Zgërdhirja e ministrit të Shëndetësisë, reagojnë nga Psikiatria: U dëshmuan paragjykimet rreth shëndetit mendor - NACIONALE

Zgërdhirja e ministrit të Shëndetësisë, reagojnë nga Psikiatria: U dëshmuan paragjykimet rreth shëndetit mendor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, teksa raportonte para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për aktivitetet e menaxhimit në sektorin e shëndetësisë dhe aktualitetet e zhvillimeve të fundit në shëndetësinë e vendit, iu drejtua me një lutje të gjithë deputetëve të këtij Komisioni që ta vizitonin Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

Në fakt, nëntheksi i lutjes së ministrit ishte për të treguar gjendjen infrastrukturore të këtij spitali, mirëpo për një moment plasi e qeshura në këtë komision nga anëtarët e këtij Komisioni, duke aluduar se ministri po u rekomandonë atyre që ta vizitojnë këtë spital për çështje personale shëndetësore.

“Ju kisha lutë ju t’gjithë deputetëve, shkoni në psikiatri”, tha Latifi, para se të fillonte një qeshje histerike në kor, nga pjesëmarrësit në këtë tryezë.

Me shku si pacientë, a si…”, pyesnin anëtarët e Komisionit, gjë që pasoi nga një ndërprerje e ministrit, duke u nxituar të tregonte që nuk e ka në atë kontekst.

E për gjithë këtë situatë aspak të këndshme, kanë reaguar zyrtarë të Klinikës së Psikiatrisë së QKUK-së.

Në fakt nga kjo Klinikë, pajtohen me metaforën që Latifi e quajti atë ‘xhungël’.

Por dy ditë më vonë, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë së QKUK-së, Shaban Mecinaj, thotë se Psikiatrinë e ka shndërruar në këtë gjendje mos-investimet e realizimet e kërkesave të tyre nga vetë shteti -Ministria e Shëndetësisë e SHSKUK.

“Ndonëse i bindur se Ministri me këto cilësime iu ka referuar kushteve në të cilat punohet dhe jo stafit apo organizimit të tij, si ish-menaxher i këtij institicioni dua të theksoj se ne këtë “xhungël” brenda çdo viti janë ofruar me dhjetëra-mijëra shërbime të ndryshme. Pra, përkundër këtyre kushteve të rënda dhe vështërsive, sfafi i Klinikës së Psikiatrisë ka vazhduar që t’i trajtojë pacientët me humanizëm, dinjitet, dhe profesionalizëm të lartë. Po ashtu në këto kushte është punuar edhe gjatë pandemisë Covid-19, ku rreth 3/4-tat e stafit kanë qenë të prekur, disa prej tyre te hospitalizuar në klinikat covid-trajtuese”, ka shkruar Mecinaj.

Tutje, ai shpreson që vizita e ministrit të bëhet shkas që të rregullohet infrastruktura e kushtet e punës në Psikiatrinë e QKUK-së.

Sido që të jetë, urojmë që kjo vizitë të bahet “sebep” ne mënyrë që Klinika e Psikiatrisë të marrë vëmendjen dhe mbështetjen e duhur, në kuptim të krijimit të kushteve më të mira për punë dhe funksionim.

Sido që të jetë, psikologu Shaban Mecinaj në shkrimin e tij thekson se të qeshurat e deputetëve në Komisionin për Shëndetësi kur u përmend Klinika e Psikiatrisë shpërfaqin mendësinë e popullit dhe stigmën për problemet e shëndetit mendor në Kosovë.

“Se nuk është vetëm popullata e stigmatizuar nga paragjykimet në raport me çrregullimet psikiatrike dhe shëndetin mendor, por edhe nivelet e larta intelektuale, më së miri u dëshmua në takimin e lartëshënuar. Të qeshurat e motivuara vetëm me një përmendje të psikiatrisë, përçojnë një mesazh joshpresëdhënës se në një të ardhme të afërt do ta tejkalojmë stigmën dhe stigmatizimin si fenomen shoqëror”, ka shkruar ai.

Tutje nga Klinika e Psikiatrisë theksojnë se për problemet aty, menaxhmenti i SHSKUK-së e ministria janë njoftuar moti.

“Për të mbështetur vrojtimet reale të Ministrit lidhur me përshkrimin e gjendjes në të cilën ndodhet ndërtesa e Njësisë së Kujdesit Intensiv Psikiatrik, dhe në përgjigje të interesimeve të medieve dhe shumë miqve tjerë për këtë çështje, po e postoj njërën nga kërkesat e shumta me shkrim drejtuar menaxhmentit të lartë të SHSKUK-së për këtë çështje. Jo për ta kërkuar unë fajtorin, por për të dëshmuar një realitet i cili thotë se; si do të duken “xhunglat e vogla” në QKUK, krejt varet nga “xhungla e madhe”!”, thotë Mecinaj.

Si u zgërdhinë ministri e deputetët kur u përmend Klinika e Psikiatrisë?

“Ju kisha lutë ju t’gjithë deputetëve, shkoni në psikiatri”, tha Latifi, para se të fillonte një qeshje histerike në kor, nga pjesëmarrësit në këtë tryezë.

“Me shku si pacientë, a si…”, pyesnin anëtarët e Komisionit, që pasoi nga një ndërprerje e ministrit, duke u nxituar të tregonte që nuk e ka në atë kontekst.

“Jo, jo, jo, si vrojtues, si doktora, si qytetarë, si reprezentues të popullit të Kosovës”, tha Latifi.

Qeshja masive, që ngjante më shumë si përqeshje në këtë Komision, përforconte stigmatizimin me të cilin përballen shumë qytetarë që kanë telashe me shëndetin mendor.

Qeshja e deputetëve dukej si një alarm i aktivizuar shoqëror duke shpërfaqur më së miri, se sipas tyre, çrregullimeve mendore duhet t’u qasemi me një distancë e përbuzje.

Për drejtorin ekzekutiv të Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, Bind Skeja, mendësia e institucioneve është mendësi arkaike, dhe sipas tij, vetë ministri Latifi e ka stigmën e përbrendësuar.

“Ministri së pari vetë e ka këtë stigmën të përmbrendsume, ku nihet i obligum me kallxu që nuk po u thotë me shku si pacientë atje; shumë koment nënçmues, dhe e panevojshme me u cekë”, thotë Skeja për Nacionalen.

Sipas tij, qeshja edhe e ministrit dhe e deputeteve është tregues që ai “nuk e ka mentalitetin në rregull”.

Lajme të ngjashme