<b>Shumë nxënës e pak shkolla </b> në Fushë Kosovë, rrezikohet cilësia e arsimit

Shumë nxënës e pak shkolla në Fushë Kosovë, rrezikohet cilësia e arsimit

26.05.2022 19:43

Emigrimi i qytetarëve nga viset rurale në urbane, tashmë po ndikon edhe sistemin arsimor në Kosovë. Përderisa në fshatra të largëta shkollat po mbesin me fare pak nxënës, shkollat e qyteteve kryesore kosovare janë të mbipopulluara.

Javën e kaluar, gazeta Nacionale raportoi për shkollën fillore të fshatit Goden në Gjakovë, e cila ka vetëm katër nxënës, që të gjithë fëmijë të së njëjtës familje. Ndonëse në mosha të ndryshme, ata i mëson vetëm një mësues.

Mirëpo një realitet krejt tjetër është në Fushë Kosovë, qytet që mbetet destinacion i preferuar për banim nga shumë qytetarë që punojnë në Prishtinë.

Migrimi i madh në këtë qytet, në kërkim të një jetë më të mirë, ka ngarkuar shumë shkollat, sidomos ato fillore të cilat operojnë me mbi 40 nxënës për klasë.

Gjatë intervistës me Drejtorin e Shkollës Fillore “Mihal Grameno”, Ismet Gashi, trokitjet në derën e zyrës së tij, ishin të njëpasnjëshme nga mësues, nxënës e prindër. Ndërprerjet e shpeshta tregojnë më së miri fluksin e madh që ka kjo shkollë, në të cilën aktualisht ndjekin mësimin mbi 1960 nxënës në objektin që ka 27 klasë.

Për Gashin, situata në shkollë ku menaxhon ai, është bërë pothuajse e pa përballueshme për shkak të numrit të nxënësve dhe ardhjes së pothuajse të përditshme të nxënësve të rinj.

Shkolla është super e ngarkume, ka klasa me 44 nxënës, jemi tu regjistru nxënës të klasës së parë edhe ardhjet i kemi për çdo vjet ka 300 nxënës plus. Faktikisht nëse nuk bëjmë ndonjë alternativë tjetër apo zgjidhje tjetër, duhet me punu me tri ndrrime”, thotë drejtori i kësaj shkolle, i cili thotë se është detyruar që dy kabinete të shkollës t’i shndërrojë në klasa.

Gashi thotë se momentalisht klasat në “Mihal Grameno” i kanë të stërmbushura me nxënës, dhe sipas tij, nëse vitin e ardhshëm kësaj shkolle i shtohet vetëm një klasë, do ta pamundësonte funksionimin e shkollës.

Për momentin i kam tana klasat të mbushura, vitin e ardhsëm veç një klasë nëse e shtoj, m’qet prej loje”, sqaron Gashi, i cili po planifikon t’i shtoj edhe 17 klasë të reja.

“Jam tu planifiku nja 17 klasë të reja me i formu, e ato 17-tat krejt ndërrimi tretë shkon, se nuk kam vend ku me i shti. Gjasat që vitin tjetër që të formohen ndonjë klasë e re janë të mëdha”, thotë Gashi për Nacionalen.

Gashi thotë se shkaku për këtë ngarkesë është ardhja me ritëm shumë të madh të qytetarëve anembanë Kosovës në Fushë Kosovë.

Komuna e Fushë Kosovës nuk ka shifra konkrete për mesataren e migrimit brenda një viti, megjithatë pohojnë se shkollat në këtë komunë janë të ngarkuara.

Shkollat në Fushë Kosovë janë të stërngarkuara. Migrimi nga fshatrat e komunës sonë dhe nga fshatrat e komunave tjera, e po ashtu edhe nga vendet tjera e stërngarkojnë sistemin e arsimit në qytetin e Fushë Kosovës”, thotë zëdhënësi i komunës, Ali Topalli.

Sipas statistikave që jep komuna, numri në total i nxënësve filloristë në Fushë Kosovë, këtë vit është 7838 nxënës, për një mesatare prej 35-40 nxënës për klasë.

Drejtori i “Mihal Gramenos”, që është shkolla më e madhe e qytetit, thotë se klasën e nënta në këtë shkollë janë më të mbipopulluara.

Të nëntat (klasët) i kam më të ngarkuara - me mbi 40 nxënës në klasë. Mirëpo edhe klasët e pesta po ashtu. Ndërsa një klasë të shtatë e kam me 48 nxënës”, thotë ai.

Mirëpo përveç kësaj, në këtë shkollë, siç tregon drejtori, mungon edhe një zëvendës drejtor dhe psikologu.

Nacionale ka pyetur komunën e Fushë Kosovës se përse kjo shkollë nuk ka zëvendësdrejtor dhe psikolog, e cila tha se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka bërë të qartë se nuk ka para për një gjë të tillë.

Nacionale ka pyetur edhe MASHTI-n për këtë çështje, por ky institucion i nivelit qendror nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërsa sipas Rinor Qehajës, drejtorit të institutit EdGuard, shkollat e ngarkuara me nxënës vazhdojnë të jenë problem i madh në zonat urbane.

Për Qehajën, ky problem ndodh për shkak të neglizhencës së drejtorive komunale për kufizimin e numrit të nxënësve në klasa dhe investimeve kapitale për ndërtimin e shkollave.

Duhet të kuptojmë që numri i madh i nxënësve në klasa është në korrelacion të zhdrejtë me cilësinë e arsimit, pra, nuk mund të ketë cilësi në mësimdhënie në atë klasë me mbi 30 nxënës, dhe këtë duhet të kuptojnë institucionet qeverisëse dhe të reagojnë me shumë shpejtësi karshi këtij problem”, thotë Qehaja për Nacionale

Kujtojmë që në zotimet e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore, thuhej se ndër prioritetet kryesore të saj është që ta ndërrojnë rrënjësisht paradigmën e arsimit fillor.

 

 

Tjera nga autori:
1