<b></b> “7 tifozët” e Romës fatlumë që do ta shikojnë finalen e ekipit të zemrës në stadiumin e Tiranës

“7 tifozët” e Romës fatlumë që do ta shikojnë finalen e ekipit të zemrës në stadiumin e Tiranës

06.05.2022 16:35

“A ka më mirë se ta shikosh nga tribunat e stadiumit ekipin e zemrës?”, pyet Shqipdon Govori, tifozi më fatlum në mesin e “shtatë tifozëve të Romës” në Kosovë... Epo, ndoshta është koha ta demaskojmë mitin e shtatë tifozëve.

Govorit nuk i buzëqeshi fati një herë, por dy herë, dhe më mirë se çdo tifozi tjetër të Romës në mesin e qindra tifozëve romanë në Kosovë, dhe ai dëshiron të na sigurojë se verdhekuqtë kanë qindra tifozë.

“Roma ka shumë më shumë se 7 tifozë këtu dhe mjaftueshëm për një vend të vogël si Kosova. Por të ta them të drejtën, aq sa jemi, jemi tifozë të vërtetë të Romës, që e dashurojmë me zemër ekipin”, tregon Govori për Gazetën Nacionale.

Pretendimi i tij mbështetet edhe nga Nol Nushi, sekretar organizativ i Partisë Socialdemokrate: “Tifozë ka shumë më shumë sesa që është përhapur ky mit.”

Roma, e udhëhequr nga i madhi Jose Mourinho, arriti në finale të Europa Conference League – garës së kategorisë së tretë në futbollin evropian – pasi e mundi ish-kampionin e Anglisë, Leicester City, në gjysmëfinale të enjten.

Kjo është finalja e parë e Romës në 31 vitet e fundit dhe për rëndësinë e saj më së miri flet përlotja e Mourinhos pas ndeshjes në stadiumin e mbushur olimpik në kryeqytetin italian.

Dhe për fatin e tifozëve të Romës, finalja e Conference League – në të cilën Roma sfidohet nga Feeynordi – do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania“, në kryeqytetin e Shqipërisë, më 25 maj.

Biletat për këtë ndeshje finale ende nuk kanë dalë në shitje dhe derisa tifozët e tjerë të Romës presin nën ethe për ta siguruar një, Govori ia ka dalë ta sigurojë një përmes një loje shpërblyese paraprakisht, pasi i kishte parashikuar saktë finalistët e këtij edicioni të kësaj gare.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa ta shikosh ekipin e zemrës nga tribunat e stadiumit. Biletat, dy, i kam fituar pasi isha i saktë në parashikimin e dy finalistëve të kësaj gare në një TV”, thotë Govori për Gazetën Nacionale.

Për dallim nga Govori, Nushi duhet të shpresojë se do t’ia dalë ta blejë një biletë për finale, i cili tha se do ta bëjë ta pamundurën për këtë: “Veç mos mujsha!”

Për një tifoz kosovar të një klubi evropian, ta shikojë nga tribunat e stadiumit skuadrën e zemrës është gjë e koklavitur, pasi për çdo udhëtim jashtë vendit, qoftë dyditor, i nevojitet viza e shtetit përkatës dhe një mori procedurash.

Shqipëria është mundësi e jashtëzakonshme për tifozët kosovarë të Romës për ta shikuar skuadrën e Mourinhos pa menduar për çështje vizash dhe udhëtimi të gjatë.

“Po, është shumë më e lehtë në Shqipëri, sepse nuk nevojitet vizë, por unë e kam pasur ndër mend edhe udhëtoj me vizë [në Itali], por isha me fat për çështjen e biletës dhe faktit se do të luhet në Shqipëri”, nënvizoi ai.

Kjo është hera e parë që Govori do t’i shikojë nga tribunat e jo nga ekrani lojtarët e ekipit të fëmijërisë dhe ende nuk mund ta besojë këtë.

“Kjo është hera e parë që do ta shoh një ndeshje të Romës në stadium. Do të shkoj me një shok romak nga Kosova. Jam shumë i lumtur edhe nuk mund ta besoj se do të shkoj pa i futur në dorë biletat.”

Ndjenja e të qenit tifoz i një ekipi me më pak tifozë në vendin tënd

Nga klubet e Serie A, tifozët kosovarë janë kryesisht të marrë pas Interit, Milanit dhe Juventusit, prandaj Roma gjen mbështetje goxha më të vogël këtu.

Por për Nushin dhe Govorin, të qenit tifoz i një klubi me më pak mbështetjeje është ndjenjë e veçantë.

Nushi shtoi: “Ndihem special, sepse jam pjesë e një grupi që ia di lezetin futbollit. Goxha sakrificë është të jesh me Romën. Secilin fillim sezoni, jam i sigurt që e fitojmë kampionatin. Mandej ka gjysma e sezonit shpresoj për [kualifikim] në Champions, e ka fundi ia nis të shpresoj për sezonin tjetër.”

Roma është përfaqësuar nga tifozët e vet kosovarë edhe nëpër liga të futbollit në Kosovë.

“Ta them sinqerisht, ata që jemi, jemi tamam tifozë dhe e dashurojmë Romën me zemër. Unë vetë kam qenë e kam mbledhur ekipin përfaqësues të Romës në ligën e futbollit, FanLiga, dhe kam pasur rastin t’i shoh shumë prej tyre nga afër.”

Tjera nga autori:
1