E themeluar në baza vullnetare që nga viti 2008, Shoqata ka arritur që t’i sjellë Kosovës dhjetëra suksese në garat ndërkombëtare në fushën e matematikës.

<b>Gjenitë e Kosovës, </b> matematikanët e rinj përgatiten për Olimpiadën në Oslo

Gjenitë e Kosovës, matematikanët e rinj përgatiten për Olimpiadën në Oslo

18.05.2022 19:31

Në periferi të Prishtinës, në një klasë të thjeshtë, Valmir Krasniqi, koordinator në Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, po u ligjëron për matematikën gjashtë nxënës të shkollave të mesme të Kosovës. Ai është njëri nga drejtuesit në Shoqatën e Matematikanëve, e cila për nga sukseset është ndër organizatat më prestigjioze në vend për fushën e dijës.

E themeluar në baza vullnetare që nga viti 2008, Shoqata ka arritur që t’i sjellë Kosovës dhjetëra suksese në garat ndërkombëtare në fushën e matematikës, siç janë çmimet në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës. 

Të thelluar në zgjidhjen e detyrave komplekse të matematikës, ata gati nuk e vërejnë prezencën time dhe të fotografit të Nacionales, Valdrin Xhemajt.

Gjashtë nxënësve, që janë më të mirët e Kosovës në këtë fushë, u ka mbetur edhe pak kohë për t’u përgatitur për garën e ardhshme. Olimpiada Ndërkombëtare e Matematikës, që do të mbahet në Oslo të Norvegjisë, është gara më e rëndësishme në kalendarin e Shoqatës.

“Këta janë gjashtë nxënësit më të mirë, me potencialin më të madh që ka Kosova”, thotë i bindur Krasniqi.

Pa filluar mirë biseda, e pyes se çfarë është matematika për të dhe pse në Kosovë kjo lëndë është e ‘glorifikuar’.

“Mendoj që matematika është filozofi, pra është filozofi e pastër, tani kthehemi se çka është filozofia e që s’ka definicion, s’ka konsensus. Është një fushë atraktive e mjaft sfiduese dhe e logjikshme, por është shumë e zbatueshme”, thotë Krasniqi

Për Krasniqin, në kuptimin intelektual, njerëzit i frikësohen matematikës, sepse sipas tij “janë dëshmuar se janë të këndellur edhe në fushat tjera”.

“Kush e përjeton si detyrim, e mbytë matematika”, thotë prerazi ligjëruesi i kësaj fushe, që megjithatë thotë se është e nevojshme që disa njerëz ta dinë matematikën, “për t’iu shërbyer të tjerëve”.

“Një shoqëri nuk mundet me ec përpara nëse nuk e ka zhvillimin e matematikës në nivel të duhur”, thotë Krasniqi, që insiston më shumë të flasim për sukseset dhe organizimin e Shoqatës.

Komuniteti i matematikanëve ka nisur që nga viti 2008 me iniciativën e ish-ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i njohur në atë kohë si një nga gjenitë e matematikës. Pas tejkalimit të pengesave të Serbisë, Kosova ishte anëtarësuar në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, dhe që nga ajo kohë është pjesë garuese në mesin e shumë vendeve të botës në këtë lloj gare.

Secili shtet në Olimpiadë garon me nga gjashtë nxënës, të cilët sfidohen me nga gjashtë detyra të avancuara matematikore.

Sukseset e Kosovës, Krasniqi thotë, se kanë filluar që nga viti 2017, duke bërë një përparim të theksueshëm në aspektin profesional.

Megjithatë, Krasniqi thotë se përveç një ndihme institucionale për këtë vit, asnjëherë nuk kanë pasur mbështetje nga organet shtetërore.

“Këtë vit, ministria e Arsimit fatmirësisht na ka mbështetë edhe financiarisht udhëtimin edhe në olimpiadë edhe organizimin e olimpiadës komunale edhe për çështje teknike e përmbajtësore, që viteve tjera është bë me mbështetje të donatorëve, kryesisht dashamirë të matematikës”, thotë Krasniqi.

Mirëpo, pavarësisht mospërkrahjes institucionale, përmes shoqatës, nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës ia dalin të korrin shumë suksese në garat ndërkombëtare.

