<b></b> Të flasësh për seks në shkollë fillore – brenda klasës së vetme ku mësohet edukata seksuale

Të flasësh për seks në shkollë fillore – brenda klasës së vetme ku mësohet edukata seksuale

07.05.2022 09:51

Në krejt shkollat e Kosovës, vetëm në një prej tyre mësohet lënda e Edukatës Seksuale. Nacionale ishte në njërën nga orët e kësaj lënde që i mësohet nxënësve të klasës së nëntë. Ora po fillon.

Është fundi i gjysëm vjetorit të parë dhe si zakonisht në këtë periudhë nxënësit janë më të zhurmshëm dhe më të dashur mes vete. Nuk do të shihen për dy javë plus që kanë përfunduar të gjitha mësimet e parapara për pjesën e parë të vitit.

Zilja e shkollës krijon një tranzicion të shpejt nga zhurma në qetësi absolute. Ne drejtohemi kah klasa ku gjenden nxënësit e klasës së IX.

Gjithsej 17 nxënës sa ishin në këtë klasë të 9-të, po prisnin që të vinte arsimtarja dhe ora të fillonte, shkruan Nacionale.

Ora u bë 11:15 dhe fiks në orar, arsimtarja e lëndës “Edukimi Seksual” në shkollën “Astrit Bytyçi”, në Ferizaj, erdhi.

Po po, arsimtarja e lëndës “Edukimi Seksual”, sepse shumë nga ju mund të thoni se autorja e ka ngatërruar lëndën, pasi lëndë të tillë nuk ka në shkollat e Kosovës. Por, ja, në qytetin e Ferizajt, një lëndë e tillë në kuadër të lëndës zgjedhore, jepet si lëndë me iniciativën e arsimtarës së Biologjisë, Sueda Jusufit, tash e 4 vjet.

Me të hyrë në klasë arsimtarja, orën e filloi si çdokund tjetër, duke pyetur se kush mungonte në klasë. Kujdestarja e ditës, tregonte rreth mungesave, dhe kjo pjesë e parë përfundoi.

Tash ishte radha tek nje aktivitet për të kuptuar se sa njohuri kanë marrë nxënësit nga kjo lëndë, pasi klasa e 9-të, po i afrohet përfundimit të shkollës fillore.

Aktiviteti filloi duke i shpërndarë letrat tek nxënësit, ku gjithsej ishin 7 pyetje. Pyetjet kishin të bëjë me “Infeksionet seksualisht të transmetueshme”. Nga gjithsej kohë 10 minuta për t’i plotësuar pyetjet, koha përfundoi.

“Hajde tash fillojmë me pyetjen e parë. Cilat janë shenjat të cilat shfaqen nësë një person ka IST(infeksion seksualisht të transmetuëshëm)?”, pyet arsimtarja.

“Kruarje, irritim dhe djegie gjatë urinimit” thotë njëri nga nxënësit. “Puqrrat” thotë një tjetër.

“Puqrrat në cilën pjesë të trupit, tek organet gjenitale apo ku” pason pyetja e arsimtares.

Pyetjet dhe përgjigjet vazhdonin ngjashëm, ku disa nga nxënësit jepnin përgjigje të sakta, e disa të tjerë përafruese. Por, e rëndësishme ishte se serioziteti tek kjo orë mësimore, e cila vazhdon të jetë tabu si temë në vend, ishte i madh nga nxënësit. Ata dëgjonin dhe përgjigjeshin si nxënës shumë të pjekur, të cilët kishin marrë leksione rreth lëndës.

Por, jo që nga fillimi ishte ky seriozitet në lëndë. Këtë vet e pranojnë nxënësit madje edhe arsimtarja.

“Në fillim na u ka dokë qesharake, qeshnim me njëri tjetrin kur shpjegohej kjo landë, por tash jemi shumë serioz në landë, sepse e shohim si të nevojshme” thotë nxënësi i kësaj klase, Nektar Halili.

“Po, iu ka dokë hajgare në orët e para. Gjatë shpjegimit qeshnin edhe shikoheshin me njani tjetrin. Por, kjo gjë më është tejkalu dhe tash është arritë serioziteti”, thotë arsimtarja e lëndës, Sueda Jusufi.

E krejt kjo ide për lëndën kishte nisur gjatë kohës sa arsimtarja e Biologjisë, Sueda, arrinte tek faqet e fundit të librit të Biologjisë, ku flitej shumë pak për edukimin seksual dhe organet gjenitale, thotë ajo.

“Kapitujt e fundit në lëndën e biologjisë ku jap mësim përfshijnë edukimin seksual dhe organet riprodhuese. Duke e vërejtur që nuk është mjaftueshëm për adoleshentët të cilët gjenden në një periudhë mjaft delikate, si dhe mund të shkojnë në rrugë të pakthyeshme, vendosa që në kuadër të mësimit zgjedhor,  të propozoj lënden “Edukimi Seksual”, ku të gjithë e përkrahen idenë” thotë ajo.

Prindërit ishin ata që e duartrokitën këtë lënde, duke i thënë arsimtarës se ne hezitojmë t’diskutojmë këto gjëra me fëmijët.

Ne si shoqëri jetën seksuale e shohim vetëm si akt seksual. Mirëpo, jeta seksuale e ka edhe një edukatë seksuale, andaj ky është qëllimi i lëndës. Çasja prind-fëmijë mungon, dhe për këtë prindërit më kanë thënë shumë ide e mirë lënda pasi që ne nuk i flasim këto gjëra me fëmijët” shton Sueda.

Pak e hiç nxënësit kishin pasur informacion rreth edukatës seksuale, të cilën ata e cilësojnë si shumë të rëndësishme. Sipas tyre ata tashmë kanë njohuri se si të veprojnë edhe në temat delikate.

Ka qenë nevojë shumë e madhe për këtë landë, se nuk kemi ditë kurgja psh për infeksionet seksualisht të transmetueshme apo si të mbrohemi nga to”, thotë nxënësi, Nektar Halili

“Pasi që jemi në kohë të adoleshencës kjo lëndë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Po na mëson gjëra që ne nuk i kemi ditë, por që edhe kemi pas turp me i folë si në familje ashtu edhe në shoqëri. Psh vet mu më ka mësu se qysh mos me pas kontakt me shumë njerëz apo si me u rujtë nga infeksionet e transmetueshme” Aulona Lipovica

Kjo lëndë në shkollën “Astrit Bytyçi” në Ferizaj, mbahet një herë në javë në klasat e 9-ta.

E për të cilën në fillim shoqëria e kishin kritikuar arsimtarën që kishte future këtë lëndë në shkollë.

Por, ajo si përfundim tha se “Paragjykimet kryesisht kanë qenë nga të paditurit, andaj nuk i kam marrë parasyshë”/Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1