<b></b> Apeli rrëzon ankesën e ZRRE-së, pezullohet shtrenjtimi i çmimit të rrymës

Apeli rrëzon ankesën e ZRRE-së, pezullohet shtrenjtimi i çmimit të rrymës

18.05.2022 14:08

Vendimi i muajit shkurt me të cilin u shtrenjtua çmimi i rrymës nga ZRRE-ja, do të pezullohet. Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, një vendim të tillë e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.

Apeli e ka refuzuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për vendimin e Themelores, e cila i kishte vënë masë të përkohshme shtrenjtimit të çmimit të energjisë.

Gazeta Nacionale ka mësuar se vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë dje më datë 17 maj, përderisa palët e përfshira ende nuk e kanë pranuar.

Se vendimin nuk e kanë marrë ende, e ka konfirmuar për gazetën Nacionale, Petrit Pepaj, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

“Ende nuk e kemi marrë vendimin e Apelit”, ka thënë shkurt Pepaj.

Ankesën për çmimin e rrymës e kishte bërë Partia Demokratike e Kosovës, e cila gjithashtu kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj ZRRE-së, që nuk po e zbaton vendimin.

Çfarë ndodhi?

Vendimi i muajit shkurt nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për rritjen e tarifave të rrymës, do të bllokohet përkohësisht. Kështu kishte vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila i ka vënë masë të përkohshme zbatimit të këtij vendimi. Kjo pas ankesës në muajin mars që e kishte bërë Partia Demokratike e Kosovës.

Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë kishte hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Sipas vendimit, të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë në muaj, do të kishin çmim më të lartë të rrymës, ngase kishin më herët. Vendim i cili ishte kundërshtuar ashpër nga partitë politike, shoqëria civile e qytetarët, të cilët kishin dalë edhe në protesta, madje në numër mjaft të madh. Për rritjen e tarifave të rrymës, partitë në opozitë tashmë kanë siguruar 40 nënshkrime, për të krijuar një komision hetimor.

I gjithë procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.

Kështu, më 9 prill, Gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe këtë në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati deklaruar se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.

ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.

Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.

Tjera nga autori:
1