“Në vitin 2017 kemi marr një medalje, në 2018 kemi marr një mirënjohje nderi, kurse në vitin 2019 e kemi pasë rezultatin ndër ma të mirë që e kemi pasur si ekip, - kemi qenë shumë afër me i fitu dy medalje. Në 2020, kemi pasur një paraqitje të mirë të ekipit, kemi fitu pesë mirënjohje nderi. Në 2021 e kemi humb për një pikë një medalje në Olimpiadë. Medaljen është shumë, shumë vëështirë me fitu, është sikur medaljen olimpike, edhe ma vështirë, sinqerisht”, thotë disi me sinqeritet Krasniqi, i cili sqaron se në nivel rajoni, në këto gara Kosova qëndron më mirë se Shqipëria dhe Mali i Zi.

Megjithëkëtë, njëra prej shkaqeve që vështirëson sukseset edhe më të mëdha, Krasniqi përmend sistemin arsimor të Kosovës, i cili sipas tij nuk përkon me kërkesat e nxënësve që garojnë në këto nivele.

“Në shkolla tona nuk ka program të veçantë për nxënësit e talentuar. Një nxënës i talentuar me një orë matematik,  ai mundet me marrë 5she, por në olimpiadë pastaj është tjetër nivel. Nuk është e mjaftuar për olimpiadë”, shpjegon Krasniqi.

Por, ai tregon se, pavarësisht këtyre pengesave, dhjetëra nxënës që trajnohen në Shoqatë, arrijnë të studiojnë në universitete me renome botërore.

Njëri nga talentet më të mëdhenj në fushën e matematikës, është edhe i riu Leart Ajvazaj, i cili në Olimpiadën e 60-të Matematike Ndërkombëtare, e cila ishte mbajtur në Bath të Mbretërisë së Bashkuar kishte fituar medalje nderi, nga tri medalje sa i kishte fituar Kosova në këtë edicion të garës. Ndërkaq vetëm një pikë e kishte penalizuar Leartin nga medalja e bronztë.

Learti tashmë është në vitin e tretë të studimeve për matematikë në Yale University, në New Haven të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po ashtu është pjesë e shoqatës, si trajnues në ekipin e Kosovës në përgatitjet për gara të IMO-së.

Learti thotë se pjesa e formimit profesional në matematikë vjen falë shoqatës dhe mund të identifikohet si produkt i saj.

“Këtu vjen edhe i mëson senet e para që janë në matematikë, taman, përkundër çka mëson në shkollë”, thotë Learti, i cili thotë se me gara në matematikë ka filluar të merret nga klasa e gjashtë.

Për 21 vjeçarin, angazhimi në matematikë nënkupton kënaqësi, të cilën thotë të mos e gjej në asnjë fushë tjetër të studimit.

“Unë matematikën, përkundër faktit që e shoh që ka dobi në përgjithësi për shoqërinë, unë personalisht nuk e bëj matematikën për shkak të ekzistencës së kësaj dobie. Po thjesht studimi i saj është më pak i mundimshëm se studimi i gjërave tjera, edhe ndjesia kur ta zgjidhesh një problem të vështirë, nuk barazohet me kënaqësinë që mundesh me marr prej diçkaje tjetër. Është ky kërkimi për probleme të vështira i mjaftueshëm sa me pasur gjasë me i zgjidh, por as shumë të lehta, që kur ta zgjidhësh, me pasur këtë kënaqësinë që ta jep. Në eksperiencën time zgjidhja e një problemi në matematikë”, thotë Ajvazaj.

Ndërsa, ligjëruesi Valmir Krasniqi thotë se të rinjtë si Learti u vëshitirësohet progresi për shkak të sistemit të brishtë të arsimit në Kosovë. Tutje, ai thekson se nxënësit e nivele të tilla nuk janë si rezultat i shkollave publike në vend.

“Te na ka pak mësimdhënës që e kuptojnë natyrën e olimpiadës. Rezultatet që kemi nuk janë resultate si shkak i sistemit tonë arsimor, ne do të dëshironim po fatkeqësisht nuk janë. Por, nuk është faji i nxënësve, është faji i sistemit tonë arsimor. Sikur Learti për shembull të ishte taku me një mësimdhënës të mirë në klasë të pestë apo gjashtë,  e të ishte njoftu me disa njohuri, kishte me pasur sukses edhe më shumë”, thotë Krasniqi, i cili megjithatë është shpresëplotë se edhe këtë vit nxënësit e Kosovës nuk do të kthehen duarthatë nga gara më prestigjioze.

Vite më parë, Shoqata e Matematikanëve kishte pasur probleme për të siguruar paratë që u nevojitej për të udhëtuar për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare.

 

Tjera nga autori:
1