<b></b> Moti i ligë u mori jetën tre qytetarëve për pak ditë në Kosovë: Parashikohet përkeqësim i mëtejmë

Moti i ligë u mori jetën tre qytetarëve për pak ditë në Kosovë: Parashikohet përkeqësim i mëtejmë

07.06.2022 12:11

Gjatë ditës së djeshme, moti i keq i mori jetën një 30 vjeçari nga Podujeva pasi rrëzoi një lis. Por, moti i keq duket se do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme.

Paralajmërohet se në Kosovë gjatë javës së dytë të qershorit do të ketë vërshime dhe stuhi të forta. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës [IHMK] ka bërë të ditur se moti gjatë javës do të jetë mjaft dinamik.

Sipas IHMK-së, moti pritet të ketë erëra në formë të stuhive, shkarkime rrufesh, dhe reshje të breshërit.

“Vendi ynë do të ndikohet nga masat e ajrit me presion të ndryshueshëm atmosferik. Në këto kushte meteorologjike do të mbajë mot mjaft dinamik, i shoqëruar me erëra në formë stuhish, shkarkime rrufesh, me shi, dhe vende-vende parashihen edhe reshje breshëri”, thuhet në njoftimin e tyre.

E ndryshimi i motit dhe stuhitë që mund të ndodhin këtë javë, janë si pasojë e fushave termike që vijnë nga Afrika Veriore.

“Kjo situatë vjen si pasojë e fushave të fuqishme termike të ardhura nga Afrika Veriore, të cilat mbizotëruan ditëve të fundit mbi gadishullin tonë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e këtij Instituti.

“Institucionet të lajmërojnë me kohë qytetarët”

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë [SPRC], Tahir Ahmeti, ka bërë thirrje që institucionet të jenë vigjilente dhe të lajmërojnë me kohë qytetarët për stuhitë që mund të ndodhin.

Ai thotë Instituti Hidrometeorologjik e ka për detyrë të lajmërojë qytetarët për mundësinë dhe rrezikun nga stuhitë.

Në ligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike, thuhet se ky institut duhet të bëjë paralajmërimin hidrometeorologjik me dhënien e informatave dhe të dhënave në lidhje me rreziqet e mundshme hidrometeorologjike që mund të ndikojë ose të shkaktojë dëme në njerëz, prona dhe në mjedis”, ka thënë ai për gazetën Nacionale

Fatkeqësitë natyrore nuk mund të parandalohen, kanë intensitet dhe efekte të ndryshme, mund të godasin çdo moment, duke shkaktuar humbje të jetëve të njerëzve dhe dëmtim të të mirave materiale. Kur kemi këso paralajmërime, institucionet e Kosovës duhet që me kohë të lajmërojnë qytetarët për kujdes të shtuar gjatë asaj periudhe kur kemi këso fenomene natyrore, ndërsa Drejtoritë Komunale për Emergjenca si dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, duhet të jenë në gjendje gatishmërie, për t’u ndihmuar qytetarëve në rast të ndonjë nevoje,” - shton z. Ahmeti.

Tutje, drejtori i SPRC-së ka thënë se stuhitë parashihen të vazhdojnë edhe ditëve në vijim dhe kësisoj ato mund të shkatojnë dëme.

Erërat e forta dhe stuhia që kanë goditur vendin tonë dhe parashihen të vazhdojnë edhe ditët në vijim në vendin tonë, hyn në kategorinë e fatkeqësive natyrore, dhe si të tilla mundë të jenë mjaft të rrezikshme dhe të shkaktojnë dëme, duke filluar nga dëmtimi i shtëpive dhe pullazeve, zhvendosja apo hedhja e objekteve të ndryshme, shkulja e drunjve, etj. duke rrezikuar edhe vetë jetën e njerëzve ashtu siç ndodhi në Prishtinë, ku fatkeqësisht një i ri humbi jetën nga rrezimi i një lisi”, ka thënë ai.

Tre të vdekur si pasojë e motit

Në anën tjetër për shkak të erërave të forta dhe shkarkimeve të rrufeve, kanë vdekur tre qytetarë të vendit.

Si pasojë e një stuhie, një lis ra në lagjen Pejton të Prishtinës. Ai e zuri Erdin Haxhiun nga Podujeva duke e lënë të vdekur, përderisa një grua tjetër mbeti e lënduar rëndë.

Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrezuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën përderisa e lënduara tjetër femër poashtu rreth 30 vjeç  është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, konfirmuan nga Policia e Kosovës.

Si pasojë e motit të ligë, një tjetër person ka humbur jetën në Rahovec. Ai është goditur nga rrufeja.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona, shtetas turq, dyshohet se janë goditur nga rrufeja në fshatin Zatriq të Rahovecit të hënën rreth orës 15:55, ku njëri prej tyre ka ndërruar jetë pasi është dërguar në spitalin e Prizrenit.

Sipas Policisë, viktima është i vitit 1988, kurse tjetri i lënduar është i lindur në vitin 1994. Ky i fundit ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, dhe pastaj për në QKUK.

Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjakovës ka thënë se gjendja e të lënduarit është jashtë rrezikut për jetë.

Në vend-ngjarje kanë dalë njësitet relevante të policisë si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit, sipas të cilit është inicuar rast Hetim i Vdekjes”, ka thënë Sheremet Elezaj.

Po ashtu edhe para disa ditëve një 55-vjeçar nga fshati Petrovë e Prizrenit ka gjetur vdekjen, derisa është goditur nga rrufeja teksa po punonte në arën e tij.

Kutjojmë se edhe vende të tjera në rajon por edhe në Evropë, janë ballafaqur me mot me stuhi e vërshime të mëdha.

Tjera nga autori:
1