Të shtunën qindra persona u bashkuan në marshin ‘‘PRIDE’’ (shq. Krenari) në Tiranë. Ata po i jepnin mbështetje komunitetit LGBTQ+. Marshuesit kërkonin të drejtat themelore të pjesëtarëve të komunitetit, grup shoqëror që vazhdon të jetë ndër më të diskriminuarit në Shqipëri.
Raportet ndërkombëtare tregojnë se pos gjuhës së urrejtjes, e diskriminimit në forma të ndryshme, pjesëtarët komunitetit LGBTQ+ përballen në shumë raste edhe me dhunë fizike. Pjesëtarët e komunitetit, po ashtu, diskriminohen e përballen me barriera në vendin e tyre të punës për shkak të orientimit seksual që nuk përkon me orientimin seksual të shumicës.
Nën parullën kryesore ‘‘Ne jemi familje’’, marshuesit i kërkonin shtetit shqiptar të luftojë diskriminimet dhe paragjykimet kundër homofobisë, transfobisë e bifobisë.
“Këta njerëz duhet të jenë të lirë. Të gjithë duhet të jemi të lirë. Jetoni jetën tuaj, jetoni me dashuri, e me ngjyrja” – thoshte për mediet një marshuese nga sheshi ‘‘Dëshmorët e Kombit’’ në Tiranë.
Shumë pjesëtarë tjerë të komunitetit LGBTQ+ që u intervistuan potencuan diskriminimet, paragjykimet e përjashtimet që kanë përjetuar për shkak të orinetimit të tyre seksual.
Asnjë nga liderët shtetëror, a politikanë tjerë, nuk ishte në krah të marshuesve që kërkonin respektimin e garantimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Shteti shqiptar së paku me legjislativ garanton të drejtat e pjesëtarëve të kominitetit LGBTQI.
Në krah të marshuesve ishin përfaqësues të disa diplomacive të stacionuara në Tiranë.
Parada e sivjetme vjen pas dy viteve ndëprerje për shkak të pandemisë.
Në anën tjetër, paradat e tilla janë mbajtur me shumë sukses edhe në kryeqytetin e Kosovës dhe kanë tërhequr praninë edhe të disa politikanëve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kritikuar për mos-praninë e tij në paradë gjatë viteve të kaluara por gjatë këtij viti i ka dalë në mbrojtje Draft-Kodit Civil që synonte legalizimin e bashkëjetesave mes personave të seksit të njëjtë.
Draft-Kodi Civil edhe më tej nuk është rikthyer në Kuvendin e Kosovës për debatin dhe miratim.