<b></b> Krizat globale veç sa e rritën dëshirën e kosovarëve për martesë: Katër mijë kurorëzime për dy muaj

Krizat globale veç sa e rritën dëshirën e kosovarëve për martesë: Katër mijë kurorëzime për dy muaj

24.04.2022 14:12

Kurorëzimet parashihet të jenë një ndër momente me të hareshme të jetës. Shpesh çiftet e reja që kurorëzojnë dashurinë e tyre zgjedhin një datë më të veçantë.

Për shembull, me datën 22.02.2022 zyret e ofiqarisë së komunave të Kosovës, u vërshuan me çifte të reja për t’u kurorëzuar në këtë datë të rrallë. Por, sa ishte numri i të kurorëzuarve përgjatë dy muajve të parë të këtij viti me rritje çmimesh e me kriza globale, nisur nga pandemia e bitisur me Luftën në Ukrainë?

Nga statistikat del se për dy muaj në Kosovë janë kurorëzuar afër 4 mijë çifte të reja.

Që të jemi precizë, 3793 është numri i kurorëzimeve në muajt janar dhe shkurt.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës [ASK], në muajin janar 2022 janë regjistruar gjithsej 1 827 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës).

Ndërsa, në muajin shkurt 2022 janë regjistruar gjithsej 1 966 kurorëzime e që krahasuar me muajin janar del se  ka një rritje për 7.6% pavarësisht që shkurti – siç na e thotë edhe emri – është më i shkurtër.

Gjatë vitit 2020 – pra krejt vitit – janë regjistruar 16 mijë e 17 kurorëzime ndërsa gjatë vitit 2019 gjithsej 17 mijë e 577.

Kjo na tregon se jemi në një trend pozitiv në lidhje me çështjen në fjalë.

Sipas ASK-së, nga të dhënat e vitit 2019 mosha mesatare e çifteve të kurorëzuar ka qenë 29.5. 28 për gra dhe 31 për burra.

A po ndahemi më shumë apo po bashkohemi?

Sipas statistikave del që më shumë po bashkohemi, por në anën tjetër edhe shifrat e shkurorëzimve janë të larta dhe të cilat i kemi trajtuar në një shkrim të mëhershëm.

Për muajin janar dhe shkurt të këtij viti janë regjistruar 241 divorce mes çifteve kosovare.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës [ASK] në muajin shkurt 2022 janë regjistruar gjithsej 1966 kurorëzime brenda dhe jashtë Kosovës. Ndërkaq, janë regjistruar 122 shkurorëzime në këtë muaj teksa në muajin janar 119.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 janë shënuar 280 raste të prishjes së kurorëzimit, e që është shifër gati e njëjtë me vetëm dy muajt e parë të vitit 2022.

Ndërkaq në të gjithë vitin 2020 sipas ASK-së janë regjistruar gjithsejt 220 raste të ndarjes mes çifteve bashkëshortore.

Në vitin 2019 janë 722 raste, në vitin 2018 janë 713 raste ku çiftet i dhanë fund martesës.

E pse ka kaq shumë shifta të larta të shkurorëzimeve ka shpjeguar sociologia Bukurije Rrustemi për gazetën Nacionale.

Ajo është shprehur se divorci si fenomen po bëhet më shqetësues çdo ditë e më shumë, edhe pse ndoshta ne nuk pajtohemi me një gjë të tillë.

Rrustemi ka renditur faktorët socialë të cilët ndikojnë në ndarjen e çifteve.

Divorci si fenomen po bëhet më shqetësues secilen herë e më shumë. Ndër shkaktarët kryesorë mund t’i rendisim ata socialë dhe psikologjikë. Kur jemi te faktorët socialë mund të përmendim, kushtet ekonomike, pamundësia që çiftet të bëhen prindër, konflitet ose mosmarveshjet rreth ndarjes së punëve dhe përgjegjësive familiare, martesat e hershme, mosgatishmëria ose mos të qenit i përgatitur për jetën në çift, raporet mes anëtarëve të tjerë të familjes, pamundësia për t’u pavarësuar e ndarë nga familja e gjerë e burrit, diferenca e madhe në moshë mes çiftit, ndryshimet që po bëhen në familje sa i përket roleve gjinore, kalimi nga jeta tradicionale në atë bashkëkohore etj.”, ka thënë ajo.

Ndërsa, sipas sociologes dhe aktivistes feministe, Leonida Molliqaj, për Podcast Nacionale, shkurorëzimet në Kosovë janë shqetësuese sepse i japin burrave një lumë beneficionesh dhe grave një det me telashe.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar se do të ndërtojë 4 mijë banesa për çiftet e reja në mënyrë që t’ia mundësoj blerjen e banesës me këste brenda 10 viteve.

Sa i përket të kurorëzuarve të këtij viti, ne ju urojmë jetë të mbarë dhe shpresojmë të mos i gjejmë në raportet 24-orëshe të Policisë, seksionin e dhunës në familje.

https://www.nacionale.com/Lajmet/Ngjarja/-I-bejne-dasmat-e-shtrenjta-dhe-ndahen-Shkurorezime-masive-ne-Kosove-me-2022-shkaqet-tmerruese-3105

Tjera nga autori:
1