<b>Përditshmëri pa gazeta: </b> Kiosqet dhe gazetat e dikurshme nëpër Prishtinë

Përditshmëri pa gazeta: Kiosqet dhe gazetat e dikurshme nëpër Prishtinë

03.05.2022 17:15

Kosova nuk e ka asnjë gazetë të shtypur. Pikë. Fakti që një shtet me gati dy milionë banorë nuk e ka asnjë gazetë të shtypur përbën lajm përditë, anipse është fakt i njohur e i ditur gjerësisht. Se çka ndodhi me to, do ta merrni vesh përmes këtij artikulli që i kushtohet Ditës së Lirisë së Shtypit.

Paraqitja e rasteve të para me Covid-19 në Kosovë, më 13 mars 2020, zhduku nga kiosqet edhe gazetat e shtypura. Nga frika e përhapjes së koronavirusit, atë natë Qeveria vendosi të fuste vendin në karantinim të përgjithshëm, derisa shtëpitë botuese njoftuan se të nesërmen ishin numrat e fundit të gazetave që do të shisnin.

Shtypja e ditoreve do të ndalej përkohësisht për shkak të gjendjes së re pandemike, çka pamundësonte veprimtarinë e tyre botuese. Brenda këtyre dy viteve masat anti-Covid shpesh u lehtësuan, por gazetat më nuk u rikthyen kurrë në kiosqe. 

Kjo ka zhgënjyer pronarët e kiosqeve, meshën e tretë, e cila është informuar kryesisht përmes gazetave dhe gazetarët që kanë punuar në këtë lloj gazetarie. Pavarësisht kërkesave për rikthim të gazetave të shtypura, nga marsi i vitit 2020 asnjë gazetë nuk ka dalë në tregun kosovar. 

“Na kanë marrë në qafë”, thotë Sadete Krasniqi, pronare e një kiosku të veçantë në Prishtinë, për mungesën e gazetave të shtypura tash e dy vjet. 

Pensionistja tash e 20 vjet ka në pronësi kioskun që gjendet para ish-ndërtesës të ish-shtëpisë botuese “Rilindja”, që për gati gjysmë shekulli pati monopolin e botimit të gazetës në Kosovë. “Rilindja” me monopol ishte edhe në rrjetin shpërndarjes, dhe ku përmes këtij rrjeti janë shpërndarë gazeta e revista edhe përgjatë viteve të ‘90-ta, e po ashtu pas lufte – bile ishte rrjeti i vetëm funksional edhe deri para dy viteve.   

“Te unë gjithë kem shitë ma shumë gazeta”, thotë Krasniqi, përderisa tregon se tash e dy vjet shet rrallë ndonjë çamçakëz e më shumë cigare, e për disa revista të vjetra që mban në kiosk as që do të flasë, pasi janë aty që disa vjet dhe nuk janë shitur, dhe që thotë se nuk e di as pse po e mban çelë kioskun.  

“Ishalla po ia nisin [me botu] apet. Na veç t’u shitë gazeta kemi mbijetu, ma s’po shitet sen. U kanë njëfarë kulture dikur me ble [gazetën]”, thotë ajo nga dritarja e ngushtë e kioskut, i cili është kiosku i vetëm i vjetër i “Rilindjes” në kryeqytet.

Para ndërtesës së Radiotelevizionit Publik, është kiosku i Ibrahim Gashit.
56-vjeçari kishte nisur punën aty në vitin 1986.

Për dekada produktin më të shitshëm ai kishte gazetat.  

Më 14 mars 2020, Gashi kishte marrë kontingjentin e fundit me gazeta: 20 copë e përditshmja “Zëri”, 20 copë “Epoka e Re”, 10 copë të “Bota Sot”, dhe 20+20 të të përditshmes “Koha Ditore”.
Ai ende mban bllokun e “Rilindja Age” sh.p.k me porosinë e fundit të gazetave të shtypura dhe që për vite ishin të vetmet ditore që shpërndaheshin në vend.  

“Sot shesim vetëm këto gazetat javore”, thotë tregtari i moçëm i gazetave. 

Për dekada, shitja e gazetave ishte ajo çka ia mbante gjallë biznesin Gashit, kjo edhe për shkak të pozitës para televizionit, pastaj afër kampusit universitar, si dhe pozita afër qendrës së qytetit dhe që vazhdon t’i përmendë si përparësi edhe sot.

Ama sot, sipas tij, janë pijet, cigaret e çokollatat ato që ia mundësojnë pazarin ditor.

Megjithatë, para kioskut ai mban një raft me gazeta. 

