<b></b>  Racizmi ndaj fëmijëve në Pejë: Një episod tjetër i errët rrjedh nga shkolla “Xhemajl Kada”

Racizmi ndaj fëmijëve në Pejë: Një episod tjetër i errët rrjedh nga shkolla “Xhemajl Kada”

18.05.2022 13:01

“Festa e Abetares” në qytetin e Pejës rihapi diskutimin për racizmin në shoqërinë kosovare. Tashmë, dihet se nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian ishin lënë menjanë gjatë asaj feste nga një mësimdhënëse. Një episod tjetër u mësua sot.  

Buja e madhe publike, e ndoshta edhe e papritur për autoritetet arsimore në Pejë, duket se shtyu këta të fundit që të prodhonin një rrëfim tjetër që thoshte bazikisht se nxënësit nuk ishin pjesë e festës por se donin të merrnin pjesë vullnetarisht. Përnjëmend?

Shkolla fillore ‘‘Xhemajl Kada’’ në Pejë përgjatë fillimit të vitit shkollor kishte një klasë të ndarë vetëm me nxënës pjesëtarë të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptain. Nga monitorimet, organizata ‘‘Advancing Together’’ në tetor të vitit të kaluar kishte kuptuar se si brenda shkollës fillore ishte formuar një paralele me vetëm nxënës të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian. 

“Në fillim të vitit shkollor në biseda me prindërit e pastaj nga monitorimi kemi vërtetuar se në atë shkollë ka qenë një klasë vetëm me nxënës të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian”, i tha gazetës Naconale Bashkim Ibishi, drejtor i Advancing Together.  

Ibishi tregoi se klasa ka funskionuar si e tillë për rreth dy muaj, e pastaj në biseda të organizatës me zyrtarët e shkollës kanë arritur t’i bindin zyrtarët që klasa të shpërndahet dhe nxënësit të shkojnë nëpër klasa tjera.  

‘‘Prindërit e nxënësve, pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, shpeshherë hezitojnë t’i regjistrojnë me kohë fëmijët nëpër shkolla, që afati është në maj. Në këtë rast fëmijët ishin regjistruar dikur ka gushti [2021]’’, thotë Ibishi. 

Ibishi vazhdon të thotë se nuk do të akuzojë askë dhe nuk ka parë që vullneti i menaxhmentit të shkollës ishte për t’i ndarë nxënësit, por fakt është që paralelja e ndarë ka ekzistuar dhe për rreth dy muaj në këtë mënyrë është ndjekur mësimi nga nxënësit.  

“Në atë klasë kanë qenë [të regjistruar fillimisht] edhe pak nxënës të komunitetit shqiptar, por prindërit e tyre kanë refuzuar t’i mbajnë aty fëmijët e tyre, dhe i kanë nxjerrë nga ajo klasë. Kjo ka qenë më shqetësuese se e para”, thotë aktivitisti. 

Ibishi po ashtu ka komentuar rastin ku gjatë ditës së djeshme, shkolla “Xhemajl Kada” kishte organizuar festën e Abetares me nxënësit e klasës së parë. Por, ajo që kishte marrë vëmendjen, kishte qenë ulja e nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjipatian në vend krejt tjetër krahasuar me nxënësit pjesëmarrës.  

“Mbrëmë kemi kuptuar se çka ka ndodhur. Sot e kemi një ekip në teren për të kuptuar se çka ka ndodhur aty. Besoj që nga fundi i ditës do ta kuptojmë drejt se çka ka ndodhur aty. S’do ta lëmë hetimin se çka thotë drejtori e çka thotë mësuesja. Do të bisedojmë edhe me prindërit e atyre fëmijëve që kanë qenë në sallë”, thotë Ibishi. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1