<b></b> Në kurriz të pacientëve - ‘masakra’ që po u bëhet kosovarëve në spitalet turke

Në kurriz të pacientëve - ‘masakra’ që po u bëhet kosovarëve në spitalet turke

08.06.2022 15:12

Ka një javë që KOHA ka nisur me publikimin e serisë së hulumtimit për abuzimet në Programin e trajtimit të pacientëve jashtë Institucioneve Publike shëndetësore, gjatë shtatë vjetëve të fundit. Hulumtimi i këtij mediumi ka ngritur shqetësime për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që s’gjejnë shërim në Kosovë.

Kosovarët vazhdojnë të trokasin në dyert e spitaleve të huaja për të gjetur shërim për sëmundjet nga të cilat ata lëngojnë. Në të shumtën e herave, shpenzimet e trajtimit i mbulon shteti përmes Programit për Trajtim jashtë Institucioneve Publike. Por jo gjithçka në këto spitale shkon mirë për pacientët tanë.

KTV që disa ditë ka nisur episodet me rrëfimet e frikshme të pacientëve kosovarë, të cilët me muaj janë trajtuar në spitalet turke. Por shumica nga ta, trajtim të mirëfilltë pak kanë marrë atje.

Hulumtimi tregon se si afër 70 milionë euro u janë paguar spitaleve private brenda e jashtë shtetit në Programin e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore, gjatë shtatë vjetëve të fundit. Kjo shumë megjithatë nuk përmbyll shumën që Fondi për Sigurime Shëndetësore u detyrohet spitaleve private. Hulumtimi i KOHËS ka nxjerr në pah të dhënën sipas së cilës borxhi ndaj tyre, gjatë katër vjetëve, ka arritur në afro 30 milionë euro.

Rrëfimi i pacientes që i vdiq djali nga një sëmundje: U diagnostikua vonë në Kosovë

Fondi i Sigurimit Shëndetësor rrallëherë mban evidenca se si pacientëve kosovarë po u shkon trajtimi në spitalet të cilat ata i kanë referuar. Si rrjedhojë kjo bën që familjeve t’u kërkohen para kesh e të mbesin pa zgjidhje në Turqi.

Dramat që familjarët e pacientëve i kanë rrëfyer për KOHËN, dëshmojnë për një program të keqmenaxhuar, të pakontrolluar, e që ka derdhur miliona jashtë shtetit.

Nëna Shqipe Nikqi e ka pak metra larg shtëpisë verore varrin e të birit, Gentit.

Djali kësaj zonje i ka vdekur vitin e kaluar në një spital në Turqi. Diagnostikim i vonshëm dyshohet se i ishte bërë në Kosovë, ndërsa ishte dërguar pa vetëdije, me aeroplan special, në spitalin Memorial në Turqi.

Ai u mbajt në jetë për dy javë i lidhur për aparatura. Fondi i Sigurimit Shëndetësor kishte lëshuar fletëzotim financiar për trajtimin e tij, gjë që nënkuptonte që spitali më nuk do t’i kërkonte para, por ajo rrëfen se një ditë para se t’i vdiste i biri, përkthyesja shqiptare i kërkoi sërish para.

Pas 65 mijë eurove më kërkonin pare, më kanë thirrë bile prej hotelit që me ardhë aty se... ‘djali yt u hy për të tretën javë, janë shku qeto pare edhe djalit duhesh me i pagu apet pare’”, thotë ajo tek shton se shpenzimet për të birin e saj ishin rreth 35 mijë.

“Edhe unë e kam ba hesap. Janë dhënë 65 mijë, djali jem i bike 35 mijë. Edhe ishin bo dy javë prej që djali jem kish mbërri në Turqi. Ata ‘po’, unë ‘jo’ deri sa ua qita me datë”, shpjegon ajo në një deklaratë për KTV-në.

Shqipja kishte mbledhur para edhe nga qytetarët e Kosovës, nëpërmjet apeleve publike. Sot gati një vit pas, ajo do të donte që të mos e kishte kaluar atë eksperiencë në Turqi.

“Për një nanë ma s’ka jetë. Jeton me një dhimbje të madhe. Ama ma e kënaqun kisha qenë me m’thanë në Prishtinë e ka përfundu djali yt. Ishin veç tri ditë që nuk kisha folë me të. Maltretim ma të madh për të s’ka”, rrëfen ajo.

Por as në spitalet turke, pacientët kosovarë nuk e kanë gjetur rehatinë e premtuar nga shteti i Kosovës për kurimin e sëmundjeve nga të cilat ata lëngojnë. Shumë parregullsi që po ndodhin atje janë shfaqur së fundmi nga grupi Koha, përmes hulumtimeve që ky medium i ka publikuar që disa ditë.

E lidhur me këtë skandal, pas disa ditëve kanë reaguar edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria ka pranuar me shqetësim raportimet e fundit në media lidhur me abuzimet me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP)”, thuhet në reagim.

