Ka filluar tashmë parada e Krenarisë në Prishtinë.
Kjo paradë ka përbashkuar shumë politikanë të ngjyrave të ndryshme politike rreth flamurit të LGBTIQ+.
Aty duket edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama (LDK), zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, pastaj nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, por edhe deputetë dhe zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes.
Mes këtyre, mund të shohim ministrin e Kulturës, z. Harulla Çeku, e më pas edhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Por, aty është parë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo që vihet re, megjithatë, është mungesa e shefit të tyre në qeveri e parti, Albin Kurtit.
Kurti është kritikuar vazhdimisht nga organizatat joqeveritare që mbrojnë të drejtat e pakicave seksuale për mospjesëmarrjen e tij në paradat e Krenarisë. Ai sidoqoftë, nuk ka hezituar t'i ofrojë komunitetit mbështetje në Twitter, anipse një gjë të tillë nuk e ka bërë edhe në Facebook.
Përveç tyre, në paradë është edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në anën tjetër, Mimoza Kusari-Lila ka qenë më demonstrative në pjesëmarrjen e saj, përkundër që si shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes duket se nuk ka arritur të bindë të gjithë deputetët për pjesëmarrje.
"Duhet t’ju tregojmë të gjithëve se duhet të shpërndajmë dashurinë e lirinë, që na takon të gjithëve pa fund", tha Mimoza Kusari në një deklaratë për medie në paradë.
Sidoqoftë, znj. Kusari kishte kritikuar Marrëveshjen e Washingtonit të arritur më 4 shtator 2020, mes tjerash duke kritikuar që pika për mbrojtjen e komunitetit LGBTIQ+ ishte renditur shumë lart.
“Edhe n’shtet, edhe n’familje”, është slogani i komunitetit.
Kjo besohet që ndërlidhet me Projekt-Kodin Civil që bëri bujë në muajin maj pasi hapte rrugë për bashkëjetesat (bashkësitë e regjistruara civile) mes personave të seksit të njëjtë. Kjo ishte kundërshtuar nga shumë deputetë të mazhorancës.
Numri i saktë i qytetarëve pjesëmarrës është e pamundur të dihet deri në këto momente, por megjithatë vlen të thuhet se kemi të bëjmë me numër të konsiderueshëm qytetarësh.