DKA në Pejë mohon diskriminimin e fëmijëve minoritarë: Keqkuptim, nxënësit s’ishin pjesë e programit - NACIONALE

DKA në Pejë mohon diskriminimin e fëmijëve minoritarë: Keqkuptim, nxënësit s’ishin pjesë e programit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Diskriminimi racor si fenomen në shoqërinë tonë u bë temë diskutimi dje për shkak se disa nxënës minoritarë u lanë anash gjatë Festës së Abetares në Pejë. Ama, DKA-ja e Pejës thotë se pati keqkuptim, ndërkohë që i mohon akuzat për diskriminim racor.

Të ndarë nga nxënësit e tjerë në një festë të abetares, ishin disa nxënës të komuniteteve minoritare, të cilët bënë që të ketë reagime nga eksponentë publikë për mënyrën se si u diskriminuan.

Por, raportimet e mediave, përveç drejtorit të shkollës “Xhemajl Kada”, po i mohojnë edhe nga drejtoria e Arsimit në Pejë.

Drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega, tha për Nacionalen se e gjithë kjo ka qenë keqkuptim andaj deri tani sipas tij nuk është hasur në ndonjë shkelje për të marrë ndonjë masë disiplinore ndaj stafit në shkollë.

Ka qenë një keqkuptim, ata fëmijë kanë ardhur me pa programin edhe pse s’kanë qenë të klasës së festës së Abetares, sepse janë më të rritur diku 8-9-10 vjeç. Mësuesja në fjalë është e respektuar, por me dëshirën e fëmijëve i ka marrë në sallë, madje disa orë me vonesë. Fëmijët janë vendosur në pjesën ku atyre iu ka dokë më së miri”, tha Gegaj për Nacionalen.

Akuzat ngjashëm i kishte mohuar edhe drejtori i shkollës “Xhemajl Kada”. Madje i njëjti tha se hiç nuk është i kënaqur me punën e mediave që kanë raportuar mbrëmë për rastin.

“Ai komunitet prej 10 nxënësish kanë shprehur vullnet me ardhë me pa programin. Ata nuk janë bashkëmoshatarë të klasës së parë. Kanë shprehë vullnet me ardhë me pa programin dhe janë sistemu aty. Ne jemi ata që çmos jemi duke bërë për komunitetet. Ata fëmijë nuk janë 6-7 vjeçarë, janë diku 8, 9 e 10 vjeçarë. Mësuesja i ka marrë dhe i ka sistemuar me lejen time. Janë të klasës së dytë, të tretë dhe të katërt”, u shpreh ai në Kanal 10.

E çfarëdo arsye të ketë qenë ndarja e fëmijëve minoritarë në këtë festë, Këshilli i Prindërve e cilëson për keqardhje.

“Pamje të tilla nuk duhen toleruar asnjëherë! Si Këshill i Prindërve të Kosovës i shprehim sinqerisht keqardhjen, por edhe mbështetjen tonë, fëmijëve të diskriminuar, familjeve të tyre dhe gjithë atyre që natyrshëm janë prekur nga një akt i tillë! Kërkimfalja dhe marrja e përgjegjësisë nga institucionet përgjegjëse janë vendim i duhur në këtë rast”, thonë nga Këshilli i Prindërve.

Anipse pjesëmarrës në këtë festë kishte qenë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pas festës e njëjta kishte reaguar duke thënë se dënon çdo formë diskriminimi.

Këtë rast që bie ndesh me organizimin gjithëpërfshirës, do ta shqyrtojmë me prioritet që nesër, me DKA-në e Pejës.

“Parimi i mosdiskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet.

Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t'i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të jetës!”, kishte shkruar Nagavci.

Gjatë ditës së djeshme, shkolla “Xhemajl Kada” kishte organizuar festën e Abetares me nxënësit e klasës së parë. Por, ajo që kishte marrë vëmendjen kishte qenë ulja e nxënësve të komuniteteve minoritare në një vend krejt tjetër krahasuar me nxënësit pjesëmarrës.

Lajme të ngjashme