<b></b> Minatorët ‘jetimë’ të Trepçës  – Të neglizhuar nga pushteti dhe bordi i ndërmarrjes

Minatorët ‘jetimë’ të Trepçës  – Të neglizhuar nga pushteti dhe bordi i ndërmarrjes

07.06.2022 10:52

Para se të hysh në minierën e Trepçës, fjalia e parë që të bie në sy është “Me Fat”. Megjithatë, në vendin e punës me të cilin e mbajnë familjen minatorët e kësaj ndërmarrjeje, duket se nuk po kanë shumë fat.

Nuk dihet nëse është çështje fati, mungese financash apo vullneti, por minatorëve të Trepçës tash e tri vjet nuk u është paguar asnjë cent në Fondin e Kursimeve Pensionale (TRUST).

Ajo çka po ua shton pakënaqësinë punëtorëve të Trepçës, janë deklaratat publike nga ministrat e qeverisë Kurti II, sikur rasti i ministres së Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari, një ditë më parë.

“Unë nuk jam ministre e minatorëve. Rezervohem të shprehem në këtë pyetje”, deklaroi Hajdari në pyetjen e Ekonomia Online, për çështjen e mospagesës së Trustit për minatorët.

Fajin te ndërmarrja e ka hedhur edhe Ministria e Ekonomisë. Për pyetjet e Nacionales, ata kanë treguar se kujt duhet t’i drejtohemi.

Ju lutem që pyetjet tuaja t'i adresoni te menaxhmenti i NP Trepça, pasi hyn në kompetenca të ndërmarrjes. Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike nuk ka mandat të ndërhyjë në mikromenaxhim të ndërmarrjeve publike”, thuhej në përgjigje.

Gani Osmani që përfaqëson interesat e të gjithë minatorëve, ka mbetur thellë i zhgënjyer nga deklarata e ministres Rozeta Hajdari.

“Është ministre e Kosovës, edhe na jemi të Kosovës. Nëse është e Kosovës, edhe na jemi minatorë të Kosovës, atë dikush e ka emëru me punu për popull. Që nuk ka kompetencë ajo, kushdo që ka duhet me dhënë përgjigje”, thotë fillimisht Osmani për gazetën Nacionale.

Osmani i zhgënjyer kishte mbetur edhe nga një takim me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“I kemi tregu krejt Rizvanollit. Ka thanë që kemi me punu, e kemi me këqyr në këtë drejtim. Nëse nuk janë përgjegjës, atëherë ata duhet me i bo thirrje Bordit me i thanë kryeshefit që me i pagu. Bordi është urë lidhëse me Qeverinë. Qeveria e ka emëruar, kjo është urë lidhëse mes kryeshefit dhe qeverisë”, deklaroi kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës.

Kryetari i Sindikatës sqaron më tutje se tash e 3 vjet, pothuajse asnjë cent nuk u është paguar në Trust.

“Dikush tha që muajin e fundit e kanë pagu, po ajo nuk është asnjë zgjidhje. Nashta e kanë pagu muajin e 4t të 2022, por këtu duhet me ia nisë prej fillimit. Ne jemi të neglizhuar në tona anët, njerëzit janë dalë në pension, e merr trustin më pak, veç unë i kam këqyr, mbi 3 mijë euro m'i kanë borxh për trust. Shokët e mi i kanë 3 mijë euro më pak trust. Janë në të gjitha anët të dëmtuar. Jemi të shkelun”, deklaroi Gani Osmani.

Heshtja e kryeshefit

Gazeta Nacionale javë më parë ka raportuar për këtë problem. Por, si atëherë, e si kësaj radhe, kryeshefi i ndërmarrjes Trepça, Enis Abdurrahmani, ka zgjedhur heshtjen.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës në anën tjetër, e kanë sqaruar këtë situatë për gazetën Nacionale.

“Në fakt mospagesa e trustit për punëtoret e Trepçës është borxh të cilin ndërmarrja në fjalë çdo muaj e deklaron, mirëpo në mungesë të mjeteve financiare (vështirësive që kanë me financa) nuk janë duke arritur me i pagu. Kjo nuk është shmangie tatimore, sepse është borxh që vetë tatimpaguesi e deklaron”, thuhet në përgjigje.

ÇFARË THOTË LIGJI?

Mospagesa e Trustit për mbi 600 punëtorë të Trepçës, është shkelje flagrante e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës. Me këtë ligj, parashihet se secili punëdhënës është i obliguar t’ua paguajë kursimet pensionale punëtorëve.

“Çdo punëdhënës është i obliguar të kontribuojë në emër të punonjësve të vet në Fondin e kursimeve pensionale. Punonjësit obligohen që të kontribuojnë në emër të vet në kursimet pensionale. Obligimet e punëdhënësit dhe të punonjësit fillojnë në ditën e parë të punësimit të punëdhënësit për punonjësit që kanë krijuar marrëdhënie pune dhe përfundojnë kur punonjësi arrin moshën e pensionit”, thuhet në ligj.

VV-JA KRENOHET!

Megjithatë, zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin shpërndarë një grafikon, i cili tregonte rritjen e të hyrave në ndërmarrjen Trepça. Për këtë, kishin shkruar deputetë e ministra.

“RIKTHIMI I TREPÇËS“

“Për një vit, 2020-2021, të hyrat në ndërrmarrjen Trepça janë ngritur pothuajse deri në dyfishim, nga 8 milionë, në afro 14 milionë. Këto shifra e indikacione nuk janë të rastësishme, por vijnë direkt si rezultat i ndërrimit të qeverisë dhe ndërrimit të qasjes sa i përket ndërmarrjeve e aseteve publike”, thuhej në postimin e Vetëvendosjes.

Megjithatë, me rritje të të hyrave ose jo, me krenarinë e partisë në pushtet apo jo, punëtorëve të Trepçës vazhdon të mos u paguhet Trusti!

Tjera nga autori:
1