<b>Shtrenjtë edhe me vdekë: </b> Rriten edhe çmimet e varrimeve nga BIK-u

Shtrenjtë edhe me vdekë: Rriten edhe çmimet e varrimeve nga BIK-u

28.04.2022 16:00

Babai i Uranit* për më shumë se një vit pati vuajtje nga sëmundja e kancerit. Pos tmerrit të lajmit të sëmundjes, familjes iu shtua edhe nevoja për sigurimin e parave për shërimin e 55-vjeçarit. Harxhimet iu shkuan në dhjetëra mijëra euro, por u ndihmoi financiarisht shumëkush që njihnin.  

Pavarësisht trajtimit mjekësor, babai i Uranit nuk arriti t’i mbijetonte sëmundjes dhe vdiq kah mesi i shkurtit të këtij viti, në shtëpinë e tij në Ferizaj.          

Derisa po siguroheshin të njoftonin gjithë të afërmit e miqtë për vdekjen e babait, familja nisi të mendonte edhe për ceremoninë mortore. I ndjeri ishte mysliman dhe ceremoninë duhej t’ia organizonin me rite islame.      

‘‘U dasht me pagu’’ – shtrenjtë thotë ai, për ceromoninë e varrimit të babait.  

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka monopol në përfaqësimin e organizimit të riteve të fesë islame në Kosovë – përfshirë edhe ritin e varrimit dhe të cilin e kryen kundrejt pagesës.   

Prej secilës familje që e ndien vetën myslimane, BIK-u kërkon të paguajnë anëtarësinë vjetore për secilin anëtar të familjes. Kjo i siguron miliona euro në vit bashkësisë fetare. Statusi i organizatave fetare ende nuk është i qartë me ligjet e vendit, e nuk dihet bash saktë se sa para qarkullojnë brenda vitit në BIK.        

Sidoqoftë, nëpër komuna të vendit, degët lokale të BIK-ut caktojnë çmime të ndryshme të pagesave për anëtarësi. Për shembull, në Han të Elezit pagesa vjetore për një anëtar të familjes është 7 euro, në Ferizaj 5 euro, në Prishtinë e Podujevë nga 4 euro, në Mitrovicë 3 euro e kështu me radhë.  

Bile pagesa dallon edhe brenda një komune.  

Për shembull në Malishevë, pagesa e anëtarësisë është 3 euro për person, por mund të rritet nga përfaqësuesit e xhamive (BIK-ut) nëse fshati ka më pak se 2 mijë banorë. Ama pagesa s’mund të jetë më e ulët se 3 euro për person, sipas kushteve të BIK-ut, dhe kjo vlen për secilën komunë. 

Pagesat vazhdojnë të kërkohen prej familjeve, e bile cilësohen ‘obligim’ nga përfaqësuesit e BIK-ut, ani pse shumica e komunave kanë nënshkruar memorandume me BIK-un, ku paguhet për secilin funeral që kryhet.

Pagesa që paguhet për një varrim ndryshon nga komuna në komunë, por, kryesisht sillet nga 180 euro deri në 250 euro për person. 

Muajve të fundit, BIK-u ka arritur të bindë komuna, së paku njërën, që ta rris pagesën. E gjithë kjo është bërë me arsyetimin se janë shtrenjtuar produktet, ku përmendet qefini, ndër tjerash. E po ashtu, BIK ka rritur edhe pagesat e anëtarësisë për besimtarët.    

‘‘Dikur pagesa e anëtarësisë ka qenë 3 euro, tani u bë 4 euro. Tani nisën të rriteshin çmimet, sot nuk janë njëjtë 300 euro qysh kanë qenë dikur. Kemi vendosur [në vitin 2020] ta rrisim pagesën [e anëtarësisë] në 5 euro’’, thotë për Nacionalen Sylejman Roshaj, kryeimam i Ferizajt.      

Kryeimami tregon se BIK-u në Ferizaj nuk arrin t’i mbledhë të gjitha pagesat e anëtarësisë të mbi 100 mijë banorëve të qytetit. Megjithatë, shuma që mbledhin e qarkullon përgjatë një viti, është e konsiderueshme dhe nuk vjen vetëm nga pagesa e anëtarësisë por nga disa burime financiare.  

