<b></b> Kush ma vrau djalin? Rrustem Leku 4 vjet në kërkim të drejtësisë

Kush ma vrau djalin? Rrustem Leku 4 vjet në kërkim të drejtësisë

23.04.2022 13:36

Ka katër vjet që pret një lajm nga dikush që do t’i tregojë arsyen se nga se i vdiq djali 19-vjeçar. Rrustem Lekut nga fshati Baincë në komunën e Drenasit, në gushtin e vitit 2018 i vdiq djali, Drini. Arsyet e vdekjes të së birit, familja thotë se edhe pas më shumë se katër viteve nuk i di. Ndërkohë lënda po trajtohet në Prokurori. Nacionale sjell rrëfimin e familjes dhe thirrjet e tyre drejtuar institucioneve për këtë rast.

Në vitin 2018, Rrustemi bashkë me djalin e tij Drinin, patën vendosur që ta hapnin një biznes privat para shtëpisë së tyre në fshatin Baincë të Drenasit. Biznesit të ri - servisit të veturave, Rrustemi ia la emrin e djalit, Drin. Puna filloi aty dhe gjithçka po ecte mirë për pak muaj.

Por në gushtin e vitit 2018, servisi i veturave u mbyll përkohësisht. Jo se nuk kishte punë. Por se Drini, djali i Rrustemit, vdiq papritmas pak muaj pas fillimit të biznesit të tij.

Drini, sipas familjes, asnjëherë nuk kishte pasur probleme shëndetësore. Por edhe katër vjet pas varrosjes së djalit, Rrustemi nuk e di shkaktarin e vdekjes së tij.

               Si nisi e gjithë historia e këtij rasti tragjik?

Historia tragjike e familjes Leku me djalin e tyre Drinin nisi që nga mesnata e 4 gushtit të vitit  2018. Djali i Rrustemit, Drini 19-vjeçar, kishte vazhdimisht të vjella dhe dhembje barku. Me këto simptoma ai kërkoi ndihmë në Emergjencën e QKUK-së.

Aty trajtim, familja e të ndjerit kishte kërkuar për disa ditë rresht.

Në mesnatën e  6 dhe 7 gushtit, familja Leku e kishte dërguar sërish djalin e tyre në QKUK, por nga aty, më 8 gusht, Dreni u kthye në arkivol për në shtëpinë e tij.

Nga familja e të ndjerit thonë se as sot nuk i dinë shkaqet që çuan në vdekjen e djalit të tyre.

Në një deklaratë për Gazetën Nacionale, babai i Drinit të ndjerë, Rrustemi, është shprehur i zhgënjyer me autoritetet kosovare sa i përket zbardhjes së rrethanave të vdekjes së djalit të tij.

“Ka vite që po pres një lajm. Më shkoi djali, e unë s’e di pse më ka vdekë. Unë nuk e di se si shteti nuk po i dëgjon thirrjet tona. Nuk e di si një lot i yni s’po troket në ndërgjegjen e dikujt që të nisë e të merret me këtë rast. Djalin tim ma kanë mbytë”, rrëfehet Rrustemi për Nacionalen.

             Babai i Drinit të ndjerë: Ato kanë qenë 4 ditët e tmerrit të jetës sime

Katër vjet pas vdekjes së birit, Rrustemi i kujton me dhimbje katër ditët të cilat ai i quan ditë të tmerrit, gjatë së cilave ai e ka trajtuar Drinin pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

“Ka qenë e shtunë, data 4, muaji 8, djali ka pasë dhimbje. E kam marrë e kam çu në Drenas. Aty më thanë duhet me e dërgu në Prishtinë. Kur e çova aty, ish kanë tollovi në Emergjencë, pasi që ishin duke e renovu. E çova djalin në një klinikë tjetër. Aty tepër ngarkesë, si pazar. E ndiva veten shumë keq. Trajtimet kanë qenë jo të mira. Ka pasë mangësi të mëdha të kontrolleve për djalin tim. Kur e çova djalin aty më thanë me ia ba disa analiza dhe ultrazërin. Ia kryva të dyja. E panë fotografimin edhe më thanë s’ka kurgjo djali. Tha mundesh me marrë, ni infuzion ndoshta me ia dhanë, ky s’ka nevojë për tjetër”, rrëfen për përvojën e parë me mjekët e QKUK-së, babai i Drenit tashmë të ndjerë.

Pas asaj, Drenin familja e kishte kthyer në shtëpi, për t’u rikthyer sërish në spital më datën 6 gusht.

Por, në Emergjencën e QKUK-së, kujdesi i mjekëve ndaj Drenit, sipas familjarëve, sërish ishte i mangët.

Pas përkeqësimit të gjendjes së pacientit 19 vjeç, mjekët e QKUK-së urgjentisht ishin mbledhur për ta dërguar në sallën operative. Por për të shkuar deri atje, familja bashkë me stafin mjekësor kishin bërë më shumë se gjysmë ore, thotë babai i Drinit të ndjerë.

“Djalin e kanë operu në bodrum. Rruga e gjatë, krevati kërciste në ato vijat e spitalit. Në gjysmën e korridorit mjekët kanë fillu me vrapu. Kur arritëm te lifti, ai ishte mbyllë. Vrapo me i thirre në telefon për me i lëshu liftat. Për disa minuta jemi endë për me e gjetë mënyrën me dërgu djalin në sallë”, tregon tutje prindi i 19-vjeçarit të ndjerë.

Ai pas operacionit kishte qëndruar në Mjekimin Intensiv Qendror të QKUK-së, duke ndërruar jetë më 08.08.2018 në orën 00:06.

“Vonesat kanë qenë shumë të mëdha. Kur e kanë pa djalin që ka vjellë, është dashtë me intervenu. Unë sot nuk e di arsyen përse më ka vdekë djali”, rrëfen Rrustemi.

        Kë po e akuzon familja Leku?

Familja e Drin Lekut po e akuzon stafin mjekësor të QKUK-së për trajtim jo të duhur mjekësor dhe neglizhencë. Për këtë punë, i ati Rrustemi po kërkon hetim nga organet e hetuesisë kosovare.

“Unë do të kërkoj drejtësi për gjithë këto sjellje. Kjo nuk është plagë e vetëm një prindi, por e gjithë familjes, motrave, vëllait. Jetën na e kanë prishë”, thotë ai për Nacionalen.

Ai thotë se emrat e të gjithë mjekëve që ia kontrolluan djalin, tashmë janë në duar të organeve të hetuesisë dhe Inspektoratit Shëndetësor.

Nga familja e të ndjerit rrëfejnë se deri më 5 gusht, të vitit 2018 djali i tyre, Dreni, kishte punuar si mekanik në punëtorinë të cilën e kishte në oborrin e shtëpisë së tij.

“Djali nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë. Ka punu mekanik. Ia kam hapë punëtorinë këtu para shtëpisë. Kurrfarë shqetësimi nuk ka pasë. Kjo punë ka ndodhë nga moskujdesi. Kam ushtru padi.”

      Çka kanë bërë organet e hetuesisë për këtë rast?

ASGJË!

As edhe një seancë nuk është mbajtur nga ana e institucioneve hetimore lidhur me akuzat që prindi i 19-vjeçarit tashmë të ndjerë, ndaj mjekëve kosovarë.

Nacionale ka dërguar pyetje tash e disa ditë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për këtë çështje, por të njëjtit kanë refuzuar të përgjigjen. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1