<b></b> Reshjet e shiut shkaktojnë frikë për helmim të ujit në Deçan, inspektorët dalin në terren

Reshjet e shiut shkaktojnë frikë për helmim të ujit në Deçan, inspektorët dalin në terren

15.05.2022 12:03

Frika e një tjetër helmimi të ujit, ka mobilizuar komunën e Deçanit. Pas reshjeve të shiut gjatë ditë së djeshme, inspektorët kanë dalur në terren, për të marrë mostrat e ujit që shfrytëzohet për pije nga deçanasit.

Gazeta Nacionale mësoi nga burimet e veta se ekipet e Institutit Rajonal kanë dalur në terren, për të shmangur një tjetër ngjarje të tmerrshme sikur ajo e korrikut të vitit 2021.

Në lidhje me dyshimet për helmimin e ujit, të ngjashëm me atë të vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar për Nacionalen se kontrollimet e sotshme të ujit, janë pjesë e praktikave rutionore, pas të reshurave të mëdha.

“Dje ka pasur të reshura të shiut dhe uji është turbulluar. Ne i kemi bo ftesë Institutit Rajonal për t’i bo analizat. Një lloj frikë ekziston,  mirëpo kjo është si masë preventive, do të thotë është masë e rregullt, pas reshjeve”, ka thënë kryetari për Nacionalen.

“Ekipet janë në terren dhe po merren me këtë punë”, shtoi Ramosaj.

Në korrik të vitit të kaluar, kishte ndodhur një helmim i ujit. Gjithë kjo gjendje pati shkaktuar një helmim në masë, brenda komunës së Deçanit. Në korrik të vitit 2021, afërsisht 1,500 qytetarë, mes tyre 51 fëmijë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore, që besohej të ishin helmim nga uji i pijshëm.

Asokohe, dy personat të kombësisë serbe, ishin përfolur se ndërlidhen me helmimet e ujit në Deçan.

Mirëpo Prokuroria në Pejë pati qartësuar situatën, me ngritjen e dy aktakuzave në lidhje me këtë çështje.

Aktakuzat ishin ngritur ndaj dy punjonjësve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, kimistes dhe drejtorit të Departamentit Teknik, duke u mbështetur në dyshimet e bazuara për mungesë të klorit dhe të testimeve të ujit.

“Pas një hetimi intensiv në çështjen penale me rastin e helmimeve të 1500 qytetarëve, sot kam ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës për veprën penale, “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”, ‘Mos evitimi i rrezikut’”, pati thënë për media prokurori Durjan Juniku.

Po ashtu, prokuroria pati sqaruar përfshirjen e dy serbeve në çështjen në fjalë. Në lidhje me këtë rast, është thënë se kanë përfunduar hetimet dhe se rezultati përfundimtar është, se nuk kanë pasur lidhje me rastin

“Në kohën kur janë identifikuar dy personat e nacionalitetit serb dhe kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi punuar me kujdes të shtuar dhe profesionalizëm të lartë. Kemi bashkëpunuar ngushtë edhe me organet e sigurisë, mirëpo në fund ka rezultuar se njëjtit nuk janë të përfshirë me rastin në fjalë”, tha prokurori Juniku.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike aso kohe, kishte thënë se ka dyshime për kontaminim të ujit.

“Në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit”, thuhej në njoftimin e IKSHPK-së.

 

Tjera nga autori:
1