Tutje, aty cilësohet se për Qeverinë është me rëndësi të veçantë auditimi i thukët i tërë këtij procesi, e secilit transaksion që ka kaluar nëpër Programin e TMJIShP, duke u fokusuar në faktin dhe nivelin e marrjes së shërbimeve shëndetësore për pacientin, arsyeshmёrinё e kostos sё shërbimit tё ofruar, rregullsinë e procesit që prej fillimit deri në fund, provizionimin nё fond pёr zotimet e ofruara, validitetin e faturave, pagesave, etj.

“Qeveria qëndron tërësisht në anën e kërkesave të pacientëve e të publikut të gjerë dhe do të marrë të gjitha masat e duhura e të ushtrojë brenda kuadrit ligjor kontroll të rreptë në FSSh, që të sigurojë funksionimin e mbikëqyrjen e Programit me qëllim që pacientët të marrin shërbimet e kërkuara. Ky shërbim do t’i kthehet normalitetit, kurse abuzimet në të kaluarën të hetohen.”

Qeveria do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunimin organeve të drejtësisë për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Programi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike funksionon që gati dy dekada, por rritja e parave nga ky program ka ndryshuar dukshëm në 5 vjetët e fundit.

Gjatë hulumtimit disamujor, KOHA ka analizuar se ku kanë përfunduar këto para.

Nga të dhënat e siguruara del që spitalet turke që në vitin 2013 kishin dhjetëra e mijëra euro pagesa nga ky fond, në vite të ardhurat i rritën në miliona euro. Shumica e parave kanë shkuar për trajtimin e sëmundjeve të rënda te fëmijët.

Përderisa shpenzimet janë rritur, në QKUK thonë se nuk kanë vërejtur rritje të rasteve.

Reagojnë nga Qeveria: Askush nuk guxon të abuzojë në emër të pacientëve

Lidhur më këtë skandal, pas disa ditësh kanë reaguar edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria ka pranuar me shqetësim raportimet e fundit në media lidhur me abuzimet me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP)”, thuhet në reagim.

Tutje aty cilësohet se për Qeverinë është me rëndësi të veçantë auditimi i thukët i tërë këtij procesi, e secilit transaksion që ka kaluar nëpër Programin e TMJIShP-së, duke u fokusuar në faktin dhe nivelin e marrjes së shërbimeve shëndetësore për pacientin, arsyeshmёrinё e kostos sё shërbimit tё ofruar, rregullsinë e procesit që prej fillimit deri në fund, provizionimin nё fond pёr zotimet e ofruara, validitetin e faturave, pagesave, etj.

“Qeveria qëndron tërësisht në anën e kërkesave të pacientëve e të publikut të gjerë dhe do të marrë të gjitha masat e duhura e të ushtrojë brenda kuadrit ligjor kontroll të rreptë në FSSh, që të sigurojë funksionimin e mbikëqyrjen e Programit me qëllim që pacientët të marrin shërbimet e kërkuara. Ky shërbim do t’i kthehet normalitetit, kurse abuzimet në të kaluarën të hetohen.”

Qeveria do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunim organeve të drejtësisë për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Rifat Latifi i quan kriminelë ata që u pasuruan në kurriz të pacientëve

Kriminelë që merren me shëndetin e që përdorin sëmundjen e pacientit si mënyrë që të pasurohen në mënyrë të paligjshme i ka quajtur ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të përfshirët në skandalin e abuzimeve me fondin për trajtim të pacientëve jashtë shtetit. Ministri ka paralajmëruar masa duke thënë se më “kjo s’do të kalojë”.

“Problemi kryesor është se ne si shtet s’kemi marrëdhënie bilaterale me një ose ma shumë shtete për trajtimin e pacientëve tanë. Ne s’mund t’i kemi të gjithë specialistët. Ka sëmundje të rralla e diagnoza që s’mund t’i kemi secilën ekspertizë, dhe na duhet t’i dërgojmë për trajtim jashtë vendit. Por ne po i dërgojmë edhe me diagnoza rutinore për shumë arsye. Sepse ua kemi bë të mundshme, dhe nën dy, sepse u themi shkoni ku të doni. Pastaj janë aktivizuar disa struktura, disa që i shohim e disa që s’i shohim. Kjo është e tmerrshme. Kur kam shkuar te Fondi, para se të shkoja, kam pa disa ‘dyqane’ që merren me dërgimin e pacientëve jashtë. Pacienti s’e ka asnjë faj. S’ka faj hiç. Ne kemi faj, ne jemi fajtorë. Ju siguroj se krejt çka është e mundshme, të gjitha këto raste, i gjithë ky proces, ka për t’u shikuar me mikroskop. Kjo ka për t’u ndalur”, ka deklaruar Latifi.

Tjera nga autori:
1