<b></b> Për 2 muaj Kosova shpenzoi gati dy milionë euro për trajtim të pacientëve jashtë vendit

Për 2 muaj Kosova shpenzoi gati dy milionë euro për trajtim të pacientëve jashtë vendit

14.05.2022 08:34

Kosovarët po vazhdojnë të vuajnë për një sistem të denjë shëndetësor. Institucionet shëndetësore nuk po u ofrojnë qytetarëve gjënë më elementare në demokraci - shëndetin. Si rrjedhojë, kosovarët edhe 22 vjet pas luftës vazhdojnë të trokasin dyerve të spitaleve të huaja, kryesisht në Turqi, për të gjetur shërim për sëmundjet nga të cilat ata vuajnë. Si rrjedhojë, veç për dy muaj, nga buxheti i vendit për trajtim të qytetarëve jashtë institucioneve publike shëndetësore janë shpenzuar gati dy milionë euro.

Për muajt mars dhe prill, 209 kosovarë kanë kërkuar ndihmë financiare në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, saktësisht në Programin për Trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore.  

Zyrtarë të këtij institucioni i kanë thënë gazetës Nacionale se shumica prej tyre kërkojnë kurim për rastet kardiokirurgjike te fëmijët me leukemi si dhe sëmundje të tjera malinje.

Për dy muaj janë shpenzuar gati dy milionë euro

Shumë sëmundje të rënda vazhdojnë të mos kurohen në Kosovë. E numri i kosovarëve që po preken nga këto sëmundje, kryesisht malinje, është i lartë. Si pasojë, kosovarët po detyrohen të trajtohen në shtetet përreth.

Për 209 raste që kanë kërkuar trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 1,794,986.21 euro.

E shtetet në të cilat pacientët zgjedhin të trajtohen janë Turqia, Shqipëria dhe Maqedonia.

Kosova i ka miliona euro borxh spitaleve turke

Turqia është destinacioni kryesor i pacientëve kosovarë që nuk gjejnë shërim në spitalet publike të Kosovës. Por, spitalet turke vështirë se do t'i pranojnë pacientë kosovarë falas për trajtim pa u paguar borxhi prej 25 milionë eurove që shteti i Kosovës ua ka borxh këtyre spitaleve.

Ky borxh raportohet se nuk është paguar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Për këtë borxh ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ka konfirmuar borxhin e Kosovës ndaj spitaleve turke. Ai ka treguar se pa u paguar ky borxh, shteti i Turqisë nuk do të pranojë më pacientë për trajtim falas.

“I kam kërkuar që të vazhdohet trajtimi i pacientëve nga Kosova. Më tha ju duheni një herë të na paguani borxhin prej 25 milionë Eurosh”, ka deklaruar Latifi gjatë një tryeze të mbajtur me drejtuesit e SHSKUK-së.

Nga Kosova, gjatë vitit të kaluar në spitalet turke janë trajtuar vetëm 17 pacientë, në vitin 2020 janë trajtuar 33 pacientë, në vitin 2019 janë trajtuar 100 pacientë, kurse në vitin 2018 janë trajtuar 64 pacientë, sipas të dhënave të publikuara nga Gazeta Shneta.

Në anën tjetër, Kryesuesja e Bordit Ekzekutiv të Programit për Trajtim Jashtë Vendit, Kadrije Sherifi, ka thënë se 666 lëndë kanë qenë në pritje për shqyrtim nga viti 2019 dhe për të njëjtat nevojiten mbi 28.1 milionë euro.

Sherifi ka thënë në prezantimin e saj se buxheti total në dispozicion për këtë program për vitin 2022 është 7 milionë euro dhe 270 mijë euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Turqia është porta kryesore e pacientëve kosovarë që nuk gjejnë shërim në spitalet publike të Kosovës. Shkuarja e tyre në spitalet private turke bëhet kryesisht përmes ndërmjetësuesve në Prishtinë./Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1