<b></b> Më në fund një sindikatë ia del – rriten pagat për 50 euro, shtyhet greva

Më në fund një sindikatë ia del – rriten pagat për 50 euro, shtyhet greva

18.05.2022 16:19

Federata e Sindikatave të Pavarura ElektroKosova (FSPE) javëve të fundit ka mbajtur protesta e grevë me kërkesë për t’ua rritur punëtorëve pagat. Menaxhmenti i KEDS-it ishte paralajmëruar se me 19 maj punëtorët do të futen në grevë të përgjithshme. 

Ahmet Mujeci, zëdhënës i Këshillit Grevist të FSPE-së, ka thënë për gazetën Nacionale se sindikata ka vendosur që të mos e mbajë grevën ditën e nesërme, pasi kanë marrë një ofertë nga menaxhmenti i KEDS-it dhe janë duke shqyrtuar mundësinë për ta pranuar. 

‘‘Pas takimeve që kemi pasë me menaxhmentin, kemi marrë ofertë për rritje page tek diku 10 për qind për punëtorët teknikë’’, thotë sindikalisti Mujeci. 

Zëdhënësi i sindikatës thotë se numri i punëtorëve që mund të përfitojnë rritje page arrin tek 1450 punëtorë teknikë të KEDS-it, si dhe 250 punëtorë të tjerë që punojnë në administratën e kompanisë së vetme të shpërndarjes së energjisë elektrike në vend. 

‘‘Pagat e punëtorëve teknikë kanë qenë 490 euro në muaj. Sipas ofertës së re të KEDS-it, kjo pagë do të bëhet tek 540 euro në muaj’’, tha Mujeci për Nacionalen, duke shtuar se oferta e menaxhmentit është që rritja e tillë të jetë deri në prill të vitit të ardhshëm, e pastaj pas një viti të negociojnë për rritje të re. 

Sindikalisti tha se sot kanë vendosur ta shtyjnë grevën deri në fund të muajit, pasi po shqyrtojnë ofertën, por kjo s’do të thotë se është e sigurt se punëtorët e pranojnë përfundimisht atë ofertë të menaxhmentit, ani pse kompania ka përmendur vështirësitë ekonomike që ka pasur këtë vit.  

‘‘Do të dalim nëpër terren dhe do t’ia prezentojmë të gjitha distrikteve ofertën që na e ka dhënë menaxhmenti. S’do ta pranojmë ofertën pa u pajtuar të gjitha shoqatat [e sindikatës]’’, insiton Mujeci. 

Sindikalisti tha se çdo vërejtje e shoqatave të FSEP do të merret parasysh dhe s’do të ketë nënshkrim pa pajtimin e tyre. 

‘‘Do të shohim e do të bëjmë’’, thotë Mujeci në pyetjen se çka do të ndodhë tash e tutje. 

Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe Zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit. 

Ditë më parë Nacionale ka raportuar për protestën dhe grevën e përgjithshme të paralajmëruar të punëtorëve të KEDS, dhe mundësitë eventuale të ndikimit të grevës në sistemin energjetik të vendit.   

Ish-ministri për Energji, Fadil Ismajli, ka thënë për gazetën Nacionale se nuk duhet injoruar greva.

“Nëse ndodh kjo, gjithmonë nëse ndodh kjo, atëherë do të prekej mirëmbajtja e rrjetit të energjisë”, thotë Ismajli, duke shtuar se prishjet eventuale në rrjet do të mbeteshin të parikuperueshme, rrjedhimisht kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në furnizimin me energji elektrike në vend.

 

Tjera nga autori:
1