"Çdo ditë e javë e kemi ditur se çfarë po bëjmë." - Isa MUSTAFA

<b></b> Sipas FMN-së, ekonomia e Kosovës lulëzoi gjatë Qeverisë Mustafa: Profesori 'i rrëfen' formulën e tij Nacionales

Sipas FMN-së, ekonomia e Kosovës lulëzoi gjatë Qeverisë Mustafa: Profesori 'i rrëfen' formulën e tij Nacionales

20.04.2022 15:50

Fondi Monetar Ndërkombëtar [FMN] në edicionin e muajit prill ka projektuar rritje prej vetëm 2.8 për qind për Kosovën, dhe e cila është më e vogla në dhjetë vitet e fundit [përveç vitit 2020, kur ekonomia ishte e mbyllur].

Qeveria Kurti II ka përmendur vazhdimisht rritjen ekonomike kur fliste për arritjet e saj. Por, Qeveria nuk është marrë efektivisht me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale, gjë e cila vetëm sa i ka varfëruar qytetarët.

Sipas FMN-së, rritja e brutoproduktit vendor ka qenë 9.5 për qind, por po aq ka qenë edhe inflacioni.

Sipas raporteve të FMN-së, në vitet e Qeverisë së Isa Mustafës [2015, 2016, 2017] është arritur shifra më e lartë e rritjes ekonomike të vendit.

Për këtë arsye, gazeta Nacionale zhvilloi një intervistë të shkurtër me profesor Mustafën – tashmë i pensionuar nga politika – për të kuptuar më mirë shifrat që na e shpjegojnë realitetin politik dhe se çfarë ka bërë që Kosova të rritej më së shumti ekonomikisht gjatë epokës së tij. 

Ju ftojmë që ta lexoni me vëmendje.

NACIONALE:

Sipas raportit të FMN-së, Kosova nuk pritet të ketë rritje më të madhe ekonomike se sa 2. 8 për qind përkundër inflacionit alarmues. Cili është komenti juaj si ekonomist dhe ish-kryeministër?

ISA MUSTAFA:

Kjo do të jetë rritja më e vogël ekonomike për dhjetë vitet e fundit, përjashtimisht vitit 2020 kur kishte mbyllje të ekonomisë. Qeveria aktuale po operon me rritjen ekonomike si diçka të dhënë, pa ndërmarrë asnjë masë të politikave ekonomike. Sidomos kur po gufojnë çmimet dhe inflacioni e po bie fuqia blerëse e euros, ndërkaq lufta në Ukrainë ka tronditur tregun e drithërave dhe sidomos të çelikut që efekton shumë degë. Nëse i referohemi konsumit, shpenzimeve qeveritare, investimeve dhe vlerës neto të eksportit, si faktorë të matjes së rritjes ekonomike (GDP), nuk shihet asnjë masë nxitëse e qeversë në asnjë prej këtyre komponentëve. Në kushte të rritjes prej 2.8 përqind, rrezikojmë të mos ketë punësim të ri dhe të shtohet papunësia dhe varfëria.

NACIONALE:

Sipas FMN-së, gjatë Qeverisë tuaj ka pasur Kosova shkallën më të lartë të rritjes ekonomike. A mund të na thoni i nderuar profesor, cila është formula që prapë të kemi rritje të tillë të qëndrueshme?

ISA MUSTAFA:

Kemi punuar shumë me bizneset dhe odat e tyre, me të cilat praktikisht i kemi dizajnuar politikat ekonomike. Kemi miratuar dy pako fiskale, tepër të rëndësishme për nxitje të sektorit privat të ekonomisë. Krijuam raporte të shkëkqyera me Bankën Botërore, FMN, BERZH, Bankën Gjermane për Zhvillim, USAID, me vija shumë të volitshme kreditore dhe me asistencë programore. Çdo ditë e javë e kemi ditur se çfarë po bëjmë.

NACIONALE:

Qeveria e Kosovës së fundi ka ndërmarrë një pako ndihmash prej 100 eurosh për një numër të madh kategorish. Si ekonomist, a besoni se ishte hapi i duhur?

ISA MUSTAFA:

Të them jo, u hy në hak atyre që kanë nevojë. Por veprimi është popullist, nuk është racional, social as ekonomik. Do të duhej që me këtë shumë të nxitej punësimi në sektorin privat, që njerëzit që mund të punojnë të marrin pagë, jo ndihmë. Një pjesë tu ndahet kategorive të rrezikuara, rasteve sociale, pensionistëve.

NACIONALE:

Po flitet shumë së fundi edhe për tërheqjen e sërishme të mjeteve nga TRUST-i. A e përkrahni një nismë të tillë?

ISA MUSTAFA:

Trusti është investim individual për të ardhmen - për pleqërinë. Njerëzit sot kursejnë nga konsumi i tyre për të rezervuar mjete për pleqëri. Për kohën kur nuk kanë burime tjera të jetesës. Nëse ato mjete tërhiqen sot, njerëzve u rrezikohet standardi kur nuk do të kenë alternativë tjetër dhe burime tjera. Prandaj kjo mund të bëhet, vetëm nëse qeveria garanton rimbursimin e mjeteve që tërhiqen. Ndryshe e shoh gabim të pariparueshëm.

Tjera nga autori:
1