<b></b> Gruaja me shami që magjeps me shpejtësi në Prishtinë: Njihuni me 9 herë kampionen në autosllallom

Gruaja me shami që magjeps me shpejtësi në Prishtinë: Njihuni me 9 herë kampionen në autosllallom

19.05.2022 11:10

Në një artikull të mëparshëm ju njoftuam me një automekanike nga Ferizaji, e cila ndreq kerre, por edhe paragjykime. Në këtë artikull, po ju njoftojmë me një grua tjetër. Kësaj here me një besimtare që garon me vetura të shpejta, e që ka fituar nëntë herë vendin e parë në autosllallom.

Ndonëse veturat funksionin kryesor e kanë transportin nga një vend në vendin tjetër, ngjashëm nuk i sheh çdokush. E sidomos pasionantët e garave me makina. Por edhe pasionantet gra, të cilat janë të pakta në Kosovë, mirëpo të cilat kanë triumfuar me vendet kryesore në kategoritë për të cilat kanë garuar.

Një ndër to është edhe Brunilda Gjura, 32 vjeçare nga Shqipëria, e cila që disa vite jeton në Kosovë. Ajo çdo makinë e sheh më një sy tjetër, me atë se “A do të bënte kjo makinë për garën time të radhës?”

Rrugëtimi i saj, me dëshirën për të marrë pjesë në garat me makina filloi qysh në një moshë të re, sa ishte 9 vjeçare.

Ajo për Nacionalen rrëfen se dashuria për autosportin kishte filluar që nga viti 1999, e që nga viti 2019 merr pjesë në disiplinën autosllallom.

Historia ime me makinat dhe dashurinë për autosportin ndahet në dy periudha, të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Fillimet e para dhe lidhjet e para me mjetet motorike i kam që në vitin 1999. Në atë kohë (isha) 9 vjeç. Në familjen tonë merreshim me rregullim dhe shitje të makinave e motorrave. Fillimisht mësova motorrin, e më pas makinën. Ndërsa me gara kam filluar të merrem nga viti 2019”, tha Brunilda.

Përkundër që njerëzve u dukej e çuditshme që një grua të garonte me makina, më i çuditshëm për ta ishte fakti se ajo ishte me shami në kokë.

Në fakt ishte pak e çuditshme ideja e një garuese me shami, me makinë me targa shqiptare, me BMW 330. Sepse në mentalitetin shqiptar, të jesh besimtare, shihesh vetëm në suazën e të qenit brenda shtëpisë. Jashtë shtëpisë, maksimumi në ndonjë punë. Besoj se kam arritur të thyej këtë tabu. Nuk jam ndier e paragjykuar, përkundrazi, jam pritur mirë”, thotë Brunilda për Nacionalen.