<b></b> Testi PISA ka filluar, a priten rezultate më të mira të nxënësve kosovarë?

Testi PISA ka filluar, a priten rezultate më të mira të nxënësve kosovarë?

07.05.2022 08:15

Cilësia e dobët në arsim, pakënaqësitë e mësimdhënësve sa i përket pagave dhe ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura arsimore janë vetëm disa nga problemet që në vazhdimësi përballet sistemi arsimor në Kosovë.

Megjithatë, është edhe një çështje tjetër që merr kuptueshëm  vëmendjen e publikut. Sa herë që nxënësit kosovarë i nënshtrohen testit PISA, rezultatet nga ky testim i standardizuar bëhet kryetemë në Kosovë.

Në edicionin e fundit të vlerësimit ndërkombëtarë për nxënës të testit PISA, Kosova ishte renditur e parafundit. Nga 79 vende pjesëmarrëse, Kosova ishte renditur e 77, kurse në rezultetet e vitin 2016 Kosova ishte renditur e 68-ta nga 72 vende pjesëmarrëse që i janë nënshtruar vlerësimit.

Pjesëmarrja në PISA, priten rezultate jo të mira

Më 4 maj, rreth 7 mijë nxënës në Kosovë të moshës 15 vjeç i janë nënështruar këtij testi  që zgjatë deri me datë 20 të këtij muaji.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se për këtë testim janë përzgjedhur 273 shkolla në nivel vendi që do t’i nënshtrohen këtij testimi, ndërkaq rezultatet përfundimtare përfundimtare pritet të dalin në dhjetor të vitit 2023.

Testi i sivjetmë ishte paraparë të mbahej në vitin 2021, por është shtyrë për shkak të pandemisë.

Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit shprehin vështirësitë që mund të këtë ky vlerësim, marrë parasysh dy vitet e pandemisë .

"Dy vite të pandemisë ka pasur çrregullime të jashtëzakonshme në gjithë sistemin e arsimit. Mos pjesëmarrja fizike e nxënësve ka bërë të vetën po ashtu mësimi online deri diku nuk ka arritur të përmbush pritshmërit e gjithë mësimdhënësve, drejtorëve te shkollave po edhe vet ministrisë. Megjithatë, këtu testohen nxënës që kanë punuar për arritjet e tyre gjatë 9 viteve të shkollimit”, kanë deklaruar nga MASHTI.

Nxënësit do të testohen në fushën e leximit, matematikës dhe shkencave, duke plotësuar fillimisht testin që është i ndarë në dy pjesë dhe një pyetësor që zgjat rreth 35 minuta.

Organizata EdGuard ka filluar monitorimin e këtij procesi. Drejtori i këtij Instituti, Rinor Qehaja, i tha Gazetën Nacionale se monitorimi i procesit të testit PISA përfshinë intervista anonime me nxënësit pjesëmarrës.

‘‘Gjetjet fillestare tregojnë për shumë faktorë interesant rreth testimit’’, thotë Qehaja për Naconale.

Mirëpo, sipas tij, nuk pritet të ketë ndonjë performancë më të mirë në këtë test për shkak se nuk ka ndodhur ndonjë riformatim në sistemin e arsimit në Kosovë.

‘‘Statistikisht është vështirë e besueshme që të ketë një performancë më të mirë në testin PISA kur nuk ka ndonjë reformë më të thellë në cilësi të mësimdhënies. E thënë shumë drejtpërdrejtë nuk mund të ketë rezultat kur të mësuarit mekanik vazhdon të jetë trajta e vetme e të mësuarit’’, mendon Qehaja, i cili mendon që edhe pandemia Covid19 ka ndikuar në mosfunksionimin e procesit mësimor.

‘‘Pesëmbëdhjetë vjeçarët, subjekt i këtij testimi, i janë ekspozuar një cilësie jo të mirë në mësim nxënie përgjatë gjithë rrugëtimit të tyre shkollor - ky është ai dallimi që neve na bën të jemi të listuar aty ku jemi.  Dështimi në PISA duhet të kthej vëmendjen në dështim në zbatim të kurriulës. Mësimi nga distanca dhe ai online janë dëshmuar si jo shumë efikas. Mësimi online vështirë se mund të ishte më efikas në situatën që jemi me gjitha këto të meta të sistemit arsimor, përfshirë këtu mungesën e përgatitjes së mësimdhënës, mungesën e qasjes në platforma online; dhe mbi te gjitha mungesën e vetëdijesimit të komunitetit për mësimin online, pra, dështimi në efikasitet të mësimit online nuk është befasues, por rikujtues për nevojën për reforma urgjente në arsim’’, thotë tutje Qehaja.

Raportet ndërkombëtare alarmojnë për cilësinë e arsimit

Kosova ishte e alarmuar edhe nga mekanizmat tjerë ndërkombëtarë sa i përket nivelit të arsimit.

Nxënësit në Kosovë, sipas një raporti të vitit të kaluar të Bankës Botërore i cili ka matur rezultatet e kapitalit njerëzor, kanë ngecje të lartë në mësimnxënie.

Raport theksonte se kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9. Pra, sipas Bankës Botërore, fëmijët kosovarë humbin 5.3 vite gjatë shkollimit të tyre 13 vjeçar.

Ndryshe, Kosova çalon në cilësinë e arsimit edhe në krahasim me fqinjët. Nga rezultatet e testit PISA të vitit 2018, vendet fqinje kanë performuar më mirë.

E para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse në këtë test, është radhitur Serbia, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Edhe në vitin 2015, Kosova është renditur më poshtë se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia nuk ka marrë pjesë.

Programi për vlerësimin ndërkombëtarë për nxënës PISA është një vlerësim ndërkombëtar të aftësive dhe njohurive. PISA vlerëson performancën e nxënësve mbi detyrat e jetës reale që konsiderohen të rëndësishme për pjesëmarrje efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës.

Numri i vendeve që marrin pjesë në PISA është rritur nga 32 në vitin 2000 në 88 në vitin 2021 duke e bërë atë një nga studimet më të mëdha në botë në llojin e tij./Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1