<b></b> A do të ndikojë greva e punëtorëve të KEDS-it në sistemin energjetik?      

A do të ndikojë greva e punëtorëve të KEDS-it në sistemin energjetik?      

14.05.2022 12:28

Pas tri grevave të pjesshme, punëtorët e KEDS-it kanë vendosur që nga 19 maj të futen në grevë të përgjithshme deri në realizimin e kërkesave të tyre për ngritje page.

Përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Pavarura të Elektrokosova (FSPE) kanë bërë me dije se deri të ky vendin kanë ardhur pasi kompania ka injoruar kërkesat e tyre.

Ata kane paralajmëruar se greva nuk do të ndërpritet deri në plotësimin e kërkesës së  tyre që është rritja e pagës prej 100 euro.

Por, njohësit e sistemit energjetik në vend kana paralajmëruar se greva e përgjithshme e punëtorëve të KEDS-it do të mund të ndikojë në sistemin e furnizimit me energjie elektrike.

Ish-ministri për Energji, Fadil Ismajli, ka thënë për gazetën Nacionale se nuk duhet injoruar greva. “Nëse ndodh kjo, gjithmonë nëse ndodh kjo, atëherë do të prekej mirëmbajtja e rrjetit të energjisë”, thotë Ismajli, duke shtuar se prishjet eventuale në rrjet do të mbeteshin të parikuperueshme, rrjedhimisht kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në furnizimin me energji elektrike në vend. 

“Distribucioni është në pronësi private, por merret me shërbime publike dhe për këtë duhet të hidhet sy në punën e tij. Besoj që momentalisht gjendja nuk është emergjente, por rregullatori e ministria përkatëse do të duhej ta shikonin prej afër se çka po ndodh. Besoj se janë duke e bërë këtë”, thotë ai.  

Sipas tij, kompania duhet t’i marrë parasysh kërkesat e punëtoreve.

“Fakti që punëtorët mbahen në punë, tregon se janë të nevojshëm për kompaninë. Distribucioni është privat dhe po të mos nevojitej numër aq i madh i punëtorëve, do t’i largonin kohë më parë”, është shprehur Ismajli. 

Ai ka insistuar se nuk duhet të bëhet panik, por që ky sektor duhet të ketë vëmendjen e duhur, pasi sektori energjetik është jetik për vendin, dhe nëse me të vërtetë punëtorët s’i shkojnë në punë KEDS-it, atëherë mund të na shfaqen probleme në furnizimin me energji elektrike.   

Ismajli po ashtu ka potencuar se greva potenciale e punëtorëve të KEDS-it do të mund t’i shkaktonte probleme edhe vetë kompanisë.

“Inkasimi, shkyçjet, faturat e këto shërbime, s’do të mund të kryheshin. Dhe kjo ndikon te [buxheti] kompania”, thotë ai. 

Me tej, Ismajli është shprehur se nuk beson se të gjithë punëtorët e KEDS-it do të futen në grevë.

Sipas tij, ajo do të jetë në llojin e grevave që bëhen në sistemin e shëndetësisë.

“Po besoj që, nëse veç realizohet, greva do të realizohet sikurse në shëndetësi; rastet emergjente do të trajtoheshin edhe këtu”, thotë ai.

Në anën tjetër, ndryshe mendojnë përfaqësuesi i sindikatës së KEDS-it.
Ahmet Mujeci, zëdhënës i Këshillit Grevist të FSPE-së, ka thënë për gazetën Nacionale se greva nuk do ta prekte sistemin energjetik në vend, e aq më pak furnizimin me energji elektrike. 

 “Pse çka ka me e ndiku [furnizimin]”, thotë Mujeci, duke vazhduar se “S’besoj se mund të ndikojë diçka në sistemin energjetik, apo interesin e shtetit”.

Sindikalisti Mujeci nuk e sheh të nevojshme që ndonjë nga insititucionet të përfshihet në mes menaxhmentit të kompanisë dhe punëtorëve.

Ai ka treguar se nuk janë takuar e as s’kanë pasur ndonjë komunikim me qeveritarët apo institucionet tjera të ndërlidhura me punën e KEDS.

“S’kemi pse me u taku”, thotë ai. 

Mujeci ka treguar në grevë janë pasi menaxhmenti refuzoi të merren vesh, edhe pse kërkesën ia shtruan qysh nga nëntori i fundit.              

“Jemi taku e ua kemi thënë kërkesën e vetme për rritje 100 euro për secilin punëtor. Kanë ofruar 30 euro rritje për një pjesë të punëtorëve. Refuzuam e dolëm nga takimi’’, thotë Mujeci, duke shtuar “menaxhmenti e di se kërkesa është e panegociushme – s’i presim më”.

Sipas tij, oferta e KEDS-it është parë nga sindikata si përçarëse, e pamjaftueshme dhe diskriminuese.

Sipas ofertës së KEDS-it, prej 2200 punëtorëve do të rriteshin pagat vetëm rreth 300 punëtorë, si dhe shuma e rritjes ishte larg asaj që donin punëtorët.   

Insistimi i sindikalistëve në rritjen e pagave ka filluar me nisjen e pandemisë dhe pasojat e shkaktuara prej saj te punëtorët e KEDS-it, si dhe me rritjen kostos së jetesës muajve të fundit pas disa krizave.  

Institucionet heshtin përball kërkesave të punëtorëve

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë(KEDS) ka vazhduar injorimin e kërkesave të punëtorëve.

Kompania KEDS nuk është përgjigjur interesimit të gaztës për këtë çështje, ani pse zëdhënësi i tyre, Viktor Buzhala, theksoi se do përgjigjet rreth grevës dhe pretendimeve të punëtorëve, e po ashtu rreth mundësisë që grevës eventuale e përgjithshme të ndikonte në furnizim me energji elektrike të vendit. 

Gazeta Nacionale ka tentuar të komunikojë edhe me Qeverinë e Kosovës, por zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, s’ka qenë i qasshëm përmes telefonit. Deri me tani kjo sindikatë për tri ditë ka mbajtur greva njëorëshe të punëtorëve të KEDS-it. Ajo është mbajtur nëpër të gjitha distriktet e KEDS-it, e po ashtu nëpër disa nëndistrikte të kompanisë.

Sindikata insiston se afër 1200 punëtorë i janë përgjigjur thirrjes për t’u futur në grevë, çka i bie mbi 50 për qind e kapaciteve njerëzore të KEDS-it.

Përplasjet në KEDS vijnë pas një krize energjetike në vend përgjatë muajve të dimrit. Krizë kjo, që tashmë ka shtrenjtuar faturat e energjisë elektrike për qytetarët./Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1