Çmimet e lira, fjalët e Lumirit të vërteta: Dëshmi të forta nga Pazari i Gjelbër në Prishtinë - NACIONALE

Çmimet e lira, fjalët e Lumirit të vërteta: Dëshmi të forta nga Pazari i Gjelbër në Prishtinë

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Sot në Kuvendin e Kosovës do të kishte seancë mbi rritjen e çmimeve. Duke e ditur se televizori në zyrë do të rrinte ndezur, e diskutimet e deputetëve do të më shkonin nerva, ika menjëherë për te tregu i gjelbër që të lidhesha më përmbajtësisht me temën. A ishte e vërtetë se ulja e akcizës do të ulte edhe çmimet që po na varfërojnë? Tregu që s’i nënshtrohej akcizës, e që dominohet nga informaliteti, përbën lëndë të mirë informimi.

Çmimet e produkteve ushqimore nuk kanë nevojë shumë për dokumentim brenda këtij artikulli, për t’jua nënvizuar qytetarëve atë është “krizë ekonomik” e jo “zhvillim ekonomik” siç po e quan kryeministri ynë, i nderuari Albin Kurti.

Cili ishte disponimi i tregtarëve dhe myshterinjëve të tyre në tregun e gjelbër?

Trupin e mbaja drejt duke ecur, por kokën sa në të majtë sa në të djathtë për të kuptuar çkado që mund të kuptoja me të shikuar. U ndala në tezgën më të afërt për të mësuar më shumë nga shitësi.

"Njejtë si gjithë valla", tha ai derisa po i thoshte "80 cent" një konsumatoreje që po interesohej për çmimin e domateve "jabuqar". Me një sjellje koke, ajo eci duke humbur interesimin. "A po të doket shtrenjtë?" e pyeta në kalim e sipër, për të marrë përgjigjen. "Phaj, lirë s’u metë kurrgjë ma".

Qepë kishte me bollëk, dhe po i mbante me një çmim "1 euro thesi", për befasinë time si person që frekuenton vazhdimisht qendrat e mëdha tregtre për blerje ushqimore, ku çmimi prej 1 eurove të një thesi të diçkaje do të ishte "muzikë për veshët" e mi, e parajsë për sytë e mi.

Një tezgë më poshtë, gjeta Flamurin, një shitës të kahmotshëm të tregut.

"Mirë o’ puna, kurrë ma mirë nuk u konë," - tha ai kur e pyeta nëse ka rënë konsumi për shkak të çmimeve të larta.

"Une Gjermaninë e la për Kosovë. Nuk ka kurrkun në botë kështu. Në Gjermani hin shteti ortak me ty, t'i merr krejt. Rrnoftë Albin Kurti!" - tha ai qartazi duke iu referuar faktit se tregtarët aty nuk paguajnë taksa fare ndaj shtetit.

Çuditërisht, ankesat ishin të vogla ose s’ekzistonin fare nga konsumatorët të cilët nuk rreshtnin së shikuari mallërat, duke reaguar me mohim ndaj çdo pyetjeje time për shtrenjtim të çmimeve.

Ishte e vështirë t'i fajësoje realisht. Çmimet ishin aq të ulëta, sa tash edhe unë kisha filluar të mendoja të kapja një qese e ta mbushja me gjësende. 50 centë kushtonte një thes me tranguj, imagjinoni. Sa herë shikoja çmimet e produkteve, mendoja për çmimin tre-katërfish më të lartë të cilin e paguaj në markete të ndryshme për të njëjtin produkt.

Nëse do të gjykoje vetëm nga shitësit dhe qasja e tyre, absolutisht nuk do të mund të vërenit asgjë nga "kriza" për të cilën po flitej në kulturën urbane. Pothuajse askush nuk u ankua për ngritjen e tyre.

Edhe konsumatorët pajtoheshin me shitësit në këtë aspekt

"Me çmime na jemi të kënaqur, në pension jemi,"- tha Shaipi duke iu referuar çmimeve të tregut në fjalë, i cili ishte perfekt për audiencën e të tillëve si ai, në pension, për të blerë gjësende me çmime që nuk mund t'i gjeje askund tjetër.

"Pak mu ka varfëru sofra (prej rritjes së çmimeve), amo jo qaq shumë", tha ai si frekuentues i rregullt i Tregut. Natyrisht, jeta dukej se do të lehtësohej dukshëm nëse një vend me çmime të tilla do të ishte afër vendbanimit tuaj. Bekim në vete.

Speca, domate, e tranguj të freskët me çmime që dallonin absolutisht si nata me ditë nga ato në qendra të mëdha tregtare.

Ankesa kryesore e Shaipit dhe gruas së tij ishte tek ilaçet të cilat ata insistonin se janë shtrenjtuar jashtëzakonisht shumë.

Ecja nëpër treg vazhdonte dhe isha më se i lumtur të flisja me një shtyrës karroce që qëndronte aty, në pritje se mos ndonjë qytetar po fiksohej nga ato çmime të lira për të blerë më shumë se që mund të bartte vet.

"Sa kushton turra?" e pyeta shtyrësin e karrocave. "Sa të duash tha. 50 cent. Nëse e ki ma larg shkon deri në dy euro", tha ai.

Ankesat ishin zero kur e pyeta "a po ka punë?" Njeriu po qëndronte në diell të thatë në mes të tregut, dhe shprehej tejet i kënaqur me atë që po i servohej nga jeta profesionale.

"Po, nuk osht keq. Nuk bën me u anku. Kapak ka ra puna, po apet mirë", u shpreh ai, derisa po më jepte një kajsi nga karroca në shenjë respekti.

Isha i lumtur kur erdha në zyrë më vonë të dëgjoja Lumir Abdixhikun në foltoren e Kuvendit, duke i kushtuar disa sekondat shtyrësve të karrocave, derisa kërkoi që të "flitej më shumë për qëta njerëz".

Visarin e takuam pasi u futëm në pjesën e tregut të mbyllur. Po shiste piper, badem, arra e gjëra të tilla.

“A kanë ndiku çmimet në uljen e konsumit?”- e pyeta,për të marrë konfirmimin nga ajo që po shihej edhe në praktikë. "Valla, te na s'kanë ndërru sen sa i përket çmimeve.

"Njerëzit po ankohën në marketa, te na s'kanë çka. Qershori ka rënë dukshëm. Këtë muj s'di çka u ba, veç ka ra shumë".

Të njëjtin qëndrim me Visarin e kishte edhe homologu i tij disa tezga më lart, i cili u shpreh:

"Shumë ka ra në qershor. Poget po shkojnë gjinja nëpër pushime", tha ai.

"Në shitore jon hypë çmimet, këtu veç po zbresin".

Ishte koha të largohesha pasi dielli përvëlues kishte filluar të shkaktonte probleme koncentrimi, për befasinë time që po i shikoja punonjësit aty që nuk dukej se e kishin shumë problem atë pjesë.

Në largim e sipër e kishta të vështirë t’ia lidhja kokën krejt situatës, me tregun që dukej sikur një tokë e premtuar ku gjithçka dhe çdo gjë e freskët vinte me çmim të lirë, në kontrast me pjesën tjetër të botës ku funksionin bizneset oligarke, e që nuk gjeje e nuk gjen gjë tjetër veç ankesave, frustrimit e dëshpërimit gjeneral si pasojë e çmimeve të ngritura.

Kjo tregon se fjalët e Abdixhikut në Kuvend ishin të vërteta. Ulja e akcizës për produktet bazë – siç kishte premtuar vetë Albin Kurti dikur – do të ulte edhe çmimet e këtyre produkteve. E ne, kemi nevojë për një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme