<b></b> Albin Kurti përsëri mungoi në Paradën e Krenarisë, kishte takim me atë që mori pjesë në Paradë

Albin Kurti përsëri mungoi në Paradën e Krenarisë, kishte takim me atë që mori pjesë në Paradë

09.06.2022 13:44

Shkruan: Besnik Kallaba

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëri nuk ‘gjeti kohë’ të merrte pjesë në Paradën e Krenarisë. Dhe përsëri, ekzistojnë arsyetimet e vartësve të tij për një gjë të tillë.

Parada e Krenarisë e elektrizoi Prishtinën edhe më shumë se viteve të kaluara.

Kësaj here në paradë mori pjesë edhe shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila. E krahas saj ishin edhe disa deputetë të kësaj partie, përfshirë Dimal Bashën dhe Fitore Pacollin.

Në anën tjetër, kishte edhe ministra të Qeverisë Kurti II që ishin të pranishëm. Aty u panë Hajrulla Çeku, Arbërie Nagavci dhe Artane Rizvanolli.

Por, jo edhe shefi i të gjithë personazheve të lartpërmendura, Albin Kurti.

Kurti në kurth

Të gjithë ata që nuk e dinë, duhet ta dinë: Albin Kurti është në Kosovë. Kryeministri i vendit është kthyer pas vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar ku dha disa ligjërata.

Por, ai dështoi të jepte ligjëratë emancipimi në Paradë.

Në mënyrë që të mos merrte pjesë në Paradë, z. Kurti shkoi në zyret e Eulex-it për ta takuar shefin e zyrës, z. Thomas Szunyog, ku ndau mirënjohje për policë të xhandarmërisë së këtij institucioni. Kujtojmë po ashtu, se raportet e kryeminisrit me Eulex-in, një herë e një kohë kishin qenë mjaft të tensionuara.

Kurti kishte qenë i ashpër ndaj këtij misioni të BE-së duke hedhur edhe një numër të madh akuzash drejt tyre për procese politike e gjyqësore nëpër të cilat kishte kaluar Kosova. Por, ajo që rëndon situatën e kryeministrit është se z. Szunyog ishte pjesë e paradës së Krenarisë, çka e bën arsyetimin e z. Kurti të pabesueshëm. 

Kodi Civil

Kryeministri Kurti ka qenë mbështetës i Projekt-kodit të ri civil që ishte prezantuar gjatë muajit mars e në të cilin i hapej rrugë bashkëjetesave mes personave të seksit të njëjtë (bashkësive të regjistruara civile).

Vazhdimisht është raportuar për rikthimin e projekt-kodit civil me ndryshime në Kuvendin e Kosovës, por kjo deri tash nuk ka ndodhur.

Si datë e përmendur ka qenë edhe dita e sotme, 9 qershori, por duket se do të ketë shtyrje të reja.

Vetëvendosje është kritikuar ashpër për tolerancën që ka pasur ndaj gjuhës dhe qëndrimeve homofobe të shumë prej deputetëve të saj, të ekspozuar gjatë seancës për projekt-Kodin.

Por, Kurti është kritikuar vazhdimisht për hipokrizi për shkak se qëndrimet e tij liberale i ka shfaqur në platformën e rrjetit social Twitter, ndërsa qëndrimet e tij konservatore në rrjetin social Facebook.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, i bëri thirrje kryeministrit që “të mos frikësohet nga dashuria”.

Në Paradën e sotme, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili ndër tjera shpalosi edhe zotimin për strehimoren për pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ.

Tjera nga autori:
1