Vrasja e Diana Kastratit: I dyshuari endet në liri pas 13 vitesh kërkim nga Interpoli - NACIONALE

Vrasja e Diana Kastratit: I dyshuari endet në liri pas 13 vitesh kërkim nga Interpoli

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kërkesë për urdhër të mbrojtjes emergjente në vitin 2011 kishte kërkuar Diana Kastrati nga Prishtina, e cila po përjetonte dhunë të pandalshme nga bashkëshorti i saj.

Por, ky urdhër as edhe një herë nuk u lëshua nga Gjykata Komunale në Prishtinë.

E fiks tri javë pasi Diana kishte bërë kërkesë në Gjykatën Komunale për urdhër të mbrojtjes emergjente, dyshohet se burri kishte gjuajtur drejt saj, në rrugën afër shtëpisë së familjes të së ndjerës.

Dështimet e Gjykatës Komunale për të lëshuar urdhrin mbrojtës para se Diana të vritet, i kanë vazhduar edhe institucionet tjera të rendit dhe ligjit. Thënë shkurt, që nga maji i vitit 2011, personi që dyshohet se ka kryer aktin, nuk e ka marrë dënimin e merituar, pasi i njëjti ishte larguar nga Kosova.

Përveç të dyshuarit që nuk ka marrë dënimin, sot e 13 vjet as edhe një polic, gjykatës a prokuror, nuk është dënuar për neglizhencën e cila përfundoi me vdekjen e një gruaje.

Familja i ka humbur shpresat për drejtësi

Familjarët e së ndjerës për gazetën Nacionale rrëfejnë zhgënjimin që kanë me sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Babai i saj, Gëzim Kastrati, thotë se para tri vitesh i dyshuari ishte kapur në Spanjë, por si pasojë e mosnjohjes së Kosovës, nuk e kanë lejuar ekstradimin e tij nga Spanja në Kosovë, pasi i njëjti kërkohej edhe nga Interpoli.

“Nuk jemi të kënaqur me sistemin e drejtësisë, sepse i dyshuari veç dihet e që është në arrati, por shumë pak po punohet në kapjen e të dyshuarit për vrasjen e vajzës sime. Para 3 vitesh i dyshuari është kapur në shtetin e Spanjës, po si pasojë e mosnjohjes së shtetit të Kosovës, nuk kanë lejuar ektradimin e tij nga Spanja në Kosovë. Po nëse ministria e Drejtësisë do të kishte insistuar, ai do të gjykohej edhe në Spanjë. Tani nuk kemi më asnjë informacion për të dyshuarin”, thotë babai i së ndjerës.

Por, a do të mund të bashkëpunonte Kosova me Spanjën për këtë rast edhe pse e njëjta nuk njeh Kosovën?

Hulumtuesja e lartë në Institutin e Drejtësisë, Arrita Rrezniqi, ka deklaruar për Nacionalen se në këtë rast nuk mund të bëhet asgjë, kjo krejt pasi që nuk ka bashkëpunim me Spanjën në këtë drejtim.

Shteti i Kosovës nuk e ka të rregulluar bashkëpunimin me Spanjën në këtë drejtim dhe rrjedhimisht në rastin konkret nuk mund të bëhet diçka më tepër”, ka deklaruar Rrezniqi.

Ajo thotë se sistemet e drejtësisë në Kosovë, dështojnë që në fillim, ku nga kjo po pamundësohet siguria e jetës së gruas që raporton dhunën e cila më pas përfundon me fatalitet, vdekje.

“Raste si ky më së miri e shpërfaqin dështimin e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë qysh në fillim. Sepse një reagim i duhur si për nga koha apo nga veprimet e ndërmarra, potencialisht do të shmangte një situatë të tillë dhe kryerësit e këtyre veprave do të përballeshin me drejtësinë, e jo të arrijnë t’i shmangen asaj”, thotë Rrezniqi për Nacionalen.

Babai i të ndjerës, Kastrati, thotë se shteti i Kosovës është shpallur fajtor nga Gjykata Kushtetuese për mos lëshimin e urdhër mbrojtjes emergjente. E që përveç këtij vendimi, as edhe një lëvizje më e vogël, më nuk është bërë.

Ai ende ka një shpresë shumë të vogël që pas 13 vitesh, i dyshuari do të dënohet dhe do ta vuajë dënimin e merituar.

Lajme të ngjashme