<b></b> Ulën projeksionet e rritjes ekonomike globale -  Çfarë nënkupton kjo për Kosovën?

Ulën projeksionet e rritjes ekonomike globale - Çfarë nënkupton kjo për Kosovën?

11.06.2022 22:02

Pushtimi rus i Ukrainës krijoi një katastrofë humanitare. Në dy muaj që nga pushtimi, rreth 5 milionë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga Ukraina dhe mijëra janë plagosur ose vrarë. Inflacioni në 19 vendet anëtare të eurozonës arriti një nivel të ri prej 8.1 për qind muajin e kaluar për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, të cilat u përkeqësuan nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Rritjet e mëdha të çmimeve të mallrave, të kombinuara me ndërprerje nga ana e ofertës, do të përkeqësojnë inflacionin dhe do të ulin të ardhurat familjare dhe të korporatave, thuhet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, “Perspektiva Ekonomike Rajonale për Evropën, Prill 2022”.

Sipas FMN-së, pasojat ekonomike të konfliktit do të shkaktojnë një ngadalësim të konsiderueshëm të ekonomisë globale në vitin 2022, si dhe një rritje të inflacionit.

Lufta po ngadalëson rimëkëmbjen

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar një krizë të kushtueshme humanitare. Në të njëjtën kohë, dëmi ekonomik nga konflikti do të kontribuojë në një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes globale në vitin 2022 dhe do të shtojë inflacionin, thuhet në një raport të “Projeksioneve të rritjes”, të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Rritja globale parashikohet të ngadalësohet nga 6.1 për qind e vlerësuar në 2021 në 3.6 për qind në 2022 dhe 2023. Ndërsa zona euro nga 5.3 në 2.8 për qind në 2022, dhe 2.3 në 2023 sipas parashikimeve të FMN.

Sa është Kosova duke u prekur nga e gjithë kjo?

Sipas Institutit GAP, konflikti në Ukrainë ka rezultuar në një rritje të konsiderueshme të çmimeve të produkteve bazë. Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë të mallrave kryesore si gruri, misri, gazi natyror, nafta dhe plehrat, duke zënë 10 deri në 40 për qind të eksporteve globale.

Çmimet e karburanteve dhe ushqimeve janë rritur me shpejtësi, duke prekur në mënyrë disproporcionale popullsitë e cenueshme në vendet me të ardhura të ulëta.

“Kosova është neto importuese e energjisë elektrike, naftës, grurit, misrit, vajit, dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare pasqyrohen drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit tonë. Edhe pse Kosova ka një pavarësi energjetike në një shkallë të lartë, vitin e kaluar kishte një rritje të theksuar të importit dhe kërkesës për energji, ku gjithsej kosto e këtij importi ishte rreth 155 milionë euro. Për më shumë, të dhënat nga Dogana e Kosovës tregojnë se kërkesa për naftë në Kosovë nuk ka ndryshuar dy vitet e fundit, edhe pse kishte rritje të ndjeshme të çmimit. Pra, pavarësisht rritjes së madhe të çmimit të naftës në Kosovë, kërkesa mbetet shumë e lartë. Po ashtu, ekonomia e vendit tonë ndikohet edhe nga rritja e çmimeve të importit të produkteve ushqimore dhe lëndës së parë”, thuhet në një publikimin të GAP-it.


Inflacioni në Kosovë ndër vite.

Kujtojmë që çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke rezultuar në një rritje të ndjeshme të shportës mujore.

Norma e inflacionit ka arritur mbi 11 për qind me matjet e fundit. Sipas ‘Trading Economics’, deri në fund të këtij tremujori të dytë të vitit 2022, norma e inflacionit në Kosovë pritet të jetë rreth 12.5 për qind që përbën normën më të lartë që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Çmimet e naftës po ashtu janë rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2008.

Cilat janë disa nga alternativat për të zbutur krizën?

Ekonomisti Nazmi Zeqiri në një prononcim për Nacionalen ka listuar disa masa të nevojshme të cilat do të ndihmonin në zbutjen e krizës shkaktuar nga pandemia e Covid19 dhe lufta në Ukrainë.

“Funksionalizimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), debllokimi i qindra milion eurove të investimeve kapitale do të kishte ndikim pozitiv si në punësim ashtu edhe në të hyra tatimore. Funksionalizimi i Autoritetit të Konkurrencës gjithashtu do të ndalte sadopak ngritjen e çmimeve dhe marrëveshjet kartel. Duhet të filloj shpërndarja e subvencioneve dhe granteve në bujqësi sa më parë sepse bujqit janë në pozitë të vështirë, etj” tha Zeqiri.

Zeqiri, uljen e normës së akcizës për naftë dhe për bujqit e konsideron si të nevojshme. Ai thotë se Qeveria duhet të gjejë strategji mbrojtëse deri në normalizimin e çmimeve.

Subvencionimi në fushën e bujqësisë në Kosovë dhe ulja e normës së akcizës për naftë për bujqit gjatë vitit 2022, dalin të jenë masa adekuate në mbulimin e rrezikut që bujqit të rrisin prodhimin e këtyre kulturave këtë vit, dhe një mbështetje e tillë duhet të bëhet në vazhdimësi deri në normalizimin e çmimeve. Institucionet duhet të konsiderojnë zgjedhjen e strategjive mbrojtëse për energji elektrike këtë vit, marrë parasysh indikacionet për çmime të larta të importit të energjisë elektrike edhe në periudhën afatmesme,” tha Zeqiri.

Në anën tjetër, në të njëjtin publikim të institutit GAP theksohet rëndësia që të mbështeten ato grupe që rrezikojnë të bien në varfëri, si dhe ritheksohet nevoja e subvencionimit në fushën e bujqësisë.

“Është e rëndësishme që qeveria me të hyrat e arkëtuara përtej planifikimit, si rezultat i çmimeve të larta, të mbështesë edhe më shumë grupet më të pa mbrojtura të shoqërisë, që rrezikojnë të bien në varfëri, sikurse qytetarët që janë pjesë e Skemës së Ndihmës Sociale, ata që mund të humbin vendet e punës, etj”, thuhet në publikimin e GAP.

Tregjet e energjisë janë tronditur ditët e fundit si rezultat i shqetësimeve për furnizimin, shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Si pasojë e kësaj, shtrenjtimi i derivateve duke se nuk ka të ndalur në Kosovë. Çmimi i ri i litrës së naftës sot në Kosovë është gati 2 euro. Ky çmim ka ndryshuar ditët e fundit si pasojë e rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, tha për Nacionalen se ndonëse naftëtarët kanë ditur edhe të spekulojnë me çmime, Qeveria duhet të rishikoj TVSH-në dhe akcizën për derivate të paktën për një periudhë të shkurtër kohore. Kadriaj e cilëson këtë ndërhyrje si të vetëm që shteti guxon ta bëjë në ekonominë e tregut.

“Pa marrë parasysh që naftëtarët kanë ditur te spekulojnë me çmime dhe ti shfrytëzojnë momentet në këtë rast vlerësoj që qeveria është ajo që duhet të marrë hapa duke rishikuar TVSH-në dhe akcizën për derivate së paku në sezonën e verës me qellim qe të lehtësohet jeta biznesore dhe ekonomia familjare, pra vetëm keso ndërhyrje lejohet në ekonominë e tregut nga ana e Qeverisë, përndryshe ndërhyjra në çmime dhe marzh të fitimit do merrte nuanca të një sistemi majtist që do na kthente ne nostalgjinë e zymtë të shekullit të kaluar”, tha Kadriaj për Naionalen.

 

 

Tjera nga autori:
1