Investitori premton t'i investojë në çimentoren e Klinës 200 milionë euro, në llogari i ka vetëm 1000 euro - NACIONALE

Investitori premton t'i investojë në çimentoren e Klinës 200 milionë euro, në llogari i ka vetëm 1000 euro

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbi dy mijë banorë të Dollcit protestuan kundër ndërtimit të një fabrike të çimentos në fshatin e tyre. Janë mbledhur afër 5 mijë nënshkrime në peticionin me të njëjtin kundërshtim. Banorët e shohin fabrikën si kërcënim të shëndetit, e shkatërruese të ambientit.

“Duam plantacion të vishnjeve, e jo kancer”, thoshte një parullë e protestës, që lidhej me plantacionin e dikurshëm të këtij rajoni.

Të shurdhër ndaj kërkesave të banorëve ishin komunarët e Klinës dhe tri ministri përkatëse.

Autoritetet lokale e qendrore veçse kanë lëshuar lejet e para (disa leje), ndër vite, për kompaninë Wallingford International Kosovo L.L.C për shfrytëzimin e kodrinave të fshatit (pronë publike) për ndërtimin e fabrikës së çimentos në vlerë multimilionëshe.

Nuk dihet saktë se sa do të investojë kompania Wallingford International Kosovo L.L.C, apo se kur do të përfundonte ndërtimi, mirëpo kanë qarkulluar disa shifra multimilionshe, duke nisur prej 90 milionë euro e duke u përmendur edhe shifra 220 milionë euro si investim.

Mirëpo, çka bie në sy është se kompania Wallingford International Kosovo L.L.C tek Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve Kosovës (ARBK) nuk ka as për së afërmi shumën e pretenduar për investimin multimilionësh.

Gazeta Nacionale ka gjetur se kompania Wallingford International Kosovo L.L.C ka vetëm 1 mijë euro të deklaruar si kapital themeltar. Kompania nën pronësi të Atdhe Kollçakut, me 100 për qind të aksioneve, për më tepër e ka të regjistruar vetëm një punëtor.

Kompania Wallingford International Kosovo L.L.C është regjistruar për herë të parë në vitin 2012 në Prishtinë si ‘‘Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar’’. Anipse me një punëtor të deklaruar, kompania në faqen e ARBK-së i përshkruan vetes 22 aktivitete ekonomike.

Duke nisur nga restorantet dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit, pastaj te instalimet elektrike, te tregtia me shumicë e pjesëve elektrike e hidraulike, e deri te nxjerrja e mineraleve kimike dhe plehërave kimikë, pastaj nxjerrja e zhavorit, rërës, argjilës dhe kaolinit.

Kompania ka përfituar disa leje që i mundësojnë nisjen e ndërtimit të fabrikës së çimentos në Dollc të Klinës.

Kuvendi Komunal i Klinës ka votuar për të tërhequr lejet e lëshuara për kompaninë, mirëpo së fundmi Komuna e Klinës ka lëshuar leje të ndërtimit për kompaninë në fjalë, anipse vendimi është kundërshtuar e po kundërshtohet nga banorët. Komuna është arsyetuar se vendimit të saj i kanë paraprirë vendimet e disa ministrive.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mars 2021, i ka lëshuar leje të pëlqimit mjedisor, ndërkaq paraprakisht Ministria e Bujqësisë kishte bërë ridestinimin e truallit nga tokë bujqësore në tokë minerare.

Sipas banorëve të Klinës, Klina është një prej qyteteve me ajrin më të pastër në Kosovë, dhe në atë vend kishte ekzistuar dikur një plantacion vishnjesh prej më të mëdhave në Ballkan. Ata insitojnë se atje duhet të investohet në plantacione.

Organizatorët e protestës dyshojnë se lejet e lëshuara nga Komuna e Klinës dhe tri ministri për shfrytëzimin e 24 hektarëve tokë janë të dyshimta.

Pos që anashkalohet rreziku për shëndetin dhe dëmet në ambient, organizatorët e protestës pretendojnë se janë bërë shkelje ligjore gjatë procedurave, pastaj ka pasë ndërhyrje, si dhe janë tejkaluar kompetencat ligjore të disa institucioneve.

Dyshimet e tyre janë rritur edhe më shumë, pasi kompania që pretendon të bëjë investimin multimilionësh ka si kapital vetëm 1 mijë euro. Protestuesit dyshojnë se kompania nuk është nën pronësi të pronarit të deklaruar, Atdhe Kollçaku, dhe dyshojnë se prapa investimit mund të jetë kompania Devolli Corporation. Kompania Devolli Corporation është kontaktuar nga gazeta Nacionale, por kompania nuk është përgjigjur.

Lajme të ngjashme