<b></b> Turri për Gjermani: Të rinjtë në ikje akuzojnë Qeveritë e KS se prishën ëndrrat

Turri për Gjermani: Të rinjtë në ikje akuzojnë Qeveritë e KS se prishën ëndrrat

19.04.2022 16:42

Ka disa javë që gjatë mëngjeseve, rrugëve që më dërgojnë drejt zyrave të punës, shihja një grumbull të të rinjve, jashtë, me letra në dorë dhe duke pritur.

Thuajse çdo ditë numri i turmës shtohej. Kurreshtja mu shtua dhe mora vesh se pritja e tyre kishte të bëjë me një shpresë për të ndryshuar mënyrën e jetesës së tyre (të paktën ata e quanin kështu). E këtë ndryshim që ata prisnin ta bënin, nuk është se e dëshironin edhe aq shumë.

 Një numër të letrave në dorë, disa duke shikuar drejt vendit ku ‘’ndoshta’’ do të ‘’ndryshonte’’ jetën e tyre, e disa të tjerë të hutuar e në mendime, po prisnin të merrnin rezultatet e testit të gjuhës gjermane, në rrugën “Mujo Ulqinaku” të kryeqytetit, në një nga kurset.

Ani pse të rinjtë të cilët i intervistova dëshironin që identiteti i tyre të mos bëhej publik, kur iu drejtova me pyetjen se pse e kanë marrë vendimin për t’u larguar nga Kosova tre shokë bashkë, njëzëri thanë ’Na kanë shkatërru andrrat krejt këto qeveri’’.

Njëri nga ta, 19 vjeçar, me inicialet E.B., tha se në Kosovë nuk ka mbetë asgjë. Sipas tij, çdo qeveri që vjen punëson militantët e tyre, e të tjerëve që nuk kanë njoftësi, nuk u mbetet asgjë tjetër përveç se të kërkojnë viza pune, e të dalin jashtë vendit.

‘’Si krejt shokët e mi që jemi këtu të tretë bashkë, krejt po shkojmë për me u vlerësu ma mirë e me pasë një pagë ma të mirë. Dorën në zemër, çdo qeveri ia ka prishë andrrat të rinjve në Kosovë. Këtu defintivisht nuk ka metë sen. Çdo qeveri që vjen i shtin në punë njerëzit e vet, e tjerët që shkollohen - kurgja hiç. Për qeto as fakultet nuk kam regjistru këtu, çka me harxhu pare palidhje’’, tha ai.

E dikush tjetër edhe pse kushtet financiare nuk i ka fort të këqija, është lodhur me sistemin e punësimit ne Kosovë.

‘’Unë kam apliku për test për me shku në Gjermani, se qeto e kam pa si zgjidhje të vetme. Edhe pse me thanë të drejtën nuk është që i kam kushtet e këqija këtu. Po krejt për një jetë ma të mirë po shkojmë valla, se lehtë nuk është hiç me lanë venin ku ke lindë e je rritë. Une i kisha ba thirrje qeverisë që nisjani me vepru najsen që me ba këtë vend ma mirë se vallahi pa asnjë të ri keni me metë’’, thotë S.F. për gazetën Nacionale.

Ndërsa, një vajzë tjetër 22 vjeçare thotë se ka punuar nëpër marketet e kryeqytetit, për një rrogë e cila nuk mjafton as për ushqim.

‘’Që prej moshës 18 vjeçare punoj nëpër marketet e ndryshme këtu në Prishtinë. Beso, jam lodhë, sepse rroga jo e mirë, edhe jo trajtim i duhur i punëtorëve. Këto 250 euro që i marrsha as me hangër për një mujë nuk më dilshin, se le ma me e çu naj pare në shpi’’, u shpreh ajo.

Mundësinë për të dalë jashtë vendit me viza pune ose qoftë në mënyra të ndryshme, qytetarët po mundohen ta gjejnë në çdo cep.

Siç shihet nëpër kurset gjermane (që janë të licencuara nga ambasada Gjermane), ku mbahen edhe testet (si kusht për të shkuar në vendet Europiane), kërkesat janë të shumta.

Madje, në disa postime në rrjetet sociale, këto kurse bëjnë thirrje që të interesuarit të lajmërohen mënjëherë, pasi që ka kërkesa të mëdha, e datat mund të mbyllen shumë shpejt.

Qeveria në krye me Albin Kurtin kryeministër, nuk duket se ka synim ndalimin e largimit të njerëzve nga Kosova duke ofruar kushte më të mira dhe vende të reja pune.

Madje para disa javësh, kur flitej se shumë mjekë po largoheshin nga vendi,  zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ishte shprehur hiç i shqetësuar për ikjen e tyre.

Ai kishte thënë se mjekët ikin edhe nga Gjermania dhe vende të tjera europiane.

“Po, kanë ikë mjekët prej Kosovës, kanë ikë mjekët gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, po se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë. Do të thotë edhe prej Gjermanisë ikin mjekët dhe pastaj shtrohet nevoja që me ardhë mjekë nga Ukraina, Kosova, Italia, Polonia. Mobiliteti është vlerë e BE-së. Politikat kryesore të BE-së janë me rritë mobilitetin e fuqisë punëtore ”, kishte thënë Bislimi.

Ikja e njerëzve nga Kosova ka vite që është bërë shqetësuese.

Vetëm në dhjetor të vitit 2021 e janar të 2022-s, 105.601 qytetarë të Kosovës kishin aplikuar për vizë punë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

 

 

Tjera nga autori:
1