me bë diçka në Podujevë se sa në Ukrainë”,  thotë kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni.

Ndërsa nga PDK, aksionin humanitar e quajtën mënyrë simbolike.

Fondin humanitar e kanë bë në mënyrë simbolike me bashkëndje me Ukrainën. Por, çdo javë nga drejtoria e Shëndetësisë janë duke mbledhë pako për familje në nevojë. Edhe ne si kuvend kemi nda një shumë prej 70 mijë euro, kështu që Podujeva i ndihmon familjeve në nevojë, sado që mjaftueshëm nuk është asnjëherë. Komuna duhet me iu ndihmu tërë vitin, jo veç një muj”,  tha për Nacionalen Bashkim Syla nga PDK në Podujevë.

E shoqërisë civile mbledhja e shtabit emergjent iu duk paksa ekzagjerim.

‘’Mendoj se solidarizimi me njerëzit në nevojë është i domosdoshëm dhe i mirë, edhe pse mbledhja e shtabit emergjent për ta trajtuar këtë iniciativë vlerësoj se ka qenë e ekzagjeruar. Do të mjaftonte një thirrje për mbështetje nga Kryetari, një numër kontakti dhe pika grumbulluese të caktohet për ata që duan dhe që kanë mundësi të ndihmojnë, të koordinohen  me ‘Kryqin e Kuq’ dhe ata të merren me organizimin operativ”,  tha drejtori ekzekutiv i organizatës “Demokracia Fillon Këtu”.

Ky aksion, sipas zyrës për Marrëdhënie me Publikun, buron nga iniciativa e ushtarëve ukrainas në Kosovë, i njëjti do të zhvillohet në të gjitha komunat e Kosovës.

Aksioni do të zhvillohet nga data 26 deri 29 prill në këtë komunë.

Sipas zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Podujevë, një “aksion humanitar” ka qenë iniciativë e ushtarëve ukrainas që janë në shërbim në kuadër të KFOR-it, në Kosovë, dhe si iniciativë do të zhvillohet edhe në komunat e tjera.

Komuna e Podujevës i ka mbi 1000 familje me asistencë sociale. Përderisa në vend sipas të dhënave në vitin 2021 kanë qenë 25,895 familje që kanë përfituar asistencë sociale./Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1