<b></b> Policia konfirmon se alarmet për bomba në shkollat e Kosovës ishin të rrejshme

Policia konfirmon se alarmet për bomba në shkollat e Kosovës ishin të rrejshme

16.06.2022 10:50

Policia e Kosovës ka konfirmuar se kërcënimet për bomba të vendosura në disa shkolla kanë qenë të rrejshme. Në një njoftim për media PK-ja ka thënë se këto kërcënime janë bërë nëpërmjet formës elektronike dhe linjave telefonike mëngjesin e së enjtes për rreth 30 lokacione në rajone të ndryshme.

PK-ja ka bërë të ditur se ka evakuuar personat në perimetrat e sigurisë, ndërsa do të vazhdojë angazhimin për ruajtjen e rendit kushtetues, garantimin e sigurisë në nivel vendi, si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.

Më herët, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriu, Branislav Radoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se që nga mëngjesi i sotëm janë duke pranuar raportime anonime për bomba në institucionet arsimore, kryesisht shkollat fillore.

"Nxënësit, të punësuarit janë evakuuar, si dhe është siguruar vendi", tha Radoviq, duke shtuar se alarme për bomba kishin arritur në shkollat në të gjitha komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ndërkohë, Nacionale, ka biseduar sot edhe me zëdhënësin e Policisë për Veriun, Bane Radoviq.

Ai ka bërë të ditur se të gjitha ekipet e Policisë së Kosovës janë në terren.

“Po, në të gjitha shkollat fillore në veri të Kosovës kanë pranuar Email për bomba të vendosura. Nxënësit dhe personeli janë evakuuar nga Policia e Kosovës. Njësitet e Policisë janë në terren dhe po kryejnë kontrollet”, ka thënë Radoviq për Nacionalen.

Në mesin e shkollave të cilat janë mbyllur janë edhe  shkollat ‘Branko Radicevic’ në veri të Mitrovicës dhe ‘Vuk Karaxhiq’ në Zveçan.

E kërcënime të ngjashme kanë arritur edhe në disa shkolla të tjera në komunën e Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Ismet Hashani.

“Ju njoftojmë se nga orë të hershme të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës ka pranuar informata nga përgjegjësit e disa shkollave të komunës së Novobërdës, Kamenicës dhe Ranillugut, se përmes Email adresave zyrtare të këtyre shkollave kanë pranuar informatë se ka të vendosura bomba (mjet shpërthyes)”, ka thënë ai.

Alarm të ngjashëm ka pasur disa herë me radhë edhe në Prishtinë. Fillimisht në Stacionin e Autobusëve, pastaj në oborrin e Rektoratit të UP-së disa herë me radhë, e një herë pati kërcënim për bombë edhe në shkollën Xhevdet Doda.

Ndër shtetet e para që pranoi kërcënime për bomba ishte Mali i Zi, i cili që nga muaji mars përballet me alarme të rreme nëpër institucione publike e private.

Qeveria e Malit të Zi javë më parë kishte njoftuar se kishte marrë një email kërcënues, ku thuhet se dërguesi është organizata “Shteti i Burrave” dhe menaxheri i saj Vladislav Podznjakov dhe se ndër kërkesat e tyre është edhe “ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi”.

Në prill arritën emaile në zyrat e komunave, të shkollave dhe policisë, që alarmojnë për vendosje të bombave në disa institucione, në lokacione si: Podgoricë, Nikshiq, Berane, Tivar, Cetinje e Budvë.

Cak i kërcënimeve ishte edhe Serbia. Objektet publike në Beograd kanë qenë cak i raportimeve për vendosje të bombave.

Alarmi i fundit i këtoj lloji ishte dhënë para tri ditëve në edicionin e nëntë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” që po mbahet në Beograd.

E për shpeshtimin e këtyre rasteve për shpërthime, Nacionale ka biseduar me njohësin e fushës së sigurisë, Drizan Shala.

Shala për Nacionalen ka thënë se autoritetet e sigurisë në vend duhet sa më parë të gjejnë autorët e këtyre alarmeve dhe të shikohen se nga cilat adresa po bëhen këto paralajmërime.

“Alarmet në dy ditët e fundit mbi dyshimet që ekzistojnë mjete ekspolozive (bomba) në dy institucione, atë të Rektoratit si dhe në një shkollë në kryeqytet, paraqesin një situatë në të cilën duhet që sa më parë organet e sigurisë të gjejnë autorin/autorët e këtyre mesazheve. Sepse në aspektin e sigurisë, nëse analizohet me vëmendje, mund të vrehet një mozaik tejet interesant që njësitë relevante duhet të merren me këtë, duke shikuar se a kanë lidhje 5 thirrjet për bombë në stacion të autobusëve me dy thirrjet e fundit që kemi hasur këto ditë. Se si janë realizuar këto kërcënime, përmes postës elektronike apo thirrjeve telefonike, nëse është e para, atëherë të vihen në ndjekje përmes krimeve kibernetike. Të lokalizohet se në cilën IP adresë është lidhur e-maili dhe kështu të dihet se kush qëndron dhe çfarë motive mund të këtë autori/autorët e këtyre kërcnimeve”, ka thënë ai.

Tjera nga autori:
1