<b></b> Ish-komandanti i UÇK-së, Ejup Maqedonci – Uki, rrëfen ditën kur UÇK-ja hyri në Prishtinë

Ish-komandanti i UÇK-së, Ejup Maqedonci – Uki, rrëfen ditën kur UÇK-ja hyri në Prishtinë

11.06.2022 20:03

11 Qershori shënohet si Dita e Çlirimit të Prishtinës, por teksa kanë kaluar 23 vjet prej asaj dite, shumë kujtime janë venitur kurse një brez i tërë nuk e ka të përjetuar fare atë ditë.

Duke kujtuar çlirimin e Prishtinës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe trupat britanike të NATO-s, ish-Komandanti i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit, Ejup Maqedonci, i njohur si Komandant Uki, ka postuar në profilin e tij në Facebook një video të shkurtër të datës 11 qershor 1999, ku ai shihet bashkë me disa ushtarë të tjerë të UÇK-së në një shtëpi në Prishtinë.

Me këtë video ai ka shoqëruar një status të tij ku ka kujtuar se si ushtarët e UÇK-së kishin hyrë që më 10 qershor në Prishtinë dhe se si ishin takuar me ushtarët britanikë të NATO-s. Ky është rrëfimi i tij i plotë: Çlirimi i Prishtinës – një kujtim i shkurtër Mëngjesin e 10 qershorit 1999, si Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit, u lëshova me disa prej 150 ushtarëve të batalionit tim, nga malet e Gollakut për të hyrë në Prishtinë.

Rrugës, duke hyrë nga fshati Makoc drejt Prishtinës, pamë trupa njerëzish të vrarë nga forcat serbe gjatë ofenzivës së prillit. Disa prej të vrarëve, u ishin prerë edhe kokat. Në të hyrë të Prishtinës, dëgjoheshin të shtëna të shumta, për të cilat ne mendonim se ishin të shtëna të serbëve pa shënjestër, për t’i frikësuar njerëzit e mbetur dhe për t’i mbajtur larg ushtarët e UÇK-së. Më vonë e kuptuam se të shtënat vinin nga serbët e Prishtinës që po festonin hyrjen e trupave ruse në Prishtinë.

I lindur dhe i rritur në Prishtinë, duke i njohur mirë edhe rrugicat e saj, i drejtova ushtarët nëpër lagjen e Kolovicës dhe pastaj përmes lagjes së Vreshtave arritëm në destinacionin që kishim për qëllim, në lagjen e Bledit. Kishim dy qëllime: të mbanim nën mbikëqyrje Forcat Speciale të Jugosllavisë (SAJ) që ishin të vendosur në Taukbashqe dhe të vendosnim flamurin në ndonjë shtëpi mbi kodrinën e lagjes së Bledit.

Dikur pas mesnate, u vendosëm në një shtëpi në lagjen e Bledit mbi kulmin e të cilës vendosëm flamurin kombëtar shqiptar. Disa njerëz që prej muajsh kishin qëndruar të fshehur në rrethina, na pritën me shumë entuziazëm duke na dhënë ushqime. Ashtu siç ishim të rraskapitur nga marshimi i gjatë, u pozicionuam për të ruajtur popullatën civile dhe vëzhguar Forcat Speciale të Jugosllavisë. Në lagjen e Bledit u takuan dhe u bashkuam me njësite të Gueriles së Prishtinës që ishin vendosur aty që më parë.

Atë ditë më njoftuan që duhej të shkoja me një pjesë të ushtarëve që të përcjellja Batalionin Gardist që ishte nisur për në Prishtinë. Por para se të nisesha, u befasuam duke u takuar me Komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remin, që erdhi dhe u vendos në një shtëpi afër nesh. Aty kishim një telefon satelitor dhe atë mbrëmje, më 11 qershor, dikush më kërkoi në telefon. Për befasinë më të këndshme që mund të prisja, ishte nëna ime.

Po më telefononte nga Tetova ku ishtre strehuar bashkë me motrën dhe dajët e mi, pasi kishte dëgjuar se isha vrarë në luftime. Me të më dëgjuar zërin, duke qarë më pyeti: Ejup, a je gjallë?! Gjallë, nanë! A i ki durt dhe kambtë? Po nanë, gjallë dhe i paplagosur.

Gjatë luftës kisha patur fatin që të mos plagosesha, megjithëse në disa raste, kisha dëgjuar qindra fërshkëllime ajri nga fishekët që më kishin kaluar mjaftueshëm afër sa për t’i dëgjuar. Pasi u sigurua që isha mirë, nëna Nexhmie më pyeti për babain Rexhepin dhe vëllain Fisnikun, të dy ushtarë të UÇK-së që operonin në lagjen rreth Tregut të Gjelbër në Prishtinë. Më 12 qershor, një burrë erdhi i alarmuar duke na thënë se tanket serbe po përparonin nga Taukbashqja drejt lagjes së Bledit.

Menjëherë, ne u pozicionuam në pritje të tyre. Kur automjetet e blinduara u afruan, vërejtëm që në to valëvitej flamuri i Britanisë së Madhe. Forcat britanike të NATO-s kishin hyrë në Prishtinë nga ana tjetër e qytetit. U përshëndetëm me ta dhe ndonëse ne ishim në të njëjtën anë të luftës, për shkak të situatës dhe peshës së misionit ata qenë shumë formal. Paralelisht me çlirimin e Prishtinës që e realizuam bashkë me trupat britanike të NATO-s, duke operuar me kujdes, ne arritëm ta shmangim atë që i frikësoheshim shumë, masakrimit të popullsisë civile.

Megjithëse ende do të kishte përballje të armatosura në qytet, atë ditë Prishtina po jetonte çlirimin e saj. Ishte 12 qershori i vitit 1999. Për ne që patëm fatin të ishim ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një ditë e gjatë mes ditëve të shumta të luftës për çlirimin e Kosovës. Për historinë, 12 qershori u bë vërtetë Dita e Çlirimit të Kosovës. Lavdi të rënëve dhe të gjallëve ushtarë të lirisë nën emblemën e UÇK-së dhe urime Dita e Çlirimit!

Tjera nga autori:
1