Shpeshtimi i vrasjeve në Kosovë: Armët pa leje dhe motivet e ulëta, kombinim fatal - NACIONALE

Shpeshtimi i vrasjeve në Kosovë: Armët pa leje dhe motivet e ulëta, kombinim fatal

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të martën e kësaj jave një vrasje tjetër tronditi vendin. Në magjistralen Ferizaj - Kaçanik, me breshëri plumbash u vra një 30 vjeçar dhe u plagos vëllai i tij 32 vjeçar. Palët e përfshira në rast dyshohet se mes vete kanë pasur probleme edhe në të kaluarën. Mirëpo kjo është vetëm një nga dhjetëra vrasjet në 12 mujorin e fundit në Kosovë, që në muajt e fundit po shënon rritje duke paraqitur shqetësim për qytetarët edhe tek institucionet e sigurisë në Kosovë.

Statistikat që gazeta Nacionale ka marrë nga Policia e Kosovës, gjatë periudhës janar - prill tregojnë për shtatë raste të vrasjeve, - pa e llogaritur rastin e fundit në Kaçanik. Sipas policisë, tre raste janë në rajonin e Prishtinës, tre në atë të Pejës dhe një rast në Mitrovicën e Jugut.

Kurse nga viti 2016 e deri në gusht të vitit 2021, në Republikën e Kosovës kanë ndodhur 154 vrasje, prej të cilave 79 janë cilësuar si vrasje të rënda, ndërkaq 75 si vrasje.

Njohësi çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se një ndër shkaktarët për këto vrasje është edhe numri i madh i armëve ilegale që qytetarët e Kosovës posedojnë.

Shifrat e vrasjeve janë shqetësuese, dhe shumica e këtyre vrasjeve po kryhen nga armët ilegale, që tregon një shqetësim tjetër, pra një numër i madh i armëve ilegale gjenden është në duar të qytetarëve”, thotë Ibishi.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në duart e qytetarëve të Kosovës janë rreth 250 mijë armë ilegale. Sipas eksperteve të sigurisë, kjo shifër paraqet rrezik për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike.

Në bazë të kësaj shifre, i bie që çdo i shtati qytetar potencialisht mund të ketë një armë pa leje.

Sipas MPB-së nga hulumtimi i fundit janë rreth 100 mijë armë ilegale më pak. Në kohën e hulumtimit të cilit i referohet kjo ministri kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale.

Deri në vitin 2010 sipas MBP-së rreth 35.000 armë janë regjistruar në administratën e UNMIK-ut.

Në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare, Policia e Kosovës ka konfiskuar 6 538 armë pa leje.

Ibishi thotë se për shkak të procedurave të komplikuara dhe kostos financiare që ka procesi i legalizimit të armëve, qytetarët dekurajohen që të legalizojnë armët.

“Për legalizim taksat janë shumë të larta dhe shpesh qytetarët janë të prirë ta mbajnë armën ilegalisht e mos ta dorëzojnë për shkak se taksat janë të larta për legalizim, nëse e kryen krejt procedurën diku 300-400 euro. Përkundër që para dy ose tri viteve kishte filluar një proces për legalizim të armëve, (ai) nuk e dha rezultatin e pritur, për shkak se vetë legalizimi i këtyre armëve përcillet me taksa të larta për legalizim”, thotë Ibishi.

Sipas tij, për armët të cilat nuk kanë të drejtë të legalizohen, duhet të ndiqen praktikat e shteteve post-konfliktuoze, siç është kundërshpërbilim në këmbim të dorëzimit të armëve.

“Armët tjera që duhet të konfiskohen, gjegjësisht të dorëzohen si armët ushtarake apo versionet ekspolozive të armëve, për ato duhet të zgjidhet një sistem i dhënies me shpërblim, pra me kundërvlerë siç e kanë shumë vende të rajonit, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci e vende të tjera që e kanë kalu luftën. Fatkeqësisht kjo praktikë nuk është përcjellur në Kosovë”, thotë Ibishi, dhe sipas tij nëse përcillen këto praktika edhe numri i vrasjeve mund të ulet dhe qytetarët i përgjigjen pozitivisht thirrjeve për legalizim dhe dorëzim të armëve.

Kurse sipas Sociologut Ferdi Kamberi, fenomeni i vrasjeve që pas vitit 1999 në Kosovë ka pasoja shumë të rënda për shoqërinë në përgjithësi. Sipas tij kjo situatë prodhon pasoja të rënda dhe një shoqëri të dhunshme.

“Fenomeni i vrasjeve në Kosovë pas vitit 1999 e këtej është shndërruar në ato fenomene të cilat kanë pasur një rritje dhe pasoja jashtëzakonisht të rënda për familjen, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Ky fenomen është shqetësues për shoqërinë kosovare për shkak se atakon drejtpërdrejtë jetën e individit dhe bart në vete një mori pasojash të cilat mund të reflektojnë në periudhat afatgjata dhe nëse nuk merren masa preventive me kohë, atëherë ky fenomen mund të jetë në rritje që do të reflektonte edhe në gjeneratat e reja, duke prodhuar kështu një shoqëri të dhunshme”, thotë Kamberi për Nacionale.

Ai përmend disa shkaqe të vrasjeve. Sipas tij janë periudha e tejzgjatur e tranzicionit që sipas tij ka prodhur një krizë vlerash dhe identiteti, po ashtu për sociologun edhe konfliktet ndërpersonale për “motive të ulëta” dhe gjakmarrja janë shkak për këto ndodhi.

“Pastaj afekti, xhelozia, gjendja psikologjike e krijuar nga mbidoza, problemet me alkool, depresioni kronik, stresi postraumatik, sidomos i cili shfaqet në ato vende të cilat kanë pasur konflikte ose lufta dhe zakonisht ndodhë pas një periudhe 15 – 20 vjeçare, gjë që është evidente tek shoqëria kosovare. Po ashtu, faktorë dhe motive të tjera janë edhe numri i madh i armëve të cilat janë në duart e qytetarëve, faktorët individual, faktorët socio ekonomik (borgjet, fajdetë ose konfliktet për gjëra të tilla), ndikimi i medieve në veçanti filmat me përmbajtje të dhunës, gangsterëve, etj, të cilat mund të jenë model sidomos për të rinjtë duke imituar rolet e tyre”, tregon Kamberi, i cili thotë se në kontekstin sociologjik, vrasjet ndodhin edhe si rezultat i modelit kulturor dhe sjelljes së të mësuarit me gjuajtje me armë dhe prezencës së lartë të armëve në duart e qytetarëve.

“Rritja e këtij fenomeni, padyshim se paraqet një problem gjithëshoqëror për shkak se përveç që bart në vete pasoja të shumta tek individi, familja, komuniteti dhe vetë shoqëria, ndër to: Izolimi social, mungesa e integrimit shoqëror, problemet me stresin dhe depresionin, shpërfaqje e panikut dhe pasigurisë sociale, humbje e besimit ndaj institucioneve të vendit, mundësi e gjakmarrjes, linçimin publik (stigma), ndërprerjen e shkollimit për fëmijët, vuajtjet e tyre, si dhe pasoja të tjera”, përfundon Kamberi.

Gazeta Nacionale ka kërkuar edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës numrin e lëndëve gjyqësore që kanë të bëjnë me veprën penale - vrasje, mirëpo, zëdhënsja në këtë instutucion, Aishe Qorraj, i ka thënë gazetës se duhet disa ditë kohë për nxjerrjen e këtyre statistikave.

Lajme të ngjashme