“Keni kujdes ju lutem, krejt këto janë gazeta javore dhe vijnë nga Shqipëria”, thotë Gashi, përderisa i shfletonte disa prej tyre, e vazhdonte të përmendte se ato janë gazeta javore letrare, shëndetësore dhe disa fletushka me fjalëkryqe. 

Më tej, ai tregon moshën e njerëzve që edhe sot vijnë aty për të kërkuar gazeta.

“Janë këta mosha e tretë që po i thonë, duket se nuk janë mësu ende me lexu me teknologji”, tregon ai.

E, më me mllef është Sadete Krasniqi kur bëhet fjalë për kërkesat për gazeta ditore. 

“Kur s’ka - lypin, kur ka - s'i marrin”, thotë ajo. 

Çka tregon mungesa e publikimit të gazeta në Kosovë?

Zhgënjimin me mungesën e gazetave të shtypura e kanë shprehur edhe gazetarët që për vite të tëra kanë punuar në këtë lloj gazetarie.

“Dyshoj që ka shtet në botë që sot nuk ka gazetë ditore të shtypur, përveçse ne në Kosovë”, thotë Anita Kadriu që për 20 vjet ka punuar nëpër gazeta të ndryshme të shtypura. 

Gazetarja e dikurshme insiston se kërkesat për gazetë të shtypur ditore nuk vijnë nga nostalgjia, siç mendon shumëkush, por kjo kërkesë më shumë lidhet me “besueshmërinë e lajmit që përmes gazetës ditore është përcjellë te lexuesi për një periudhë të gjatë kohore”. 

Ajo nuk u beson shtëpive botuese që thonë se pandemia ishte ajo që ndali botimin e gazetave të shtypura ditore, duke theksuar se këtë veç e kanë përdorur si arsyetim, pasi kushtet financiare ishin ato që shtynë drejt këtij vendimi. 

“Mediat e shkruara filluan rënien e tyre para pandemisë. Aksionarët apo biznesmenët që financuan mediat e shkruara, qoftë publikisht, apo mbrapa tyre, viteve të fundit i panë ato si mundësi për inkuadrimin në politikë, prag për kapërcim në politikë, përkrahje të politikanëve për t’i shfrytëzuar ata më pas për interesa të tyre biznesore, dhe shumë pak për të realizuar misionin e vërtetë të medias”, vazhdon Kadriu. 

Ajo thotë se rënia e gazetave ditore kishte nisur 5 apo 6 vite më parë.

“U ngushtua hapësira e veprimit për gazetarët dhe hulumtimet e tyre, jo vetëm nga ndërhyrjet nga jashtë, por edhe nga fillimi i shkurtimit të stafit, ulja e pagave, mungesa e kushteve të punës”, vlerëson Kadriu.

Ajo insiston se këtyre viteve është parë se gazetat e shtypura ditore rrezikoheshin furishëm pasi veçse shihej mosinteresimi për të financuar në media të shtypura. Sipas saj, pandemia u hapi rrugë pronarëve të mediave të shpikin arsyetimin “financiar” për mbylljen e botimit dhe kalimin në media online.

Gazetarja Kadriu e sheh të rëndësishëm kthimin e gazetave të shtypura ditore pasi, ajo vlerëson se gazetat e shtypura ditore i ruajnë kriteret dhe standardet e gazetarisë, duke shtuar se ka ende gazetarë, redaktorë dhe kryeredaktorë që mundohen të ruajnë kriteret e profesionalizimit.

Në gazetat online, ka shtuar Kadriu, lufta për klikime ka ulur nivelin e lajmeve e artikujve profesionalë në vendin tonë.

“Në media online ka më shumë gazetarë për lajme ‘copy-paste’ e rrallë ndonjë hulumtim, artikull profesional, gjë që pamundëson dhe një gazetar i punësuar i ri të mësojë siç duhet gazetarinë e ta praktikojë. Ai pra mendon që lajm përbën edhe vetëm një status i dikujt”, thotë ajo. 

Mediat online po mbahen me dy apo tre gazetarë që nuk kanë mundësi të kryejnë ndonjë temë gjatë ditës. 

“Në gazetë ditore artikulli nuk ka shkuar në botim pa u plotësuar kriteret. Kjo po ndodh në shumë media botërore, por ato në Kosovë e Shqipëri nuk po i japin sa duhet përparësi transferimit profesional nga gazeta e shkruar në atë online”, ka deklaruar Kadriu. 

Në këtë mënyrë Kosova është bërë vendi i vetëm në rajon dhe në Evropë që për dy vite nuk nxjerrë asnjë gazetë të shtypur. Madje, në komunat me shumicë serbe në Kosovë vijnë disa gazeta të shtypura prej shtetit të Serbisë.

Tjera nga autori:
1