<b></b> Obiliqi mushkëri-sëmurë në alarm: Dhjetë mjekë pritet ta lënë punën

Obiliqi mushkëri-sëmurë në alarm: Dhjetë mjekë pritet ta lënë punën

11.05.2022 09:35

Dhjetë profesionistë shëndetësorë të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Obiliq janë në pritje të kompletimit të dokumentacionit për ta lënë Kosovën për një punë në Gjermani. Megjithatë, shumë kolegë të tyre, tashmë janë sistemuar me punë në këtë shtet. Si rrjedhojë, Kosovën brenda një muaji në bazë të të dhënave nga Oda e Mjekëve po e lënë rreth 20 mjekë. E vendi për pak vite rrezikon të mbetet pa mantelbardhë.

“Mjekët po ia sigurojnë “pagën” vetes “dhunshëm” për ta dhe për pacientët”, kështu po i shpreh pakënaqësitë e tij oftalmologu i QKUK-së, Florim Zejnullahu, lidhur me sistemin shëndetësor në Kosovë.

Njëjtë si Zejnullahu, mendojnë edhe shumë mjekë të tjerë. Kjo duke u  bazuar në të dhënat nga Oda e Mjekëve. Sipas këtij institucioni, Kosovën në katër muajt e parë të këtij viti e lanë 87 mjekë.

“Për katër muaj muaj, 87 mjekë janë larguar nga Kosova. Javën e kaluar numri i atyre që e kanë lënë vendin ka qenë 76, pjesa tjetër janë larguar përgjatë këtyre ditëve”, ka deklaruar për Nacionalen, Pleurat Sejdiu nga OMK.

Dhjetë mjekë të Obiliqit në pritje të përgjigjes për ta lënë Kosovën

Por, krahas këtyre janë edhe shumë mantelbardhë të tjerë që po presin ta lënë Kosovën. Këtë po e konfirmon drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Obiliq, Haki Jashari.

“Dy mjekë të qendrës sonë tashmë kanë shkuar për të punuar jashtë vendit. Por janë në procedurë për të shkuar edhe minimum 10 mjekë, të cilët pritet me shku. Ne si qendër mbesim shumë keq”, thotë Jashari.

Ai apelon te institucionet që me politikat e tyre ta ndalin këtë trend të ikjes së mjekëve nga Kosova.

“Shteti, dikush duhet të bëjë diçka që me i ndalë këta mjekë që të mos ikin nga vendi. Situata ngjashëm si te ne është edhe në komuna të tjera, si në Deçan e Han të Elezit. Mjekët po ikin. Brenda pak vitesh vendi do të mbesë pa profesionistë shëndetësorë. Shteti duhet të hartojë politika se shtetet po i marrin të gatshëm ekspertët nga vendi ynë”, thotë ai.

Për shkak të termocentraleve, Obiliqi vlen të thuhet se është mes qyteteve me ajrin më të ndotur në Kosovë. Në mos qoftë më i ndoturi.

Në mungesë të profesionistëve shëndetësorë, pacientët po presin gjatë për operime

Në mungesë të profesionistëve shëndetësorë, në shumë klinika kosovare janë krijuar lista të  gjata me pacientë të cilët kanë nevojë për operim.

Si rrjedhojë rreth 2 mijë pacientë e presin një anesteziolog në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare

Aktualisht në këtë Klinikë vetëm një sallë është në shfrytëzim për shkak se tash e një muaj klinika ka vetëm një anesteziolog.

Sipas drejtorit, për aq kohë sa klinika kishte dy anesteziologë vëllimi i punës ka qenë më i lartë, mirëpo me vetëm një anesteziolog ai thotë se nuk mund të kryhen më tepër intervenime, duke potencuar edhe mungesën e shtretërve për hospitalizim të pacientëve.

“Në klinikën tonë momentalisht vetëm një sallë punon pasi në funksion e kemi vetëm një anesteziolog, e në atë sallë duhet të kryhen intervenime të cilat nëse nuk kryhen, mund të kenë pasoja të gjata për pacientin. Arsyeja se përse kemi listë të pritjes ne në Klinikë është nga mungesa e anesteziologëve”, ka deklaruar për Nacionalen, drejtori i Klinikës Vasklulare të QKUK-së, Hajriz Rudari.

Në anën tjetër vendi po përballet edhe me mungesë të anesteziologëve. Në të gjitha institucionet shëndetësore publike në vend punojnë 92 specialistë të kësaj fushe. Kurse, vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë, janë 51 anesteziologë. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1