<b></b> Çmimi i naftës në Kosovë po shkon drejt 2 euro litri, por një tjetër rrezik e paralajmërojnë naftëtarët

Çmimi i naftës në Kosovë po shkon drejt 2 euro litri, por një tjetër rrezik e paralajmërojnë naftëtarët

08.06.2022 15:28

1.82 euro është çmimi i ri i litrës së naftës sot në Kosovën ku paga minimale është 170 euro. Ky çmim pësoi ndryshim ditëve të fundit, me arsyen se në tregun ndërkombëtar ka rritje të çmimeve.

Por, përveç këtij çmimi shqetësues për qytetarët e Kosovës, pompat e derivateve kanë edhe një shqetësim shtesë. Të njëjtit thanë për gazetën Nacionale se Kosova mund të mbetet pa naftë, brenda javës, nësë ndërpritet furnizimi nga jashtë.

Menaxheri i “Italian Petrol”, Zekim Istogu, thotë se kanë kufizime në marrjen e naftës nga Shqipëria dhe Greqia, ditëve të fundit.

Arsyeja e ngritjes së çmimeve është nga tregu ndërkombëtar. Ditëve të fundit ka pasë rritje të vazhdueshme. Kulmi i kësaj ka qenë të hënën, kur është rritë për 74 dollarë, që i bie rreth 7 centë brenda një dite. Kjo ka ndodhë në krejt historinë e pllacit, me u rritë çmimi kështu veç 3, 4 herë”, thotë Zekim Istogu, menaxher i operativës në IP.

Istogu shton se një vendim i BE-së për ndalimin e furnizimit me naftë nga Rusia, ka bërë që vendet nga të cilat furnizohet Kosova me naftë, të sjellin kufizime në litrat që mund të blejnë kompanitë.

“Furnizimin e kemi kryesisht nga porti i Durrësit dhe nga Greqia. Telashe kemi sepse ka kufizime, bile mundet me pasë rrezik për me pasë shkurtime në furnizim në 10-ditëshin që vjen, sepse ka mungesë në rajon. Me Greqinë ka pasë pengesa, s’na kanë dhanë sa kemi kërku, sepse ëshë një vendim i BE-së që ka vendosë me i ndalu furnizimet me naftë nga Rusia. Ne vazhdimisht i paralajmërojmë që kështu do të jetë, vështirësi, sepse s’kemi rezerva. Kosova mundet me mbetë pa naftë brenda javës nësë ndërpritet furnizimi nga jashtë”, tha menaxheri Istogu.

Por, përveç kësaj kompanie të derivateve, edhe të tjerat thonë se ky çmim është rritur si shkak i tregut ndërkombëtar. Madje sipas tyre, edhe pjesa e furnizimit me naftë ka filluar të bëhet shqetësuese për ta.

Çmimi dmth qysh bëhet në tregun ndërkombëtar natyrisht që ndryshon edhe tek ne, sepse ne jemi veç akter i vogël që e blejmë naftën qaq sa e shesin tregu ndërkombëtar. Furnizimi ka fillu me u ba shqetësim për neve sepse vendet e rajonit kanë fillu me na ba kufizime në sasinë që e blejmë”, thotë një pronar i një kompanie tjetër që dëshiron të mbetet anonim.

Shoqata e Naftëtarëve nuk janë përgjigjur në thirrjet e gazetës sonë, për të sjellë informacione rreth këtyre çmimeve.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, kishte thënë në një intervistë në Klan Kosova mbrëmë, se nga sot do të ketë rënie të çmimeve.

Pritet që nga sot të jetë një rënie e lehtë, kështu që kjo ngritje nuk është duke ndodhur vetëm në Kosovë. I lus qytetarët që të shfrytëzojnë transportin publik dhe të mos shfrytëzojnë pa arsye veturat e tyre”, ishte shprehur Bernjani.

Njohësi i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë për gazetën se Kosova për të tejkaluar sadopak këtë krizë, duhet të marrë shembuj nga vendet e tjera të rajonit, pasi të njëjtat kanë zbutur ngarkesën fiskale në naftën e importuar.

“E dimë që Kosova nuk disponon rezerva, e ky çmim është tejet i lartë, i papërballueshëm për jetën ekonomike të qytetarëve. Kjo e rrezikon edhe më tej jetën ekonomike dhe sociale në Kosovë.

Duke i shikuar përvojat në vendet e rajonit që kanë bërë përpjekje që ta stabilizojnë këtë rritje. Këto vende kanë luajtur me zbutjen e ngarkesave fiskale në naftën e importuar. Dhe kjo disi e ka ulë çmimin”, thotë Sadiku.

Ai tutje shton se shteti duhet të ndërmarrë aksione dhe vendime në kuptimin e mbrojtjes së qytetarëve.

Ministria e Tregtisë ka dalur me një njoftim, ku kanë thënë se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.

"MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”, thuhet në njoftim.

Heqja e akcizës ishte parë si zgjidhje për stabilizimin e ngritjes së çmimit të naftës para disa muaje. Por, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk kishte pohuar se do të aplikojnë një gjë të tillë.

Tjera nga autori:
1