<b></b> Ia vranë të birin 11 vjeçar, Dita e Fëmijëve për nënën nga Fushë Kosova

Ia vranë të birin 11 vjeçar, Dita e Fëmijëve për nënën nga Fushë Kosova

02.06.2022 11:02

Festa e fëmijëve në komunitetet minoritare pak festohet. Kjo festë bëhet edhe më e trishtë për familjen e Makfire Ilazit, e cila me tre fëmijët e saj, e vetme, jeton në Fushë Kosovë. Makfirja ka një histori të dhimbshme. Asaj ia vranë djalin, Kujtimin 11-vjeçar, nga komuniteti ashkali. Më 20 tetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 25 vjet burgim Sefedin Osmanin, për veprat penale ‘dhunim’ dhe ‘vrasje’. Po nëna e Kujtimit edhe pas tri viteve ka shumë ankesa për vendimin e Gjykatës. Nacionale ju sjell rrëfimin nga kjo familje.

Kjo fotografi që Makfire Ilazi po e mban në dorë është kujtimi i vetëm që e ka nga djali i saj, Kujtimi. Ajo thotë se shpesh e shikon për të mos ia harru fytyrën, djalit që më 11 korrik të vitit 2019 u vra mizorisht nga fqinji i tij, Sefedin Osmani.


Makfire Ilazi mbanë në duar forografinë e vetme të djalit të vrarë

“Më duket se ia ndij erën, ia dëgjoj zërin, sa herë e shoh këtë foto”, thotë Makfirja duke pohuar se kujtim tjetër të djalit të saj Kujtimit, nuk ka.

Në korrkun e këtij viti, bëhen tri vjet që kur djali i Makfires, Kujtim Veseli, u dhunua për vdekje nga fqinji i tij, Sefedin Osmani. Gjykata në aktgjykimin e saj e dënoi me 25 vite burgim Sefedinin, për veprat penale “vrasje” dhe “dhunim”.

Por e pakënaqur me vendimin e gjykatës është familja e Kujtimit të ndjerë.

“Kurrë nuk do të ndalem. Nuk është drejtësi kjo. 25 vite burg, e çka m’i ka ba djalit ai... Unë nuk e di, por gjithë jetën do të doja ta shihja në burg”, thotë Makfirja, nëna e Kujtimit të vrarë.

Tri vite në kërkim të drejtësisë

Mëngjesin e 11 korrikut të vitit 2019, Makfirja e mori një lajm, të cilin thotë se nuk do të donte ta dëgjonte gjithë jetën.

“Erdh dikush te dera herët në mëngjes e më tha: ‘Kujtimi të ka vdekë’. Këtë fjalë e dëgjova, asgjë tjetër pas saj.”

Kështu e përshkruan lajmin më të vështirë në jetë Makfirja, nëna e Kujtim Veselit, i cili u dhunua, drogua, e pastaj u vra, në moshën 11-vjeçare, nga Sefedin Osmani.

Çka kishte ndodhur më 11 korrik të 2019-s?

I vdekur në po këtë datë, poshtë shkallëve të një objekti të banimit në Fushë Kosovë, u gjet Kujtim Veseli, një djalë 11-vjeçar që i takonte komunitetit ashkali.

Ky rast i rëndë shpërfaqi mangësitë e sistemit të drejtësisë në mbrojtjen e qytetarëve. Dhunuesi, e pastaj vrasësi i fëmijës, ishte shumë i njohur për policinë. Sipas gjykatës, Sefedin Osmani, një fqinj që jetonte afër shtëpisë së viktimës, e kishte detyruar atë që të kryente akt seksual, dhe pastaj e kishte vrarë duke e goditur me një mjet të fortë.

Në aktakuzën e organeve të hetuesisë kosovare, Sefedin Osmani akuzohej se ka dhunuar seksualisht Kujtimin 11-vjeçar edhe më 29 janar 2019, për çka ishte denoncuar në polici nga babai i tij dhe nëna e viktimës.

Përkundër veprës së rëndë penale për të cilën dyshohej Osmani, intervistimi nga Policia e Kosovës ishte kryer 65 ditë pasi kishte ndodhur rasti.

Në stacion policor, Osmani e kishte pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, por ndaj tij nuk u lëshua urdhër-arrest, e as nuk iu caktua masa e paraburgimit. Ai vazhdoi të lëvizte i lirë deri më 11 korrik 2019, kur besohet se fillimisht dhunoi e më pas ia mori jetën Kujtimit 11-vjeçar.

Para vrasjes, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve, mirëpo i pezulloi ato më 26 qershor 2019, pasi që Osmani nuk iu përgjigj ftesës së prokurorisë.

Ai ishte person i njohur për institucionet e rendit, pasi kishte 15 aktakuza aktive për vepra të ndryshme penale.

Më 20 tetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 25 vjet burgim Sefedin Osmanin, pasi u gjet fajtor për dhunim të përsëritur dhe vrasjen e 11-vjeçarit, Kujtim Veseli.

Mirëpo ndaj këtij vendimi, është ankuar familja si dhe prokuroria, duke kërkuar rritje të dënimit.

Madje, për këtë tast të rëndë është protestuar për disa ditë radhazi në sheshet e Prishtinës, si dhe pranë stacionit policor në Fushë Kosovë. Nga shoqëria civile po insistojnë në disa kërkesa që institucionet e hetuesisë kosovare duhet t’i realizojnë: 1) Kërkimfalje nga institucionet për familjen e Kujtimit, 2) Hetim i zyrtarëve përgjegjës për neglizhimin e rastit.

Por asnjëra nga këto kërkesa ende s’është realizuar. Shteti kësaj familjeje si dëmshpërblim para një viti ia ka ndarë 25 mijë euro.

Jeta e Makfires si nënë vetushqyese në varfëri të skajshme pa ndihmë nga shteti

Faruku, djali gjashtëvjeçar i Makfires, nuk vijon procesin mësimor. Ajo thotë se nuk ka kushte që t’i dërgojë tre fëmijët e saj në shkollë.

“Këta dy të mëdhenjtë i çoj. Farukin jo valla. Po bahen shumë. S’po kam të ardhuna”, rrëfen Makfirja, e cila si pasojë e kushteve të dobëta financiare, thotë se u detyrua që djalit t’ia ndalë shkollimin.

Ajo bashkë me tre fëmijët e saj, jetojnë me 300 euro në muaj. Para të cilat ajo i merr si ndihmë për djalin e saj me të meta fizike.

Ajo thotë se shteti ia ka ndalë ndihmën sociale.

“Me 300 euro në muj jetojmë. S’po kem. Për djalë shpenzimet e mëdha. Para as për karrocë s’po kam për të”, thotë Makfirja.

Të dhënat tregojnë për gjendje të rëndë të mirëqenies së fëmijëve. Edhe pse në Kosovë legjislacioni garanton mbrojtjen e fëmijëve, të dhënat tregojnë që në Kosovë vazhdon të ketë shkelje të të drejtave të fëmijëve.

Ligji për Mbrojtje të Fëmijës edhe pse ka hyrë në fuqi nga viti 2020, vazhdon të mos gjejë zbatim nga institucionet dhe familjet. Mungesa e zbatimit të legjislacionit, mungesa e vullnetit politik, mungesa e investimeve dhe kapaciteteve, mbesin ndër shkaqet kryesore për gjendjen e të drejtave të fëmijëve. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1