‘‘Kemi arritë me i mbledhë deri në 200 mijë euro gjatë një viti, kryesisht mbledhim 35 deri në 40 për qind [të pagesave] të anëtarësisë [në Ferizaj]’’, thotë kryeimami Roshaj.   

Ndër familjet që nuk ishte e rregullt me pagesat vjetore ndaj BIK-ut në Ferizaj ishte edhe familja e Uranit. Ata u futën në ‘borxh’ tek BIK-u dhe për të siguruar shërbimet mortore religjioze u detyruan të paguajnë obligimin e anëtarësisë në ditën e varrimit të babait.   

‘’Ishin pasë mbledhë, nuk e di saktë sa kanë pagu, por e di që kanë pagu’’, thotë Urani për Nacionalen dhe kujton se u paguan disa qindra euro dhe se ‘fatura’ ishte paguar prej disa të afërmve, prandaj edhe s’e di saktë shumën e paguar. 

I riu refuzon të diskutojë se si është ndier kur ka kuptuar se duhet të paguajë ‘borxh’ ditën e varrimit, bile ndali bisedën me gazetën Nacionale bash kur u çel ky muhabet, duke u arsyetuar se duhet të shërbejë – ai vazhdon të punojë si kamarier edhe sot.      

***

Kyeimami nga Ferizaj, Sylejman Roshaj, tregon për Nacionalen procedurat e varrimit që ndjek bashkësia e myslimanëve. BIK-u njoftohet nga familja për vdekjen e personit. Brenda zyreve të tyre përfaqësuesit e komunitetit mysliman kanë regjistrat e anëtarësisë së tyre dhe përmes atyre regjistrave e dinë nëse ajo familja ka paguar.  

Sipas hoxhës, ‘‘familja e ka obligim ta paguajë [anëtarësinë]’’.   

‘‘Ka raste që kanë mbetë shumë vjet [pa paguar]. Ne e tolerojmë dhe [familja] e paguan vetëm një përqindje. [Pastaj] e bëjmë një marrëveshje, një lloj kontrate, që [familja] ta bëjë pagesën në muajt vijues’’, thotë kryeimami i Ferizajt, Roshaj.    

Familjet që s’kanë e janë në skamje, sipas hoxhës, i nënshtrohen një procedure tjetër.  

‘‘Imami e njeh fshatin dhe ai konstaton se, për shembull, dyqind shtëpi i ka fshati dhe prej tyre 20 shtëpi i ka të varfëra. Prej atyre 20 shtëpive, në total janë 15 të varfëra që s’mujnë me pagu, po nja 5 shtëpi janë në ndihmë sociale por munden me e përballu dhënien e anëtarësisë dhe ata [duhet ta] japin’’, thotë kreu i myslimanëve në Ferizaj.   

Hoxha Roshaj vazhdon të thotë se ‘‘këta që janë në skamje, me konfirmim të imamit [të rrethinës ku jeton familja], i lirojmë nga pagesa’’.

Së paku gjashtë vitet e fundit, për të lehtësuar shpenzimet e familjeve për funeralet e anëtarëve të këtyre të vdekurve, Komuna e Ferizajt ka paguar degën e BIK-ut në Ferizaj nga 200 euro për secilin shërbim funeral që kanë bërë. Tash e tutje komuna është pajtuar, prej janarit, të paguajë 250 euro për secilin funeral që shkon përmes derës së BIK-ut.   

Kryeimami Sylejman Roshaj i tregoi gazetës Nacionale se si shpenzon për një funeral dega që ai e udhëheq.

Vetura e BIK-ut shkon në shtëpinë e të vdekurit, e merr trupin e tij, pastaj në morgun që kanë pranë xhamisë bëhet pastrimi i trupit me ujë, apo siç njihet ‘‘larja e xhenazes’’. Pastaj trupi i të vdekurit mbështillet me bez (qefin) – këtu nuk përfshihet arkivoli dhe nëse familja dëshiron arkivol, duhet të paguajë shtesë – pastaj organizohet falja e namazit, që kryesisht bëhet në varreza, si dhe bëhet hapja e varrit.  

