<b></b> “S’na do kërkush”: Veteranët ndihen të mashtruar nga Kurti e të fyer nga shoqëria

“S’na do kërkush”: Veteranët ndihen të mashtruar nga Kurti e të fyer nga shoqëria

06.06.2022 13:25

Lutfi Berisha kishte udhëtuar nga Vasileva e Drenasit për t’iu bashkuar protestës së thirrur nga veteranët e UÇK-së. Hamëz Berisha po e priste Lutfiun që para orës 10 para Kuvendit të Kosovës. Mllefi i kishte bërë bashkë në shesh dy ish-ushtarët e UÇK-së. 

“Po dojnë me na lanë me lëmoshë”, thotë shkurt Lutfi Berisha, përderisa ngulmon që të mos flasë më shumë.   

Ndërkaq, Hamëz Berisha thotë si me hajgare se pa lejen e komandatit të tij, Lutfiut, s’mund të thotë gjë. Por, shumë shpejt, nis e flet, dhe atë me plot mllef karshi qeverisë e shtysave të tij që e bënë të protestojë sot para Kuvendit. 

“Kemi shumë shokë që janë raste sociale [ndihmë sociale]. Edhe qysh mos me dalë na me protestu?”, thotë 47-vjeçari nga Vasileva, i cili jeton në Fushë Kosovë.  

Veteranët e UÇK-së po protestojnë pasi po ndihen të diskriminuar pas mospërfshirjes së tyre në Ligjin për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, mospërfshirja e tyre nënkupton se nuk do t’i marrin nga 250 euro, por vetëm nga 170.  

‘‘Mu më vjen turp me dalë e me protestu sot [për këtë çështje]. [Së paku] me na lanë te rroga minimale, e mos të mbesim raste sociale. Ky është diskriminim. Po na poshtnojnë me këto sene’’, thotë Hamëz Berisha.  

“Unë kom dalë për tjerë, që i kanë senet keq. Janë tu hekë në fukarallëk”, thotë ai.  

Berisha insiston se veteranët po protestojnë pasi gjendja e tyre është vështirësuar pas rritjes enorme të çmimeve gjatë muajve të fundit.   

E për Berishën, sot çdokush duhet të dalë e t’i përkrahë veteranët. 

“Solidar duhet me u ba. Janë keq [financiarisht] njerëzit. Me këtë pension edhe s’u lejohet atyre [veteranëve] me punu, knej pensioni i vogël mos vet”, thotë ai, duke insistuar se qeveria s’ka konsideratë karshi kategorive të luftës dhe kjo e frustron atë më së shumti. 

“Për me u pagu rrymë atyne [në komunat në veri] po ka pare. S’e kanë te paret, problemi është që është kundër neve”, thotë Hamëz Berisha duke i’u referuar kryeministrit Albin Kurti. 

E i mllefosur është edhe Miftar Gashi nga fshati Çabiq, Klinë. Miftari mezi fliste pasi ishte spërkatur me sprej prej Policisë së Kosovës. 

“S’na do kërkush,” thoshte ai përderisa sytë i kishte të mbyllur e ankohej se sytë po i djegnin nga spreji. 

Ai shtoi se më e rëndësishme për këtë rast ishte qasja e Qeverisë ndaj tyre.

“Menojsha që ka me u ba ma mirë, po ky na mashtroi”, thotë Gashi, duke akuzuar qeverinë se qëllimisht po i lë pas dore veteranët e UÇK-së. Gashi rrëfeu se është i sëmurë prej zemrës. Ai më pas u shoqërua me autoambulancë për në spital.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK] kanë filluar protestën sot para Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesit e Veteranëve të UÇK-së kanë thënë se nuk përjashtohet mundësia  e eskalimit të situatës në këtë protestë. Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, ka thënë se nëse ndodh eskalimi, përgjegjësia bie mbi qeverinë.

“Ne po e lëmë edhe një mundësi që deputetët mos ta aprovojnë një diçka të tillë, në të kundërtën, nuk përjashtohen format e reagimeve tona. Publikisht po e themi se ne nuk marrim përgjegjësi. Pasi revoltat janë të mëdha, nuk marrim përgjegjësi”, thotë Jashari.   

Madje, ai ka kërkuar që edhe vetë kryeministri Kurti të hetohet për këtë nismë.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK], kanë hyrë me forcë në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Ata kanë thyer rrethojat e Kuvendit të Kosovës, duke bërë që të intervenojë Policia e Kosovës duke hedhur sprej drejt protestuesve. 

Tjera nga autori:
1