<b></b> Dhunë edhe në familjen e policëve në Pejë: Polici rrahu keq të dashurën police, suspendohet nga Inspektorati

Dhunë edhe në familjen e policëve në Pejë: Polici rrahu keq të dashurën police, suspendohet nga Inspektorati

16.05.2022 12:07

Një zyrtar policor dyshohet se e ka rrahur të dashurën e tij (zyrtare policore), të dielen jashtë orarit të punës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Inspektorati Policor i Kosovës e ka arrestuar të dyshuarin, teksa viktima është liruar pas trajtimit mjekësor.

Zyrtari policor me gardën e rreshterit në stacionin e Policisë Rajonale të Pejës është arrestuar dhe suspenduar nga puna pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”.

Kështu ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës, duke thënë se rreshteri i arrestuar e ka rrahur kolegen (zyrtare policore) e tij jashtë orarit të punës.

“IPK arreston një zyrtar policor të dyshuar për lëndim të rëndë trupor dhe kanosje. Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor në Pejë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”. Informacionet e para hetuesit e IPK-së lidhur me këtë rast i kishin pranuar nga Policia e Kosovës në Pejë se një zyrtar policor (me gradën e rreshterit) jashtë detyrës zyrtare është i përfshirë si i dyshuar në një rast të lëndimit të rëndë trupor. Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorin kujdestar kanë ndërmarrë disa veprime hetimore, kurse viktima (zyrtare policore) është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Po ashtu, IPK bën të ditur se rreshterit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, si dhe është suspenduar nga puna.

“Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, përfundon njoftimi i IPK-së.

Në anë tjetër, Zëdhënësi i Prokurorisë Themelorë të Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se ndaj rreshterit Prokuroria do të marrë vendim gjatë ditës.

Sipas përgjigjes së Prokurorisë së Pejës, rreshterit të arrestuar mund t’i caktohet masa e paraburgimit ose arrest shtëpiak.

“Gjatë ditës, Prokurori i Shtetit do të bëjë kërkesën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale”, ka thënë Nikçi për Nacionale.

Cila është gjendja shëndetësore e viktimës?

Shefi i Emergjencës në Spitalin e Pejës, Besnik Ibraj, për Nacionale ka konfirmuar se zyrtarja policore ka pasur lëndime në fytyrë dhe në trup.

Ibraj po ashtu bëri të ditur se ajo pas trajtimit mjekësor është liruar për në shtëpi.

“Është jashtë rrezikut për jetë. Lëndime hematoma për shkak të goditjeve në fytyrë, në trup. Pacientja është liruar pas trajtimit”, ka thënë ai.

Ndërkohë, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, ky rast i rrahjes nuk është lajmëruar fare.

Tjera nga autori:
1