Që gjashtë muaj ministër, gjashtë herë në vizita jashtë shtetit, tri herë në Amerikë - kjo është puna e Ministrit të Shëndetësisë - NACIONALE

Që gjashtë muaj ministër, gjashtë herë në vizita jashtë shtetit, tri herë në Amerikë - kjo është puna e Ministrit të Shëndetësisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në këta gjashtë muaj sa është në krye të shëndetësisë kosovare, Rifat Latifi gjashtë herë e ka shëtitur botën. Nga Shqipëria në Turqi e nga Turqia në Norvegji e SHBA, janë disa nga destinacionet në të cilat Latifi ka qëndruar përgjatë këtyre muajve. Hairin këtyre vizitave nuk po ia sheh shëndetësia kosovare. Të paktën jo në këtë kohë. Në Amerikë, ku gjendet për momentin, Latifi do të qëndrojë deri në fund të javës. Të premten e kësaj jave, Latifit i bëhen gati tri javë që po qëndron në këtë shtet, e Kosovës i bëhen gati tri javë qëkur shëndetësia i ka mbetur pa zotin e shtëpisë. Këto vizita të Latifit po kritikohen nga shoqëria civile e nga opozita.

Gjatë kohës sa jetonte në Amerikë, ardhjet e mjekut kosovar Rifat Latifit në vendlindje nuk ishin shumë të shpesha. Po në vendin ku ka kontribuar në mënyrë shkencore, në Amerikë, Latifi po shkon shpesh.

Veç brenda këtyre gjashtë muajve sa është në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ministri ynë ka udhëtuar tri herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me datë 5 maj, mjeku Rifat Latifi ateroi për të tretën herë në aeroportin e Nju Jorkut, ku parashihej të merrte pjesë në një konferencë shkencore.

E në Amerikë, Latifi po i bën gati 2 javë që po ‘endet’ në takime të ndryshme. Kjo po kritikohet nga deputetë e nga shoqëria civile.

Bekim Haxhiu nga PDK thekson se Latifi po ik nga problemet e brendshme në VV.

“Duket si një lloj "abstenimi" i Ministrit Latifi pas problemeve të brendshme në Ministri të Shëndetësisë të grupeve të interesit brenda LVV-së”, thotë Haxhiu në një bisedë për Nacionalen.

Haxhiu jep edhe një arsyetim interesant për shkuarjen e Latifit e kryeministrit Kurti në Amerikë.

“Çështja është se a ka shku kryeministri Kurti në Amerikë me bindë ministrin Latifi për me u kthy në Kosovë, apo ka ndonjë takim në Shtëpinë Bardhë?”, konstaton Haxhiu.

E nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve, theksojnë se nuk presin ndonjë mrekulli nga vizita e Latifit në SHBA.

"Ne edhe që e kemi pasë ministrin këtu, nuk është bë diçka e madhe. Ndonjë lëvizje e madhe. Ne nga ky ministër ende nuk kemi ndonjë dokument strategjik që na tregon se kah do ta orientojë shëndetësinë. Ai e ka bë një plan të vetin që nuk po e dimë se nga ka ardhë, qysh do të reflektojë. Vizita në Amerikë uroj të jetë e frytshme”, thotë Besim Kodra nga kjo shoqatë.

Ai po deklaron se shëndetësia kosovare nuk është në gjendje të mirë.

“Sistemi ynë po devalvon, pacientët vazhdojnë të presin për të marrë shërbime, s'ka infrastrukturë. Lista Esenciale prapë ka dështuar. Besoj që duhet të ketë një strategji e cila tregon se si vendi do të nxiret nga kriza”, thekson Kodra.

Për çka saktësisht mund të mbahet mend Rifat Latifi - ministri aktual i shëndetësisë në Kosovë?

Edhe 22 vjet pas luftës, kosovarët vazhdojnë të vuajnë për ilaçe e infuzione. Shumë spitale e shumë Qendra Familjare në mbarë vendin javëve të fundit po ballafaqohen me mungesa të mëdha të medikamenteve mjekësore që gjenden edhe në listat esenciale. Në QKMF të ndryshme anë e mbanë Kosovës, ditëve të fundit s’po ka as infuzione, penj kirurgjikal, gaza e fasha.

E në vend janë bërë gati gjashtë muaj tashmë, prej kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë është emëruar specialisti i kirurgjisë, Rifat Latifi.

Por edhe pas këtyre muajve qeverisje, sistemi shëndetësor në Kosovë nuk ka pësuar ndonjë ndryshim nga i cili hairin do të mund t’ia shihnin qytetarët.

Në shumë klinika të QKUK-së, listat e pritjes për intervenime mjekësore të pacientëve janë të gjata deri në 4 vjet. Vendi s’ka as sigurime shëndetësore. Si pasojë, shumë qytetarë po detyrohen që ilaçin e sëmundjeve të tyre ta gjejnë jashtë Kosovës, duke shpenzuar kështu para të majme edhe nga xhepi i tyre.

Vizitat në spitalet turke: Aty ku kosovarët harxhojnë mijëra euro për shërim

Adresë kryesore për shërim të pacientëve kosovarë të cilët kryesisht vuajnë nga sëmundjet malinje, është shteti i Turqisë. Kërkesat për shërim të Leukemisë e kancerit në spitalet e këtij shteti janë të mëdha.

Vetëm për dy muaj, 209 kosovarë kanë kërkuar shërim jashtë vendit. Nga ta, 49 janë nën moshën 18 vjeçare. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme