Kur do t’i lirojë Kosova gratë e punësuara në pushim menstrual? - NACIONALE

Kur do t’i lirojë Kosova gratë e punësuara në pushim menstrual?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Spanjës ditë më parë ka sjellë vendimin për lejimin e pushimit menstrual nga puna për gratë. Pushimi, që sipas këtij vendimi do të jetë 3 ditë, është sjellë nga Qeveria ideologjikisht e majtë e Spanjës. Kur lexon diçka të tillë, mendja të shkon te Kosova. Pa prit, a nuk e kemi ne një qeveri të majtë gjithashtu? A do të reflektojë ky vendim edhe te ne? Me siguri do të duhej. Por, puna këtu është edhe më keq. Gazeta Nacionale e pati realizuar një podcast, të cilin mund ta dëgjoni edhe në këtë artikull, për çmimet dhe vështirësinë e qasjes së grave në produktet hixhienike të nevojshme për to.

Ky, si duket ende është shqetësim prioritar për gratë, aktivistet dhe politikanet gra në Kosovë.

Për ta diskutuar këtë çështje, e kemi kontaktuar Leonida Molliqajn nga organizata QIKA. Ajo është përgjigjur:

“Shëndeti seksual dhe riprodhues i grave, është temë tabu, jo vetëm ne Kosovë mirëpo duke qenë në një shoqëri tradicionale dhe patriarkale, funksioni i gruas, përkatësisht trupit të saj dhe funksionit të saj në shoqëri dhe familje është i determinuar në biologji. Pra, kemi një përvetësim të aspektit biologjik si konstrukt shoqëror. Kjo temë është shumë e ndërlidhur me aspektin privat, rrjedhimisht mbetet e errësuar si çështje. Cikli, jo vetëm që nuk trajtohet, atij i ulet toni kur e themi me zë. E njëjta vlen edhe për pjesët e ndryshme të trupit të grave. Kjo ka bërë që në njëfarë forme të mohohet edhe përvoja e grave gjatë ciklit menstrual. Statistikat tregojnë që në nivel global gratë ballafaqohen me probleme të ndryshme kur janë me menstruacione si dhimbje të mëdha, luhatje të humorit, temperaturë, e simptoma të tjera, por asnjëhere këto probleme nuk diskutohen si probleme shëndetësore. Ekziston një stereotip që këto nuk janë serioze për faktin që gratë ballafaqohen çdo muaj me to. Ky ne fakt është thelbi i problemit. Une besoj që çdo grua duhet ta ketë të drejtën të pushojë nga puna kur ballafaqohet me pamundësi të tilla fizike. Mohimi i këtyre problemeve është mohim i të drejtave të grave.”

Deputetja Tinka Kurti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është kryetare e grupit të grave deputete. Duke qenë se edhe ajo ka qenë e zëshme për çështje që lidhen me shtypjen patriarkale, lirinë e gruas dhe barazinë, ne e kontaktuam edhe atë, me pyetjen se a pritet që edhe Kosova ta marrë këtë shembull duke qenë se në pushtet është partia pjesë e së cilës është zonja Kurti, e cila deklarativisht është e majtë. Ky artikull po shkruhet dy ditë pasi janë dërguar pyetjet, dhe zonja Kurti nuk është përgjigjur në asnjërin prej shqetësimeve të ngritura.

Përgjigje kërkuam edhe te partia e majtë në opozitë, e cila për momentin nuk është pjesë e skenës parlamentare në Kosovë, PSD-ja. Aty, morëm përgjigje nga Teutë Rrusta, e cila e plotësoi Molliqajn me shpjegimin e saj.

“Vendimi për pushim menstrual është lajm i mirë që meriton hapësirë në krye të shtypit. Lajmi i ditës nuk duhet të jetë vetëm i dimensionit të ngushtë politik. Fakti që Spanja ka lëvizur në këtë drejtim duhet të shfrytëzohet si mundësi për efekt zinxhiror edhe në vende tjera. Kosova s’ka pse të abstenojë.

Biologjia dhe anatomia janë pjesë e rëndësishme që duhet të përfshihen në diskurs. Deri vonë as simptomat para-menstruale (pms) as nuk janë pranuar si gjendje që vështirëson ditën e grave para ciklit, çdo muaj. Njohja e gjendjeve të caktuara ndikon në krijimin e politikave që pavarësisht gjendjeve të ndryshme, të mundësojnë qasje të barabartë në shoqëri. Cikli menstrual nuk ka pse të paraqitet si pengesë në pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe në punësim.

Qeveria, që ka shpallur vetën të majtë, nuk ka lëvizur as edhe një hap në këtë drejtim. E do të duhej të kishte filluara me këto lehtësime. Në vend të kësaj, nisi politika nacionaliste që stimulojnë natalitetin.

Për më tepër, duhet të largohet TVSH nga pecetat menstruale. Papunësia e skajshme te gratë nuk mundëson qasje të lirë të grave në shumë shërbime, kontrolla dhe as peceta. Duhet të kemi qasje universale, pa dallim, në punësim dhe zhvillim”, ka thënë Rrusta për Gazetën Nacionale.

I njëjti shqetësim, që s’ka sesi të mos artikulohet ngjashëm.

Ajo që mund të shihet qartazi në këtë artikull, nga të dy prononcimet, është se, ndonëse i nisur për pushimin menstrual nga puna, ky artikull përfundoi si raportim për mungesën e lehtësimit të qasjes në produkte jetike për shëndetin e grave.

Pushteti nuk përgjigjet, opozita jep përgjigje për çështje edhe më urgjente sesa pushimi menstrual për gratë. Një gjë është e sigurt: Në Kosovë, të jesh grua, është shumë e vështirë dhe kjo vështirësi reflektohet në çdo hap.

Lajme të ngjashme