Pezullohen lejet e lëshuara ndaj kompanisë që mësynte ndërtimin e fabrikës së çimentos në Klinë - NACIONALE

Pezullohen lejet e lëshuara ndaj kompanisë që mësynte ndërtimin e fabrikës së çimentos në Klinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës sot ka marrë vendim për pezullimin e lejeve të lëshuara ndaj kompanisë Wallingford International Kosovo për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Dollc të Klinës.

Lajmin për Nacionalen e ka konfirmuar Veton Rraci, një prej organizatorëve të protestës së banorëve të fshatit Dollc për kundërshtimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos.

Procedurat për lëshimin e lejeve ndaj kompanisë Wallingford International Kosovo kishin nisur në vitin 2019, dhe ku përfshiheshin Komuna e Klinës, Ministria e Ambientit, Ministria e Bujqësisë, dhe dikur ishte përfshirë edhe Ministria e Administristratës Publike.

Ministria e Ambientit më 17 mars 2021 nxirrte ‘‘Vendim për Pëlqim Mjedisor për Fabrikën për prodhimin e Çimentos në lokalitetin Dollc, Komuna Klinës’’, pas kërkesës së kompanisë të bërë në drejtim të ministrisë.

Kjo i hapte rrugë kompanisë Wallingford International Kosovo për ndërtimin e fabrikës në pronë publike me sipërfaqe 35 hektarë 20 ari e 94 metra katrorë.

Paraprakisht edhe Komuna e Klinës kishte nxjerrë vendim dhe e kishte pajisur me leje përkatëse kompaninë.

Kuvendi Komunal i Klinës ka votuar për të tërhequr lejet e lëshuara për kompaninë, mirëpo së fundmi Komuna e Klinës ka lëshuar leje të ndërtimit për kompaninë në fjalë, anipse vendimi është kundërshtuar e po kundërshtohet nga banorët. Komuna është arsyetuar se vendimit të saj i kanë paraprirë vendimet e disa ministrive.

Gjatë ditës së sotme, gazeta Nacionale ka raportuar se kompania përfituese, që tashmë i janë pezulluar të gjitha lejet e lëshuara nga Ministria e Mjedisit, qëndron dobët financiarisht me kapital themeltar të kompanisë.

Nuk dihet saktë se sa do të investojë kompania Wallingford International Kosovo L.L.C, mirëpo kanë qarkulluar disa shifra multimilionshe, duke nisur prej 90 milionë euro, e duke u përmendur edhe shifra 220 milionë euro si investim.

Mirëpo, çka bie në sy është se kompania Wallingford International Kosovo L.L.C tek Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve Kosovës (ARBK) nuk ka as për së afërmi shumën e pretenduar për investimin multimilionësh.

Gazeta Nacionale ka gjetur se kompania Wallingford International Kosovo L.L.C ka vetëm 1 mijë euro të deklaruar si kapital themeltar. Kompania nën pronësi të Atdhe Kollçakut, me 100 për qind të aksioneve, ka të regjistruar vetëm një punëtor.

Sidoqoftë, ministria ende nuk e ka bërë publik vendimin e sotëm, anipse ogranizatorët e protestës kanë pohuar nxjerrjen e këtij vendimi për gazetën Nacionale.

Lajme të ngjashme