‘‘Na i kemi katër persona’’, thotë kryeimami për punëtorët e BIK-ut që kujdesen për hapjen e varrit dhe vazhdon se për hapjen e një varri angazhohen dy prej tyre, të cilët së bashku paguhen 35 euro.

Ndërsa punëtorët tjerë të BIK-ut të angazhuar në funeral, përfshirë edhe hoxhën që udhëheq ceremoninë mortore (që zakonisht shkojnë më shumë se një), janë punëtorë të rregullt të BIK-ut dhe që paguhen me rrogë të rregullt, pavarësisht a marrin a s’marrin pjesë në ndonjë shërbim të ritit mortor. 

‘‘Ne i kemi 84 punëtorë, [përfshirë] 52 imamë i kemi (vetëm në Ferizaj)’’, thotë hoxhë Roshaj, duke theksuar se paratë e grumbulluara shkojnë edhe për pagat e tyre. 

Në mesin e punëtorëve të BIK-ut në Ferizaj që merren drejtpërdrejt me procedurën e varrimit të një personi, janë dy burra që pastrojnë të vdekurit burra dhe tri gra që pastrojnë të vdekurat gra. 

Pak a shumë, nëpër të gjitha komunat e Kosovës, organizimi i funeraleve prej BIK-ut bëhet në këtë mënyrë e në këto kushte. 

Përveç anëtarësisë, BIK-u arrin të gjenerojë të ardhura financiare edhe përmes mënyrave tjera. 

Përderisa Nacionale po qëndronte brenda hapësirës së ‘‘Xhamisë së Madhe’’ në Ferizaj, brenda oborrit të xhamisë ishin dy pika ku grumbulloheshin para prej qytetarëve. Dhjetëra ferizajas kaluan përmes andejpari, përderisa jepnin shuma të ndryshme financiare dhe merrnin nga një check që dëshmonte pagesën e tyre. 

‘‘Muaji i Ramazanit është muaji i Kuranit, agjërimit dhe solidaritetit’’, tha hoxha Sylejman Roshaj, përderisa përgjigjej se pse gjithë ky vrull i njerëzve po dorëzonte para tek përfaqësuesit e xhamisë.  

Hoxha tha se tash paguhet zekati, një ndër pesë shtyllat kryesore të islamit, pastaj vitrat (ndihmat për të varfërit), si dhe anëtarësia e atyre që s’e kanë paguar deri më tash. 

‘’Garant zeqatin e ka pagu, i bjen 2.5 për qind’’, tha hoxha kur u pyet se pse një person i moshuar paguajti 1 mijë euro tek përfaqësuesit e xhamisë, përderisa sqaroi se zekati është taksë vjetore e atyre që kanë pasuri dhe të cilët paguajnë 2.5 për qind të pasurisë vjetore që kanë pasur. 

Kryeimami Roshaj kallëzoi se BIK-u merr edhe ndihma tjera; qoftë në veshmbathje, qoftë para, apo shërbime e hapësira nga qytetarë e biznese. Me këto organizojnë e shpërndajnë ndihma për njerëzit në nevojë, pastaj përgatisin fletushka me përmbajtje fetare, shtrojnë iftare, marrin udhëtime, apo organizojnë seminare apo ndeja tjera me tema islame. 

Pavarësisht të gjithave, ende është e paqartë nëse BIK-u ka të drejtë të kërkojë para për shërbimet funerale përderisa po merr para prej komunave. Ka pasur reagime në të kaluarën rreth kësaj praktike, bile në Lipjan dega e atjeshme e BIK-ut është akuzuar prej disa asamblistëve komunalë se po keqpërdor e po mashtron pasi po merr para prej qytetarëve anipse komuna u ka dalë zot shpenzimeve të kësaj natyre. 

 

*Urani është emër i përdorur nga redaksia pasi personi, i njohur nga redaksia, insistoi të mos i publkikohet emri.

Tjera nga autori:
1