<b></b> Sa rrezikohet Kosova nga Lija e Majmunëve?

Sa rrezikohet Kosova nga Lija e Majmunëve?

04.06.2022 09:43

Në Kosovë mund të ketë raste të paraqitura me Linë e Majmunëve. Por vendi nuk do të përballet me shpërthim epidemik kërcënues. Kështu po deklaron për gazetën Nacionale, infektologu, Salih Ahmeti.

Ahmeti gjatë një interviste për Nacionalen ka deklaruar se mundësinë e shfaqjes së këtij virusi në Kosovë nuk duhet ta eleminojmë, por që sipas tij, qytetarët nuk duhet të ngrejnë panikë

Unë mendoj se mund të kemi raste . Por nuk do të kemi ndonjë shpërthim epidemik kërcënues i cili do të kishte përmasa si të Covid-it. Por, mundësinë e shfaqjes së rasteve, nuk duhet ta eliminojmë", thotë ai.

Ahmeti përmend rastet kur në vitin 2010 në Kosovë u paraqit malaria për herë të parë.

" Do ta ndërlidhja me Malarien. Ne asnjëherë deri në vitin 2010 nuk e kemi pasur. Atë vit kemi pasur rastet e para jo-autoktone, por te personat që kanë qenë me punë të përkohshme në vendet afrikane që janë endemike. Dhe njëjtë, mendoj se mund të kemi ndonjë rast, por jo ndonjë shpërthim kërcënues epidemiologjik me Linë e Majmunëve”, ka deklaruar Ahmeti për Nacionalen.

Por në Klinikën Infektive të QKUK-së, tashmë është një rast si i dyshuar për Linë e Majmunëve. Analizat laboratorike për të vërtetuar nëse i njejti është i prekur nga ky virus tashmë janë në proces.

Nga Klinika Infektive i thanë Nacionales të shtunen se situata është nën kontrollë dhe se rasti është totalisht i izoluar.

Hollësitë i japin nga Ministria e Shëndetësisë. Nuk ka nevojë për panikë. Rasti është i izoluar”, i thanë gazetës të shtunën zyrtarë nga QKUK.

E Infektologu Hamdi Ramadani thekson se nëse një person preket nga ky virus, atëherë ai duhet të izologet dhe jetëgjatësia e virusit në trupin e njeriut sipas tij zgjatë deri në dy javë.

Tash për tash sëmundja kalon pa ndonjë komplikim. Të sëmurët me ‘Linë e Mamujnëve’, rekomandohet të ndalen të izolohen dhe të hospitalizohen për shtatë ose dhjetë ditë  shkak të  kufizimit dhe përhapjes. Ecuria e sëmundjes shkon nga shtatë deri në dhjetë ditë e në rrallë deri në 14 ditë.”, thotë ai për Nacionalen.

Çka është Lia e Majmunëve

Lia e majmunëve është një virus që mund të shkaktojë ethe dhe dhimbje dhe, kryesisht, shfaqet me puçrra të fryra të kuqe.

Ajo lidhet me linë, por zakonisht është më e butë, e sidomos varianti i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë vdekshmërie prej rreth një për qind.

Shumica e njerëzve shërohen plotësisht për dy deri në katër javë, ka thënë zyrtari amerikan.

Zakonisht është i butë, megjithëse ka dy lloje kryesore: lloji i Kongos, i cili ka një shkallë vdekshmërie deri në 10 për qind dhe i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë vdekshmërie prej një për qind.

Virusi përhapet nga kontakti i ngushtë, si nga kafshët ashtu edhe nga njerëzit.

Ajo u gjet për herë të parë te majmunët në vitin 1958, prandaj u emërtua “linja e majmunit”, megjithëse brejtësit konsiderohen tani si bartësit kryesorë.

Virusi nuk transmetohet lehtë sikurse virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë globale COVID-19.

Ekspertët besojnë se lia e majmunit përhapet nga kontakti i ngushtë - lëkurë me lëkurë - me dikë që ka skuqje aktive.

“COVID përhapet përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe është shumë infektiv. Kështu nuk duket se është rasti me linë e majmunit”, thotë Martin Hirsch, nga Spitali i Përgjithshëm në Masaçusets të SHBA-së.

“Ajo që duket se po ndodh tani, është se [lia] ka hyrë në popullatë si formë seksuale, si formë gjenitale dhe po përhapet sikurse infeksionet që janë seksualisht të transmetueshme”, ka thënë zyrtari i OBSH-së, David Heymann, po ashtu specialist i sëmundjeve infektive, për agjencinë e lajmeve Reuters./Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1