<b></b> Alarm: Rritet tepër shumë borxhi i familjeve kosovare ndaj bankave, çdo e katërta në mbingarkesë

Alarm: Rritet tepër shumë borxhi i familjeve kosovare ndaj bankave, çdo e katërta në mbingarkesë

24.05.2022 10:51

Në Kosovë kushtet aktuale të jetesës nuk i mundësojnë një pjese të madhe të kosovarëve blerjen e një banese, një veture, e nuk lejojnë as që të bëhen investime të tjera. Këto rrallëherë, e gati kurrë, nuk mund të kryhen pa kredi. Dhe huamarrja në banka e vështirëson edhe më shumë jetën e kosovarëve, pasi normat e larta të interesit nga bankat e rëndojnë edhe më shumë gjendjen.

Ani pse bankat e kanë të ndaluar që ratat e kredisë t'i lënë më të larta, bile nuk u lejohet t’i lënë as sa gjysma e të hyrave të kredimarrësve, kështu nuk po ndodh në realitet.

1.8 për qind e kosovarëve me të hyrat që kanë, nuk mund ta mbulojnë këstin e kredisë që e kanë në bankat komerciale në Kosovë, ndërkaq 3.8 për qind të qytetarëve, kredia ua merr 75 për qind deri në 100 për qind të të hyrave.

Kështu është bërë e ditur në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës [BQK] me titullin “Ngrakesa me borxh e ekonomive familjrare në Kosovë”.

Sipas këtij raporti, në fazën e parë të mbingarkesës me borxh - në rrezik për mbingarkesë ngase kësti mujor i huasë përbën 50 deri në 75 për qind të të hyrave mujore - janë 21.8 për qind të huamarrësve, pra qytetarëve.

BQK në raport tregon edhe për fazën kritike të ngarkesës me borxh, në të cilin janë 3.8 për qind e qytetarëve. Në këtë fazë, kreditë ua marrin qytetarëve 75 deri në 100 për qind të të hyrave mujore.

Rastet kur shpenzimet e kësteve të huamarrësit tejkalojnë plotësisht të hyrat mujore, përbëjnë 1.8 për qind të mostrës së huamarrësve, dhe kjo është shqetësuese.

"Kredia duhet të lejohet duke mos i ngarkuar qytetarët"

Profesori dhe njohësi i fushës së ekonomisë, Agron Hajdini, për Nacionale ka shpjeguar gjendjen me kredi, duke thënë se qytetarët nuk duhet të ngarkohen me më shumë se 1/3 e të hyrave që i posedojnë.

Kredia (huaja) duhet të lejohet duke mos e ngarkuar individin apo familjen, jo më shumë se 1/3 e të hyrave të tyre, deri maksimalisht nëse të hyrat fuzionohen si familjare (kredimarrësi dhe bashkëkredimarrësi me të hyra të rregullta deri 50%). Ndërsa te mbulimi i kredive duhet të merret kolaterali (send i lëvizshëm i cili lihet peng për periudhën e maturimit apo maturitetit të kredisë, d.m.th. deri kur përfundon kredia, e pastaj për t’u liruar paguhet një taksë nga ana e klientit dhe lirohet kolaterali)”, ka sqaruar ai.

Tutje, Hajdini ka thënë se borxhi i ekonomive familjare është duke u rritur çdo vit për shkak të interesit të lartë të bankave dhe inflacionit në vend.

Borxhi i ekonomive familjare vit për vit është duke u rritur. Ndërsa fitimi i bankave për vitin 2021 ishte afërsisht 100 milionë euro. Nëse e marrim që kemi një inflacion zyrtar rreth 11% në të gjitha produktet bazë për ekonominë familjare, kjo tregon se vetëm për 6 muajt e fundit kemi rënie të të ardhurave për këtë përqindje. Ndërsa disa prej bankave, i kanë rritur edhe shërbimet bankare”, ka thënë Hajdini.

"Gjendja sociale e popullit është e rëndë"

Ndërsa, profesori universitar, Musa Limani për Nacionalen ka vënë në pah se të ardhurat e qytetarëve shkojnë në kredi dhe kjo për shkak të pagave të ulëta dhe ngritjes së çmimeve.

Këto të dhëna (kreditë) flasin se gjendja sociale e popullatës është e rëndë. Andaj, pjesa dërmuese e të ardhurave të qytetarëve që shkon për kredi, tregon se niveli i pagave është i ulët, krahasuar me nivelin e lartë të çmimeve, veçmas të artikujve të "shportës" jetësore, përkatësisht të artikujve ekzistencialë jetësorë”, ka thënë ai.

Limani ka thënë se rritja e pagës minimale, rritja e pensioneve dhe shtesave dhe subvencioni i kredive konsumuese janë disa nga hapat që mund të bëhen për zbutjen e borxhit të ekonomive familjare.

“Së pari, për zbutjen e kësaj situate, Qeveria duhet të rris pagat nominale dhe pagën minimale, pensionet dhe shtesat sociale. Së dyti, të ulë ngarkesat me politikë fiskale të artikujve kryesorë ushqimorë dhe së treti, të subvencionojë kreditë konsumuese” – propozoi ai.

Por, ai ka edhe shpjegime të tjera.

Kjo situatë e marrjes së kredive, është nevojë e domosdoshme, por [e cila] e ngarkon buxhetin familjar, i cili edhe ashtu, është i vogël. Kreditë konsumuese, bankat komerciale i akordojnë me normë interrsi 6,5%. Andaj, me marrjen e kredive konsumuese, dukshëm zvogëlohet xhepi i qytetarëve, dhe në ketë mënyrë vihet deri të rritja e varfërisë dhe problemeve sociale, në një anë, dhe, ulja e standardit jetësor të popullatës në Kosovë, në anën tjetër.

Profiti neto i bankave komerciale në Kosovë ka shkuar në 30.7 milionë euro për vetëm tre muaj operim për këtë vit.

Depozitat e qytetarëve në sektorin financiar në vend në këtë tremujor u regjistruan në një vlerë prej 4 miliardë e 745 milionë e 7 mijë euro.

Teksa vlera e kredive të dhëna nga bankat arriti në 3 miliardë e 930 milionë euro.

“Sa euro në muaj besoni se do të ishin të mjaftueshme që një familje të jetojë normalisht?”, është pyetja e së hënës në grupin e Nacionales në Viber.

Deri më tani janë përgjigjur 1 mijë e 733 anëtarë të grupit.

Sipas votave deri më tani, 43 për qind e qytetarëve thonë se 1 mijë e 500 euro do t’u mjaftonin në muaj teksa 1 mijë euro janë 21 për qind e votave dhe 9 për qind mendojnë që mund të kalojnë mirë muajin me 750 euro në muaj.

Ndërsa 1 për qind e qytetarve besojnë se me 500 euro mund t’ia dalësh përgjatë një muaji.

Kujtojmë se paga minimale në Kosovë vazhdon të jetë 170 për persona mbi 35 vjeç ndërsa për ata nën moshën 35, paga minimale është 130 euro.

Për t’i parë rezultatet e këtij pyetësori dhe për t’u bërë pjesë e grupit të Nacionales në Viber, klikoni KËTU.

Tjera nga autori:
1