Avdullahu pa laring e Avdiu me një mal ilaçesh rrëfejnë ferrin e të jetuarit me ajrin e Obiliqit - NACIONALE

Avdullahu pa laring e Avdiu me një mal ilaçesh rrëfejnë ferrin e të jetuarit me ajrin e Obiliqit

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

“Më keni lodhë ju gazetarët. Që disa herë keni ardhë. Kurgjo s’po rregullohet në këtë vend”. Kjo ishte fjalia e parë pas përshëndetjes që na e dha Avdullah Selimi i cili ka dekada që jeton në fshatin Dardhishtë të Obiliqit. Në fakt, fjalia e tij ka shumë kuptim e jep shumë të drejtë. Asgjë s’po rregullohet me ajrin në Obiliq.

Në shtëpinë ku i kanë jetuar babë e babëgjysh, jetesa për z. Avdullah nuk ka qenë hiç e lehtë. E as pleqërinë s’po e kalon më mirë. Me probleme të shumta shëndetësore ky i moshuar po ballafaqohet tash e një kohë.

E kryefjala për këto probleme të këtij banori e mijëra të tjerëve, ka vetëm një emër: KEK.

Të mbesim pak tek i moshuari Avdullah Selimi

Gjatë bisedës me të, na tregoi se për më shumë se 30 vjet ka punuar edhe vetë në KEK. Punës aty thotë se më shumë se sa hairin ia pa sherrin. I mbështetur te një lis i vogël para shtëpisë së tij, ai rrëfen për jetën.

“E kam çu një jetë duke punu. Ditë e natë këtu, në k’to çyngat prapa meje... Po edhe probleme me shëndetin kom boll. Krejt më kanë ardhë si pasojë e qetij ajri”, thotë Selimi.

Në ajrin e ndotur të Obilqit ai bashkë me familjen jetojnë që një kohë të gjatë. Por që nga viti 2001 Avdullahu ka probleme e vështirësi në të folur. Kjo pas një operimi të cilin thotë që e ka bërë.

“E kam heq krejt laringun. Ajri ma ka ba... ajri krejt këtë punë. Unë ma herët kam punu në KEK. Kërkush, bash kërkush s'ka ardhë me më ndihmu e me u interesu për mu përgjatë këtyre viteve. As një ditë, as një minutë, as një sekond, askush nuk ka ardhë me na pa neve këtu”, thotë Avdullah Selimi.

Dëshmitë që tregojnë për ‘krimin’ në Obiliq për të cilin askush s’jep përgjegjësi

Duke ecur në fshatrat përreth blloqeve të KEK-ut në Obiliq, lehtësisht mund të shihet ‘krimi’ që i bëhet ambientit të zonës.

Nuk të duhet shumë për ta parë gjendjen. Veç një nuhatje ose një shikim në qeramidhet e shtëpive të fshatit Dardhishtë, tregon për pluhurin që çdo ditë e thithin banorët e asaj zone.

“Jetojmë këtu në fshat. Jeta këtu është normale, por ambientin këtu ne e kemi shumë të ndotur. Për fshatin ndoshta, në nivel vendi, është më i ndoturi nga ambienti”, thotë Avdi Gërguri i cili që 37 vjet punon në KEK.

Avdiu na pranoi në shtëpinë e tij, por para se të uleshim në tavolinën që gjendej në oborrin e tij, tha se do të na i sillte disa dëshmi për pasojat e ajrit të ndotur.

Në një qese jo të vogël të plastikës, Avdiu na i solli ilaçet të cilat thotë se ka pak ditë qe i merr pas përkeqësimit të shëndetit. Saktësisht mushkëritë e tij janë ‘sakatuar’ nga ajri i ndotur.

“Krejt këto ilaçe m’i ka përshkru mjeku si pasojë e vështirësive në frymëmarrje. Shumë i randë ajri këtu. Shumë vështirë me jetu në këtë ambient e me i rritë fëmijët tanë. Unë para 13 viteve jam shtri në spital të mushkërive. Tre muaj kam qëndru si pasojë e ajrit. Por para dy muajve prapë m'u shfaqën problemet shëndetësore”, rrëfen Gërguri për Nacionalen.

Ajri po ua sjellë kancerin banorëve të Obiliqit

Një banor i Obliqit dhe zonave përreth tij, pesë herë në vit kontrollohet te mjeku si pasojë e ndërlikimeve shëndetësore.

Kështu po pohon Haki Jashari, drejtor i QKMF-së, Obiliq.

Ai ngre po ashtu alarmin edhe sa i përket shfaqjes së kancerit te banorët e disa fshatrave në Obiliq.

“Sa i përket përqindjes së shprehur të sëmundjes së kancerit, është diku 25-30% më e madhe se në komunat tjera, ngjashëm është edhe për sëmundjet respiratore. Në të dhënat që i kemi diku para 2-3 vjetësh, janë diku 35 raste brenda viti”, thotë Jashari.

Doktori shpjegon edhe për pasojat e ajrit të ndotur në shëndetin e banorëve të asaj zone.

“Dardhishta është në oborrin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Transportimi i hirit, shiritat e ndotja, e ndotin shumë ambientin. Është shumë shqetësues ndikimi i fenolit në disa prrocka që ndodhen atje. Shkenca thotë se në 80 për qind të rasteve kanceri vjen si pasojë e ndotjes së ajrit, tokës dhe të ujit”, thotë doktori.

Ai jep edhe një të dhënë të frikshme sa i përket kancerit në komunën ku ai punon.

“Komuna e Obiliqit zë vendin e parë në Kosovë sa i përket rasteve me kancer duke e marrë parasysh numrin e banorëve. Diku 25-30 për qind të qytetarëve që na vijnë këtu për trajtim, janë raste me kancer. Por në vitet e fundit është një tendencë e rritjeve të rasteve kardiovarkulare. Numri i pacientëve që faktikisht si pasojë e ndotjes së ambientit kërkonë ndihmë dhe shtrihen në QKUK hyjnë në kuadrin e mesit të komunave. Një qytetar i Obiliqit pesë herë brenda vitit kërkon ndihmë mjekësore si pasojë e ndotjes së ajrit”, rrëfen doktori për Nacionalen.

Çka thotë programi i Qeverisë për mbrojtjen e ambientit?

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka lëvizur paksa në këtë drejtim. Kuvendi ka kaluar në lexim të parë Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.

“Përmirësimi i cilësisë së ajrit; Do të angazhohemi për përmirësimin e ajrit dhe resurseve natyrore nëpërmjet kompletimit të kornizës ligjore dhe rishikimit të kornizës strategjike. Me qëllim të ndërmarrjes së masave kundër ndotjes, do të bëjmë vlerësime për identifikimin e burimeve të ndotjes së ajrit për gjithë territorin e vendit. Po ashtu, do të plotësojmë kornizën strategjike me miratimin e Strategjisë për Zhvillim të Qëndrueshëm Mjedisor. Për adresimin e ndotjes së ajrit në zona të caktuara, do të hartojmë masat e kontrollit të ajrit për Prishtinën, për zonat tjera të rëndësishme të anglomerateve dhe për zonat të ndjeshme”, thuhet në planprogramin e Qeverisë.

Ndërkaq, Kurti, gjatë një seance në Kuvend ka treguar që filterat do të instalohen në termocentral pasi të jenë instaluar bojlerat, ndërsa rëndësia e filtrimit të tymit të termocentralit është jetike. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme