<b></b> Veteranët protestojnë të hënën: Nëse situata eskalon, përgjegjësinë e ka kryeministri Kurti

Veteranët protestojnë të hënën: Nëse situata eskalon, përgjegjësinë e ka kryeministri Kurti

04.06.2022 11:37

Të hënën veteranët, invalidët e familjarët e dëshmorëve do t’ia zënë derën deputetëve para Kuvendit të Kosovës. Kjo për një arsye. Ata po kërkojnë që të mos miratohet ndryshimi i Qeverisë, nëpërmjet të cilit veteranët përjashtohen nga ndryshimi i pagës minimale.

Kjo pikë do të jetë në rend dite të hënën në Kuvendin e Kosovës, e pikërisht me këtë rast, veteranët kanë thirrur protest për datën 6 qershor me fillim nga ora 10:00, raporton Gazeta Nacionale.

Madje, Organizatat e Veteranëve të Luftës, sot ka mbajtur konferencë për media, duke e lënë të hapur edhe mundësinë që situata të eskalojë. Sipas tyre, nëse një gjë e tillë ndodhë, përgjegjësinë do ta ketë kryeministri i Kosoës, Albin Kurti. 

Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, ka thënë se revolta është shumë e madhe në mesin e veteranëve, të cilët po e kundërshtojnë nismën e qeverisë që veteranët të përjashtohen nga rritja e pagës minimale.

“Ne po e lëmë edhe një mundësi që deputetët mos ta aprovojnë një diçka të tillë, në të kundërtën nuk përjashtohen format e reagimeve tona. Publikisht po e themi se ne nuk marrim përgjegjësi pasi revoltat janë të mëdha, nuk marrim përgjegjësi. Kur preken invalidët, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, ti po prek në lirinë e Kosovës, po prek në themelet e Kosovës që janë krijuar pas luftës. Nuk do të donim që të eskalojë protesta, por nëse kjo ndodhë përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe kryeministrin Kurti, sepse ai duhej të kishte respekt e përkujdesje më të veçantë”, ka thënë Jashari.

Madje, ai ka kërkuar që edhe vetë kryeministri Kurti të hetohet për këtë nismë. “Në vend që kjo qeveri t’iu përgjigjet kërkesave tona për ngritjen e benefecioneve. Në vend që kjo qeveri ta zbatojë Ligjin që është dalë nga Parlamenti, kjo institon që t’i largojë kategorinë e veteranëve, që lidhen me pagën minimale. Kam thënë edhe njëherë po e them edhe sot: në shtetet demokratike, në shtetet që kanë institucione një kryeministër i tillë do të duhej të hetohej”, tha Jashari.

Në anën tjetër, U.D kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, tha se vizitat e pushtetit drejt Hagës, janë me qëllim sipas tij, për ta mashtruar opinionin.

“Ka një muaj që qeveria e di se do të bëjmë protesta. Po i shihni se po luftojnë se cili ka shku me i vizitu më shumë krerët e UÇK-së në Hagë. Qëllimin kryesor e kanë që ta trullosin opinionin që të mos dalin masa në protestë, se gjoja këtë janë për UÇK-në. Ata s’kanë nevojë për vizita, ata kanë nevojë me obligimet ligjore me pagesa që i kanë, sepse krerët e UÇK-së nuk kanë nevojë as për mua, ata kanë nevojë për familjen, por shteti duhet të përkujdeset për ata”, tha Klinaku.

Sipas Klinakut, qeveria nuk po ua merr parasysh kërkesat veteranëve.

“Pushteti përmes Kuvendit po tenton ta ndryshojë Ligjin për këto kategori, për veteranët, ligj i cili i lidh veteranët me pagën minimale, dhe duke parë që ata kanë thirr një seancë për ta ndryshuar këtë ligj në leximin e parë, të hënën në ora 11, kemi vendosur që nga ora 10 të dalim në protestë. I ftojmë veteranët të na bashkohen”, tha Klinaku.

Edhe Fadil Shurdhaj nga Shoqata e Invalidëve të Luftës, kërkoi që pjesëmarrja në protestë të jetë sa më e madhe.

Reagime për ndryshimin e Ligjit për Pagën Minimale ku largohen veteranët, kanë pasur edhe partitë opozitare.

Tjera nga autori:
1