<b></b> Lufta në Ukrainë rrit çmimet për hotele dhe restorante në Kosovë: Zvogëlohen dasmat dhe listat e të ftuarve

Lufta në Ukrainë rrit çmimet për hotele dhe restorante në Kosovë: Zvogëlohen dasmat dhe listat e të ftuarve

26.05.2022 14:24

Nëse keni menduar që të bëni ndonjë dasmë gjatë verës në Kosovë, atëherë duhet të mendoni dy herë e ndoshta edhe më shumë se dy herë për punën e financave, pasi çmimet e shërbimeve që ofrojnë restorantet dhe hotelet janë ngritur duke bërë që të ulet numri i dasmave, e të ulet edhe numri i listave të të ftuarve në këto dasma.

Si çmimet tjera që janë ngritur, edhe hotelet dhe restorantet kanë vepruar njejtë.

Në Buletinin Mujor Statistikor për muajin mars, të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës [BQK], bëhet e ditur se restorantet dhe hotelet kanë pësuar rritje prej 7.7 për qind në vit, ndërsa për muaj 0.9 për qind. Në krahasim me muajin shkurt që ishte 6.9 për qind.

E këto rritje po arsyetohen për shkak të inflacionit të lartë prej 11 për qind në çmimet e konsumit dhe të tjera.

Pse ndodhi rritja e çmimeve?

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës [OHTK], Hysen Sogojeva, për Nacionale ka thënë se çmimet janë ngritur për shkak të ngritjes së çmimeve në përgjithësi. Kjo ka ndikuar që të ngriten edhe shërbimet në Hoteleri dhe në Restorante.

Sogojeva ka thënë se kjo do t’i dëmtojë bizneset që merren me restorante dhe hoteleri pasi do të ulet numri i klientëve që frekuentojnë këto hapësira.

Për faktin që kemi një ngritje të çmimeve globale me rastin e Ukrainës, ka pasur ngritje të çmimeve edhe këtu. Nuk kanë pasur mundësi ndryshe, pos që edhe ky sektor t’i ngrisë çmimet, për arsye të mbijetësës dhe mbajtjes së vetes. Edhe kjo ngritje ka me ndiku në uljen e klientelës, sepse edhe populli shtrenjtimet i kanë fillu në çdo sektor. Dhe jeta e qytetarit është rrezik se nëse edhe këto çmimet ngriten, është rrezik që edhe klientela me humbë”, ka thënë ai.

Për të kaluar këtë situatë, Sogojeva ka theksuar dy hapat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës.

Për me mujtë me zbutë ose me ndiku diçka në këtë drejtim është mirë që qeveria të mendojë në ngritjen e pagave, sepse s’kemi pasë ngritje të pagave që sa vite. Pastaj e dyta është ligji për rimëkëmbje, qato pare që janë premtu për me u dhanë, duhet me u shpërnda, sepse ka pasur raste që në mënyrë proporcionale janë shpërnda”, pohoi ai.

I pari i OHTK-së, ka thënë se gjatë bisedave që ka pasur me pronarë të restoranteve dhe sallave të dasmave, ka kuptuar se numri i dasmave për këtë vit është 30 përqind më i vogël se vitin e kaluar dhe po ashtu numri i dasmorëve është zvogëluar.

Sipas informatave që i kam, nuk është ashtu me atë tempon që është pritë. Pra, këtë vit pritet me pasë 30 për qind më pak dasma sesa është pritë, dhe një fakt tjetër, numri i dasmorëve, që po ashtu është më i vogël krahasuar me vitet e kaluara, pasi numri i madh i dasmorëve kushton më shumë”, ka thënë Sogojeva për Nacionale

Sa mund të kushtojë një dasmë në Kosovë?

M.M. (emër i njohur për redaksinë) i cili do të martohet në muajin gusht, për Nacionalen ka treguar se sa i ka kushtuar restoranti dhe elementet që hyjnë në punë për një dasmë.

Ai thotë se vetëm restoranti me menynë e 21 eurove, xhepit të tij do t’i kushtojë afro 8 mijë euro.

Restoranti që e kam rezervuar unë, më kushton afro 8 mijë euro. Muzika, një këngëtar jo fort i njohur, më ka kushtu 2 mijë e 200 euro. Incizimi i dasmës diku afër 2 mijë euro dhe gjëra të tjera që janë të nevojshme për një dasmë, janë gati 5 mijë euro”, ka thënë ai.

Më tej, ai tregon se para se të vendoste, ka hulumtuar për oferta të tjera, mirëpo, sipas tij, kanë qenë thuajse të njëjta.

Duke i llogaritur shpenzimet që ka përmendur M.M., del që një dasmë mesatare në Kosovë, me 350-400 dasmorë, do të kushtojë rreth 17 mijë euro.

Ndryshe, veç në muajin mars të viti 2022, janë regjistruar 1 mijë e 442 kurorëzime brenda dhe jashtë Kosovës, ndërsa 103 çifte janë shkurorëzuar.

Tjera nga autori:
1