<b></b> OSHP ”në proces..”, miliona euro tenderë të bllokuar

OSHP ”në proces..”, miliona euro tenderë të bllokuar

30.04.2022 14:44

Mbi 300 milionë euro janë të bllokuara si pasojë e mos funksionimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, pasi për këtë institucion Kuvendi i Kosovës ende nuk i ka emëruar anëtarët e bordit. Sherrin mos-funksionalizimit po ia shohin shumë komuna kosovare. Shumë tenderë kanë mbetur pa u realizuar.

Trajtimi i qenve endacakë në Kosovë nuk po gjen zgjidhje tash e sa vite, edhe pse është kërkuar shumë për zgjidhjen e këtij problemi. Në Prishtinë para dhjetë ditëve disa qenë sulmuan tre qytetarë. Edhe në Vushtrri qentë sulmuan një grua me djalin e saj para disa ditëve.

E zgjidhje të këtij problemi po kërkojnë komunat. Por që kjo punë të zgjidhet do të duhet kohë. Kjo ngase shumë komuna kosovare kanë paralizuar punën si pasojë e mos funksionimit të Gjykatës së Tenderëve apo OSHP-së. Kjo e fundit dihet që tash e disa kohë është në mungesë të bordit pasi i njëjti u shkarkua nga Qeveria.

Problemi sa i përket trajtimit të qeneve endacak  po tentohet që të zgjidhet edhe në komunën e Podujevës.

Por për momentin kjo gjë po del të jetë e pamundur. Në OSHP ende është lënda duke u shqyrtuar sa i përket tenderit për këtë punë. E vlera e kontratës për trajtimin e qenve endacak në Podujeve është paraparë që të jetë 25 mijë euro.

Aktualisht Organi Shqyrtues i Prokurimit pa bord funksional është duke funksionuar vetëm me sekretariat, i cili përveç administrimit të ankesave dhe caktimit të ekspertëve shqyrtues nuk ka ndonjë kompetencë tjetër lidhur me shqyrtimin e ankesave.

Mos funksionalizimi i bordit të OSHP-së, po sjellë edhe pasoja të tjera.

 OSHP-ja ende pa bord, bllokohen mbi 300 milionë euro

E sherrin mos-funksionalizimit të OSHP-së më së shumti po ia shohin komunat kosovare. E fajin për këtë punë e ka Qeveria.

Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë nga Iniciativa për Progres, thotë  se për këtë fajtore është politika pasi sipas tij, “Kuvendi dhe Qeveria në vazhdimësi kanë injoruar zgjedhjen e tyre si pasojë e interesave që në këtë bord të sjellin njerëz politikë dhe jo profesionist”.

Madje Arifi thekson se të gjeturat e hulumtimit të INPO-së tregojnë se “27 komuna kanë aktivitete të bllokuara në organin shqyrtues të prokurimit”.

Asociacioni i komunave/ Qeveria refuzon të na takojë

Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave Kosovare thekson se miliona euro janë bllokuar dhe nuk po mund të investohen në komuna.

Ibrahimi thotë se ende nuk ka arritur që t’i takojë udhëheqësit e Qeverisë për t’i treguar hallet sa i përket këtij problemi.

“Që nga mosfunksionalizimi i OSHP ku me dhjetra miliona euro nuk janë investuar nëpër komuna, mungesa e barnave esenciale nëpër QKMF dhe QMF, moskoordinim total sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me pushtetin lokal, kontratat kolektive të arsimit dhe shëndetësisë të cilat ende paguhen nga buxhetet e komunave kurse nënshkruese janë ministritë, procedurat e tejzgjatura me muaj të tëra e në disa raste pamundësia e zëvendësimit të mësimdhënësve shtatzëna dhe mësimdhënësve me sëmundje kronike. Nuk ka ndodhur në asnjë qeveri që nga paslufta, një kryeministër mos t’i takoj kryetarët e komunave të gjithë njëherazi për të diskutuar për problemet e komunave”, deklaron ai.

Çka ka ndodhë me Procesin

Ndërkaq më 9 mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për kryetarë dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregoi se komisioni vlerësues ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar për OSHP, rrjedhimisht, sipas tij kanë përdorur diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve.

“Komisioni ishte tepër i pakënaqur me kandidatë që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës profesionale dhe profesionalizmit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim komisioni i ka rekomanduar qeverisë të përdorë diskrecion në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik”, theksoi Kurti.

Kandidatët e votuar nga ekzekutivi për bordin e OShP-së, janë: Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Vedat Peterqoj, Faruk Rexhaj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahimi, Dafina Gashi, Vjosa Menxhuani dhe Kimete Gashi.

OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin e prokurimit publik. Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik./Nacionale.com/

Autor: Gentiana Hasani

Tjera nga autori:
1