<b></b> U raportua dhunë në 16 familje kosovare për një javë: Faktor thuhet të jetë “gjendja ekonomike”

U raportua dhunë në 16 familje kosovare për një javë: Faktor thuhet të jetë “gjendja ekonomike”

29.05.2022 13:28

Gjatë javës që po e lëmë pas, Policia e Kosovës ka raportuar 16 raste të dhunës në familje.

Janë 16 familje nëpër qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës, që nga mosmarrëveshjet, e kanë pësuar dhunën psiqike e fizike.

E kryesisht, janë gratë ato të cilat kanë përjetuar këtë dhunë nga burrat e tyre, gjë kjo e cila i ka shtyrë të raportojnë për këtë fenomen shqetësues.

Gjatë ditës së sotme, 29 maj, janë raportuar gjithsej 5 raste. 2 raste në Prishtinë dhe nga një në Mitrovice, Vushtrri dhe Gjakovë.

Nga këto raste të raportuara me këtë datë, 4 nga to janë të dhunës së burrave ndaj grave të tyre. Përveç një rasti në Gjakovë, ku ka pasur rrahje në mës të gjyshës dhe mbesës. Të njejtat, pas trajtimit mjekësor janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa ditëve të tjera, rastet që dominojnë, janë të raportimit të grave për burrat e tyre që ushtruan dhunë mbi to. Përveç dy rasteve në Gjilan e Prizren, ku nipi e ka goditur me kokë në fytrë gjyshin e tij, si dhe një nënë e cila është sulmuar nga dy meshkuj dhe një femër.

Qyteti që prin me më së shumti raste është Prishtina me 3 raste. Pastaj Gjakova, Mitrovica, Peja, Prizreni me 2 raste. Ndërsa qytetet e tjera si Kamenica, Vushtrria, Leposaviqi, Gjilani e Podujeva me nga një rast.

 

Pse dhuna në familje nuk po “zbutet” si fenomen?

Se dhuna në familje, po mbetet ende fenomen shumë shqetësues në vend, madje i papërmirsueshëm e thotë sociologia, Bukurije Rrustemi.

Ajo thotë se kjo dukuri për t’u “zbutur” duhet që edukimi rreth kësaj teme, të fillojë që nga shkollat fillore.

“Dhuna në familje është një problem serioz dhe i madh e për pasojë nuk mund të ndalet në periudhë të shkurtër kohore dhe as nuk është e lehtë. Por me një vetëdijësim të përgjithshëm të të gjitha hallkave në shoqëri, duke filluar nga familja e shkolla duke vazhduar me mediat e duke përfunduar me insitucionet e rendit dhe drejtësisë, do të përmirësohej”, tha Rrustemi për Nacionalen.

Sipas saj, faktor aktual i rritjes së rasteve, është gjendja e rëndë ekonomike.

“Faktor aktual i rëndësishëm që po ndikon në shtimin e rasteve të dhunës është gjendja e rëndë ekonomike, rritja e çmimeve në nivel botërorë dhe trauma nga situata e përgjithshme, luftë e pasiguri”, thotë sociologia Bukurije Rrustemi.

Ajo shton se raportimi i rasteve të dhunës në familje, mbetet ende frikë për disa gra të cilat janë financiarisht të varura nga burrat e tyre.

Nëse gratë do kishin të trashëguar pronë e pasuri, do e kishin më të lehtë dhe rrjedhimisht nuk do e heshtmin e toleronin dhunën”.

Rrustemi thotë se dënimet e dhunusëve duhet  të jenë më të rënda, pasi një gjë e tillë do të ndikonte në uljen e rasteve të dhunës.

Tjera nga autori:
1