"Ne - gra e burra -  kemi Bajram dhe Pashkë, por punët për festimin e tyre s'i kryejmë bashkë!"

<b></b> Nesër s'ka Bajram? Protestat elektrizojnë Prishtinën për 1 majin e punëtorëve

Nesër s'ka Bajram? Protestat elektrizojnë Prishtinën për 1 majin e punëtorëve

01.05.2022 13:06

Sot janë mbajtur dy protesta në kryeqytet që adresonin të drejtat e punëtorit. Megjithëse jo aq për nga numri i pjesëmarrësve, këto protesta ishin 'elektrizuese' sa i përket parullave të drejta që shprehnin. 

Kush ka thënë që punëtorët s’dinë me repovatë, ka rrejtë... ka rrejtë! Në fakt, punëtorët dinë të repovasin e rimojnë nëpër protesta, më kryesorja, ata dhe ato dinë të protestojnë edhe për 1 maj edhe pse shumica megjithatë pakuptueshëm feston.

“Puna e papaguar e grave e mban shtetin!” – lexohej në njërën pankartë të protestës së Kolektivit për Veprim Feminist, në protestën që u mbajt prej orës 12:00. Është fjala, që ta themi troç, për amviset të cilat ironikisht prej 1 majit – si të gjithë ne – do ta zbardhin ditën e nesërme me një mal punësh shtëpiake për shkak të Bajramit të Madh. Puna e tyre mbetet e papaguar dhe e pavlerësuar nga institucionte, derisa dhuna në familje – nga e cila e pësojnë kryesisht gratë – vazhdon të ushtrohet lirshëm e në përmasa shqetësuese.

“Equal rights for all, special privileges for none!” – lexohej ndërkohë në një parullë tjetër. “Refuzoj t’i nënshtrohem shefave,” – thuhej në një tjetër. “Pagë për punë të shpisë” – në një edhe më tjetër. Një parullë mund të ishte edhe “Nesër, s’ka Bajram!” por ja që nuk ishte. Ose "Ne - gra e burra -  kemi Bajram dhe Pashkë, por punët për festimin e tyre s'i kryejmë bashkë!" 

Në anën tjetër, prej orës 11:00 kanë protestuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, me Atdhe Hukollin në krye.

Përgjatë katër muajve të fundit kanë humbur jetën në vend të punës plot tetë punëtorë kosovarë, e të cilët u nderuan me një minutë heshtje.

“Kosova doli e fundit në respektimin e të drejtave të punëtorit. Po të kishin qenë institucionet e tona në nivel punët kishin qenë ndryshe, por ata nuk shqetësohen për kushtet e punëtorëve në vendin e punës,” tha njëri nga aktivistët.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi fjalimin e tij e nisi duke i drejtuar pyetje kryeministrit Albin Kurti.

“Kam një pyetje për ju, pse në ditën e vikendit, të festës na shtyre që të dalim dhe të protestojmë? Sindikata luftoj në cdo koridor, qeveri e kryeministri, por ajo qeveri e cila na premtoi që do të sjellë mrekulli, fatkeqësisht deri tani tek realizimet e premtimeve nuk bëri asgjë”, tha Azemi.

Kujtojmë se përgjatë gjithë vitit janë organizuar dhjetëra protesta në drejtim të Qeverisë e të cilat adresonin kushtet e këqija të punës dhe rrogat e vogla. Po gjatë këtij viti, ka pasur një rritje të paprecedent të çmimeve të produkteve esenciale, dhe e cila rritje ka prekur kryesisht klasën punëtore të vendit.

Nuk dihet nëse protestat e sotme, sidomos ajo ku në qendër ishte gruaja amvise, do të afektojnë festën e Fiter Bajramit.

Tjera nga autori:
1